Mos shpreso kot që me lutje mund të ndryshosh dekretet e perëndive!
Mos shpreso kot që me lutje mund të ndryshosh dekretet e perëndive!
22.07.2021 | 05:10
Ahmet Çollaku

Amerikë …Biblioteka 100 metra larg nga shtëpia ime është akoma e mbyllur. Librat dremisin nëpër rafte. Stafi i bibliotekës afishon libra falas në hyrjen e këtij tempulli. Panair me libra falas. Këtu perandoritë jepen badihava …


Koronavirusi më ndau nga e dashura që mezi e gjeta. “Derisa vjen me maskë dhe ke frikë të më puthësh, më mire largoju nga unë”, më shkroi ajo në Viber. U trishtova. Është e vështirë të gjesh të dashur në moshën time! Do ta provoni vetë. Ish-e dashura ime, e cila erdhi në Amerikë nga një ishull grek afër Katerinit ma preu shkurt: “Zura një të dashur tjetër”, më tha.

Mundohem të gjej ngushëllim te miqtë e mi; ata janë shenjtorët e mi të parë. Por, shumë nuk jetojnë më, ndërsa këta të gjallët i kërkoj me qirinj, se janë të moshuar, nuk dëgjojnë edhe pse kanë vendosur aparate. Prostati, një tjetër kovidi, por jo ngjitës.

U telefonoj por disa nuk dinë as ta hapin celularin, këtë shpikje magjike, me të cilën mund të numërosh gjithë rrudhat e fytyrës, gjithë plagët, të testosh mushkëritë. Më vjen keq për ta kur dëgjoj se nuk janë mirë me shëndet, sidomos kur grinden me fëmijët, me gratë.

“Unë me këtë pension nuk dalë dot as nga pragu i shtëpisë”, më thotë në telefon një ish-koleg nga Vlora: “Këtu të gjithë grindemi, vjedhim njëri-tjetrin, mashtrojmë … Si nuk doli më pare kjo përputhja! Ah sa vonë! Të paktën të përputhen Shqipëria me Evropën, pa dyshim edhe deputetët…”

Skleroza qenka më e keqe se Covidi-19. Vaksina u gjet, ndërsa ajo e sklerozës akoma jo. Edhe unë harroj ibrikun në sobë, apo pantallonat zbërthyer. Edhe qeveritarët tanë vuajnë nga skleroza. Vuan Berisha, Meta, Rama, Basha…

Siç e shihni, jam në telash të madh sepse jam vetëm. “Ҫ’tu desh Amerika”, fajësoj veten time. Por, është tepër vonë. Tani, fjalën senjor ma kanë vulosur ngado, madje edhe atje poshtë. Sidoqoftë, nuk mund të ndahem nga miqtë. Pas Vlorës, mendoj të telefonoj një shok në Nju-Jork. Atje ku jeton ai është bërë si lagje e Fierit, flitet vetëm shqip. E njëjta gjë edhe këtu në Filadelfia, në Riçmond, ku jetoj unë.


I bie numrit. Ai e vështron botën nga karroca, mezi lëviz. Nis më bërtet në rusisht. Unë e lë të flasë në atë gjuhë rinie dhe dashurie për disa minuta. Kur lodhet dëshiron të dijë kush jam unë. Pas kësaj më përsërit të njëjtat ngjarje për të njëqindën herë, të njëjtët emra, data, por unë e dëgjoj si për herë të parë. Dhe, kështu do të vazhdoj ta dëgjoj se unë e dua atë, e kam shokë fëminije..

Kam disa miq të mirë në Kanada. Njëri është shumë i sëmurë. Jemi miq që nga koha e shkollës së mesme, Teknikumi i Naftës. Unë flas me të rregullisht. Paska më keq se sëmundja. Biseda është shumë e trishtuar. “Kam dy fëmijë këtu po ata nuk flasin me mua”, thotë dhe çon rënkime si fishekzjarre.

Një tjetër nga Miçigani më thotë se qeveritë shqiptare janë prostituta, thonë se do të bëjnë ligje, se do të dënojnë Berishën. Llallën, Ҫobon e Petromanasit. Vetëm me abuzimet e Ҫobos, ndërton një Shqipëri tjetër. Kështu 30 vjet tallen me njerëzit.

Ata duan të bëjnë ligje me ndihmën e të huajve, por të huajt duan naftë, ar, plazhe, kurva shqiptare. Ku shkojnë pasuritë tona kombëtare? Ku? Sa shumë kurva paska kjo Shqipëri e vogël!? Studiot, shoqatat, grupet, partitë po përmbyten me prostituta. Ah po, kemi edhe vëzhgues ndërkombëtarë, nga ata që blejnë me tapi.

Disa janë prostituta organike, pa kolesterol. I vini re kur ngjiten në shkallët e parlamentit, provokojnë seks me modën e brekëve? Nga ana tjetër, kavalierët testojnë modelet e mjekrave. Padyshim për Mis Shqipëria kandidat i parë është Rama.

Refreni shqiptar shfaqet edhe në telefonatat e mia: “Kur do dënohet ky Berisha”? Miq, mos harroni, askush nuk do të dënohet derisa ne Shqipëri ka naftë, krom, hekur, flori, plazhe, pasuri të lira, kurva me dhe pa brekë …

Në Shqipëri vallëzojnë ujqit. Unë ujq për herë të parë kam parë në fshatin tim, në Rrajcë, atje në mal kur isha i vogël. Pra, mos shkoni larg, shikoni Rrajcën time. Rrajca ime është pushtuar nga ujqërit gjermano-shqiptarë të cilët nuk kanë lënë lëndina dhe pemë …

Bie në mendime të thella. Diku lexoj: Mos shpreso kot që me lutje të mund të ndryshosh dekretet e perëndive … /Gazeta “Dita”/