Marrëveshja afër finalizimit, Bersant Celina drejt transferimit te klubi nga Superliga e Turqisë
Marrëveshja afër finalizimit, Bersant Celina drejt transferimit te klubi nga Superliga e Turqisë
02.08.2022 | 04:14

Bersant Celina karrierën do ta vazhdojë te Kasimpasa – në Superligën e Turqisë.

“TWTD” duke u bazuar në burime, ka raportuar këtë të hënë se kjo lëvizje do të mbyllet në dy ditët e ardhshme.

Sipas mediumit nga Ipswichi, që mbulon edhe lajmet për klubin Ipswich Town, marrëveshja është për huazimin e Celinës nga Dijoni te Kasimpasa për një sezon, ku do të përfshihet edhe opsioni i blerjes.

25-vjeçari sezonin e fundit e kaloi si i huazuar te Ipswich Town. Klubi anglez thuhet se e kishte kërkuar kthimin e lojtarit në “Portman Road” për herën e tretë – në formë huazimi për të kaluar pastaj në një kalim të përhershëm, megjithatë një marrëveshje e tillë nuk u arrit.

Stoke City dukej të ishte destinacioni i radhës i reprezentuesit të Kosovës, por situata e tij me lejen e punës e çoi drejt dështimit një lëvizje të mundshme. Klubi tjetër anglez, Preston, kishte shprehur gjithashtu interesim – por që interesi i tyre u ftoh për arsyen e njëjtë.

Përveç Kasimpasas, klubi tjetër Antalyaspor thuhet se ishte gjithashtu në bisedime këtë verë për transferimin e Celinës, i cili gjithashtu tërhoqi interesimin nga gjiganti skocez, Rangers.

Si përfundim, mesfushori nga Prizreni do t’i bashkohet bashkëkombësit të tij, Florent Hadërgjonajt, te Kasimpasa. Detajet tjera pritet të zbulohen në ditët e ardhshme.

“TWTD” ka shpërndarë edhe një fotografi të babait të Bersant Celinës, Edvarit, i cili gjithashtu ka udhëtuar me lojtarin drejt Turqisë.

Kujtojmë se Bersant Celina momentalisht është nën pronësi të klubit francez, Dijon, me të cilin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024.