Elektroda në tru kundër depresionit – kjo është metoda që po mendojnë shkencëtarët
Elektroda në tru kundër depresionit – kjo është metoda që po mendojnë shkencëtarët
28.09.2022 | 02:54
Elektrostimulimi cerebral mund të jetë në të ardhmen një metodë që ndihmon pacientët që vuajnë nga depresioni.

Bëhet fjalë për forma të rënda të gjendjes depresive, në ato raste ku nuk kanë funksionuar medikamentet dhe terapitë.

Kështu Universiteti i Amsterdamit ka nisur një studim me elektroda mbi 25 pacientë vullnetarë, të cilët kishin ndërprerë çdo lloj komunikimi dhe marrëdhënie sociale, kishin ide vetëvrasje dhe kishin vlerësuar edhe eutanazinë si zgjidhje.

Në këta lloj pacientësh, mjekët shpjegojnë se zonat e trurit komunikojnë me njëra tjetrën në mënyrë të tepruar dhe të dizorganizuar. Kështu elektrodat e implantuara në tru , kanë krijuar një lloj shqetësimi elektromagnetik ndaj neuroneve, duke reduktuar këtë lloj komunikimi të çrregullt.

Pacientët janë monitoruar deri në 9 vjet me radhë, dhe në fund ka rezultuar se 44% e tyre kishte patur rezultat mjaft të mirë, me një reduktim prej 50% të gjendjes depresive.

Studimet në këtë fushë do të vijojnë për të konfirmuar efikasitetin dhe për mundësuar në të ardhmen terapi të reja që të mund të ndihmojnë në këtë tipologji shqetësimi.