Rita në prag të 17 shkurtit: Kosovë urime pavarësia, të dua shumë
Rita në prag të 17 shkurtit: Kosovë urime pavarësia, të dua shumë
16.02.2021 | 07:25

Rita Ora shpreson që shumë shpejt të rikthehet me koncert në Kosovë.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, sot (e premte) publikoi projektin e shumëpritur “Bang”.

Videoklipi e bëri shumë të veçantë këtë projekt të artistes shqiptare, ngase në të u shfaq me veshje tradicionale shqiptare.

Për veshjen e Ritës është përkujdesur dizajneri Valdrin Sahiti, ndërsa edhe këtë herë me krenari ajo tregoi prejardhjen e saj.

Në një intervistë për “Prive”, Rita tha se pret me padurim të rikthehet për një koncert në Kosovë dhe paralajmëroi shumë projekte për këtë vit.

“Ju mund të prisni shumë gjëra nga unë në vitin 2021, muzikën time, shumë videoklipe dhe shumë filma. Unë mezi po pres të kthehem dhe ndoshta mund të performojë para jush sërish. Më mungon çdo gjë nga pjesa e të qenurit në shtëpi. Nuk më pritet të ju shoh sa më shpejt”, deklaroi ajo.

Meqenëse janë pak ditë që na ndajnë nga përvjetori i pavarësisë së Kosovës, Rita nuk harroi të uronte shqiptarët për këtë datë.

“Hej! Kosovë urime pavarësia, të dua shumë. Shpresoj se do të vijë të bëjë një koncert për ju. Më mungoni shumë, ju dërgojë gjithë dashurinë time”, shtoi ajo.

Ndër të tjera, këngëtarja foli edhe për veshjen që e përzgjodhi në klip, duke thënë se donte që të përfaqësonte prejardhjen e saj në anën vizuale të këngës përmes kostumeve tradicionale.