Kryeneçët duhet të zbuten
Kryeneçët duhet të zbuten
20.06.2022 | 06:02

Ermal Mulosmani 

 
 
Koha kur liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë ishin edhe miq për kokë, që shkonin në darka informale dhe diskutonin për strategji të përbashkëta qasjeje ndërkombëtare, ka mbaruar prej kohësh. Ardhja e Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës u shoqërua me një ngricë raportesh që shkon deri në sfidë të hapur për supermaci politike. Albin Kurti u përpoq të dëmtonte pushtetin e Ramës kur vendosi të shkëpuste vota të majta në zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri. Një përpjekje e dështuar por që i kushtoi shumë për të ardhmen e raporteve Rama-Kurti.

Ishte ky vetëm fillimi i një raporti të vështirë. Rama kishte mjaft avantazhe në këtë sfidë. Qeveriste një shtet të njohur botërisht, me një peshë në rritje në arenën ndërkombëtare dhe pa asnjë konkurencë të brendshme politike.

Spartanët e Moralit dhe Amerika

Albin Kurti e filloi mandatin e dytë të qeverisjes pas një sfide të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emisarët amerikanë e rrëzuan qeverinë Kurti 1 pa bërë 50 ditë përmes një votëbesimi të partnerëve të qeverisjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishin ultimatumet amerikane për heqjen e reciprocitetit me Serbinë që çuan në rrëzimin e asaj qeverie. Shqiptarët e Kosovës nuk e pritën mirë ndikimin amerikan kundër Kurtit. Një valë antiamerikanizmi u përhap mes tyre. Ironitë “amelika, amelika” si tallje me referencat e kundërshtarëve politikë të Kurtit, ishin tregues i kësaj vale. Kjo ishte mjaft e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Por Kurti nuk ishte aq budalla të konfliktohej me amerikanët. Duhej filluar kthesa.

Pak kohë para zgjedhjeve presidenciale amerikane, Albin Kurti bëri thirrje publike votuesve shqiptarë që të mbështesnin kandidatin Xho Bajden. Ishte një përpjekje për të ndarë qëndrimin e administratave sipas krahëve politikë me idenë se kundërshtar i Kurtit është vetëm adminstrata Trump.

Retorika e Kurtit për “thika mbi harta” që amerikanët do të detyronin shqiptarët me siguri janë pritur me zemërim në SHBA. Fëmija i përkëdhelur i amerikanëve, foshnja që u hoq nga goja e bishës serbe në momentin kur kjo po e bluante pa mëshirë, tani po u kthehej kundër shpëtimtarëve! Kjo ishte e tepërt.

Në zgjedhjet e 14 Shkurtit, Kurti pothuaj nuk bëri fare fushatë. E gjithë periudha parazgjedhore ishte si me thënë “kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar”. Sllogani “Krejt dhe Drejt” ishte një tregues i fushatës euforike dhe pa ide. Kurti po shkonte drejt pushtetit si spartani i pakorruptuar që do t’i jepte fund korrupsionit politik (tregtisë me kufinjtë e Kosovës) dhe atij ekonomik (privatizimeve dhe tenderave korruptivë). Ditirambet morale ishin refreni i pararendjes së Kurtit drejt karriges së Kryeministrit. “Dubrava 12 kat” ishte një nga shprehjet e atyre ditëve, një premtim robespierian për burgosje të “hajnave” që kishin brejtur Kosovën e varfër.

Por në mendjen e Kurtit kishte vetëm një problem: Si të rregullohej me amerikanët. Ai e dinte se e ardhmja pa ta do të ishte e pamundur. Ndërsa, sa për premtimet, ato…

Nënshtrimi ndaj amerikanëve

Qeverisja e dytë e Kurtit ishte një ndryshim thelbësor nga e para. Reciprociteti i hequr nuk u vendos më. Megjithëse Kurti e përmendte herë pas here “po e mendojmë mirë që mos të dështojmë si herën e parë”, të gjithë e kuptonin se kjo ishte për retorikë të brendshme. Sot e kësaj dite janë duke e menduar. Pak ditë pasi mori pushtetin vendosi të njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, një premtim që buronte nga Marrëveshja e Uashingtonit të cilën Kurti premtonte se nuk do e njihte. Dialogu pa kushte me Serbinë, vijoi sikur mos të kishte qenë kurrë si premtim. Kur ndodhi kriza e afganëve, Kosova ishte ndër të parat që shprehu gatishmërinë për të qenë mikpritëse e tyre.

Pak muaj më parë, kur Kosovën e vizitoi emisari i lartë Karen Donfried, Kurti tejkaloi çdo pritshmëri nënshtruese kur deklaroi: “Kur thotë Amerika të kërcejmë ne nuk pyesim pse por sa”!

Ky do të ishte edhe haraçi i fundit që do t’i paguante Kurti amerikanëve përpara vizitës që do të bënte pak kohë më vonë. Ishte nënshtrim total me shpresën e faljes.

Mësimi amerikan për Albinin

Për amerikanët nuk mjaftoi ky nënshtrim. Ata vendosën ta poshtëronin duke e sorollatur nëpër biznesmenë vendas që habiteshin edhe vetë për këso vizitash pa precedent. Asnjë vizitë formale e një rangu të lartë nuk iu mundësua gjatë më shumë se dy javëve në SHBA. Në fund të vizitës, këshilltari i sigurisë kombëtare, Xhek Sullivan, një figurë e rëndësishme e administratës amerikane. e priti për t’i shpëtuar nderin aq sa mund të shpëtohej. Edhe ai u kujdes të publikonte një foto në fund të shkallëve për të vënë në diskutim mesazhin.

Kriza me Ramën

Kurti mund të pranonte nënshtrimin pa kushte ndaj amerikanëve por jo edhe ndaj Ramës. Atë e mendonte në të njëjtin rang në mos inferior. Mospërfillja, cinizmi, përdorja e ndjenjave nacionaliste dhe shmangia e njëri tjetrit ishin karaktersitika të mardhënieve dypalëshe. Në një mardhënie të fohtë viktima e parë është buzëqeshja. Nuk ka buzëqeshje as formale nëpër takime. Ato i ngjajnë ngërdheshjeve të sforcuara.

Miqësia e Ramës me Presidentin serb është një pretekst i fortë për të justifikuar qëndrimet. Edhe retorika kozmopolite e Ramës që quan “çorbë ballkanike” masakrat serbe duke barazuar viktimën me xhelatin shkon në favor të Kurtit. Lehtësia me të cilën Rama jep deklarata të tilla, të papërgjegjshme, është mjaft e mirëpritur për të ndezur armiqësinë. Tashmë lufta është e pafshehur. Rama nuk e përmend kurrë hapur Kurtin por organizon pritje speciale, në Kryeministri, për Haradinajn apo Abdixhikun, liderët opozitarë të Kosovës. Më shumë se vizita e tyre spikat mungesa e Kurtit. Një vizitë në burgun e Hagës ku ishte Hashim Thaçi dhe ish luftëtarë të tjerë të Kosovës apo deklarata: “Hashim Thaçi do të ishte Presidenti më i mirë për Shqipërinë” ishin goditje ndaj Kurtit dhe mardhënieve të tyre të paqëna. Por Kurti nuk e ka luksin të jetë sfidues ndaj Ramës. Ai nuk është vetvetja por Kryeministri i zgjedhur i Shqipërisë, një faktor në rritje në kancelaritë perëndimore.

“Lufta” me fotografitë

Pardje ishte një ditë e mirë për Kosovën. Kancelari Sholz vizitoi Prishtinën, Vjosa Osmani ishte e ftuar në një Samit në Athinë ndërsa Ministria e Jashtme Gërvalla u prit nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Diçka është përmirësuar në raportet ndërkombëtare të Kosovës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara u kujdes të theksonte se takimi Kurti-Sullivan është zhvilluar në Kompleksin e Shtëpisë së Bardhë. Ky në fakt është një zhvillim pozitiv, duket se një kthesë ka filluar. Ndryshe, pse ambasadori duhej të bënte këtë saktësim pas gjithë asaj mospërfilljeje publike? Gjesti tjetër që tregon përmirësim në raportet e Kurtit me amerikanët është edhe ndeshja e kombëtares së Kosovës ku në tribunën VIP në krah të Kurtit ishte edhe ambasadori Hovenier. Mardhëniet ndërkombëtare e veçanërisht ato me amerikanët duken më të qeta tani.

Por ndërsa në Prishtinë po diskutohej për suksesin e vizitës së Sholzit, Kryeministri Rama shpërndan në profilin e vet në FB disa foto ku dukej i qeshur e gjithë harë në shoqërinë e Kryeministrit Micotaqis, Presidentitn Vuçiç apo Kancelarit Sholz e pastaj, në darkën zyrtare, duket i distancuar nga Presidentja Osmani, në cep të tavolinës. Një vëzhgues i vëmendshëm i asaj fotoje vinte re një spostim të ndjeshëm të Presidentes Osmani në krah të kancelarti dhe një distancë krejt joproporcionale nga Kryeministri Rama. Unë e pashë si foto të vënë me qëllimin për të theksuar sjelljen e patakt të Presidentes. Por ndoshta ishte e paqëllimtë.

Foto e publikuar nga Rama

Pastaj erdhi radha e Osmanit. Fotoja e prerë e Kryeministrit Rama tejkalonte çdo etikë. Ajo ishte zgjedhur me kujdes, mes shumë fotove për të tentuar të theksojë epërsinë e Presidentes Osmani, afërsinë “e bekuar” me kancelarin Sholz. Lexohej në atë foto inat, sfidë, krenari boshe, eufori, përkundrejt “vetmisë” së Ramës që trajtohej si personazh periferik, njësoj me kamarierët. Kur e pashë ndjeva keqardhje. Për Vjosën jo për Ramën. Ajo është në postin më të lartë të Kosovës për të kaluar egot personale dhe për të vënë ura dialogu. Mëritë apo xhelozitë personale duhet të tejkalohen të parat. Liderët nuk janë aty për të dhënë spektakle populiste por për të dhënë leksione urtie, shembuj pajtimi. Një popull i vogël nuk e ka luksin të përkëdhelë egot apo kapriçiot e liderëve si në shekullin e kaluar. Një foto e Ramës me Osmanin duke buzëqeshur apo biseduar do të ishte shumë më e mirëpritur mes shqiptarëve. Kryeneçët duhet të zbuten. Dikush duhet të ndërhyjë që kjo të ndodhë sa më parë. Në këtë sfidë nuk ka të fituar.