Mourinho: Zaniolo dëshiron të largohet, por e ndjej se ai do të mbetet te Roma
Mourinho: Zaniolo dëshiron të largohet, por e ndjej se ai do të mbetet te Roma
23.01.2023 | 02:30
Jose Mourinho ka konfirmuar se Nicolo Zaniolo dëshiron që të largohet nga Roma në këtë afat kalimtar dimëror.

Italiani nuk ishte i përfshirë në skuadër sonte në ndeshjen ndaj Spezias, të cilën Roma e fitoi me rezultatin 0:2, 

Pas ndeshjes, pyetjet rreth tij drejtuar Mourinhos ishin të pashmangshme.

“Drejtori foli për këtë, mendoj se e bëri mirë. E rëndësishme është që ne fituam dhe luajtëm si ekip. Unë kam mendimin tim dhe ndjesinë time se ai do të jetë akoma këtu, më 1 shkurt. E kuptoj që Nicolo dëshiron të largohet, por kjo është ajo që ndjej”, tha portugezi.

“Ai tha se dëshiron të largohet. Por, kjo nuk do të thotë se ai do të largohet. E them këtë sepse ai është një lojtar i rëndësishëm dhe ka një vlerë të rëndësishme në tregun e transferimeve. Ofertat në tavolinë nuk janë të denja për të apo për klubin. Nuk ka asgjë atje. Kjo është arsyeja pse është ndjesia ime që ai do të jetë këtu në shkurt”, shtoi Mourinho.

Është raportuar se Tottenham Hotspur dhe Milani po e kërkojnë huazimin e 23-vjeçarit për pjesën e mbetur të sezonit, teksa në marrëveshje të përfshihet opsioni i blerjes për 25 milionë euro.

Roma thuhet se po kërkon garanci që të shesë Zaniolon dhe një opsion “detyrim blerjeje” mund të përfshihet në një marrëveshje eventuale.

Ndryshe, Nicolo Zaniolo me Romën ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit të ardhshëm.