Hesape fushate
Hesape fushate
23.04.2021 | 04:18
Sonila Meço

1,6 milionë shqipove emigrantë nuk ua mundësojmë votën. I fusim dhe një karantinë për datën e votimeve, kryesisht Greqisë me rreth 600 mijë shqiptarë. Nuk na la pandemia t’i skedojmë, ndaj ecim me planin e sigurt. Nuk na zbarkojnë këtu me mendje të ngritur e na dynden në Qendra Votimi.

173 mijë personave me aftësi të kufizuara, asnjë akses për votime. Se të pakënaqur do jenë me qeverinë. Ndaj nuk na zbarkojnë në Qendra Votimi mendje ngritur.

100 mijë persona që presin legalizimet për ndërtime pa leje i mbajmë varur, se një fjalë duan ata. Po nga dy vota për familje minimalisht i kanë? Ja 200 mijë që nuk i zbarkojmë me mendje ngritur, por mendje mbledhur në Qendra Votimi.

Vijojmë…

30 mijë aktivë me Covid? Kush ka nge të merret me ta, t’u mbushë mendjen, se po marrim ndonjë infektim. Pa do jenë nervozë se paguajnë nga xhepi çdo kurë. Të përjashtohen nga votimi. Kështu nuk na zbarkojnë me virus kundërshtari në Qendra Votimi.

Tabela e të dhënave personale ka në patronazh ata me pampersa, me gjysmë mendje, me fëmijë emigrantë, pensione të ulëta, adoleshentët nga mendtë, opozitarë me lista, hallexhinj pa parti e me parti. Këta do sigurohemi që nuk zbarkojnë në Qendra Votimi pa mendje të ndarë.

Rrogëtarët e shtetit kanë bërë betimin me vendin e punës, po themi 170 mijë vetë. Po nga këta gjysmat i kemi të sigurt, gjysmat i pengojmë me përdorimin e të dhënave personale, ja po themi 90 mijë. Po nga dy veta për familje, 180 mijë vota. 160 mijë të tjerë i mbajmë me tezat: “Ja iku ky, po kush vjen!”, “Zhgënjimi 30 vjeçar”, “Luli fle, Likja bërtet!”. Pra, nuk na zbarkojnë çeta guerile administrate në Qendra Votimi.


Po të shiturit? Të blerët? Të shantazhuarit?

Ndaj duhet ndarë mendja e të zbarkohet e votohet me çdo kusht në Qendra Votimi, se përndryshe pas katër vitesh secilit do t’i bjerë nga një kategori së cilës i mohohet me Kushtetutë e drejta e votës.