Hapni shkollat se gazuat
Hapni shkollat se gazuat
28.09.2022 | 03:00
Arsimi pas luftës është dëmtuar më shumë se në kohën e Jugosllavisë. Turpi mbi ata që e duruan dhe mbi këta që po e durojnë sot mbylljen e shkollave

Lis Bukuroca

Në Kosovë nuk duhet festuar më Dita e Mësuesit, por e Grevistëve. Ajo ditë nuk do të ketë më asnjë kuptim!

Nëse kemi besuar deri dje se mësuesit ishin altruistë, humanistë e atdhetarë, paskemi mashtruar vetëm vetveten! Shumica qenkan thjeshtë materialistë dhe sot kukulla të Jasharit! Ata nuk po sillen si subjekte të lira, por po durojnë të tërhiqen zvarrë si objekte.


Bujku kurrë nuk do të bënte grevë kur duhet korrur gruri, por mijëra arsimtarë e bëjnë duke ditur se po dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin!

Ata mund të punojnë çdo ditë dhe të protestojnë çdo pasdite, por jo, udhëhqeqësit e grevës duan të ngadhnjejnë mbi shtetin, ta gjunjëzojnë atë me shantazhe dhe sabotazhë! Mësuesit dremisin në shtëpi dhe nuk i bren ndërgjegja. Ata presin paga edhe për kohën sa rrinë të shtrirë në divan! Jo vetëm rritje, por edhe dëmshpërblim për mospunën!

Me shtresë të tillë „arsimuese“ natyrisht se zihet vendi i fundit në PISA! E Qeveria? Qeveria është aty për të zgjidhur probleme, jo për të bashkëjetuar me ta. Pasojat do t‘i përjetojë edhe ajo, si edhe nxënësit, por jo Jashari. Ai do të largohet dhe nuk do të harrohen pasojat e tij.

Nxënësit që duhej të fillonin mësimin, nuk do të harrojnë kurrë se në vitin 2022, nuk iu lejua shkollimi i rregullt.

Jasharit po i duket se ka perballë armikun, Qeveria po mendon se e ka përballë opozitën! E nxënësit? Me ta nuk merret askush, me rëndësi të merren apo të mos jepen lekët.

E prindërit? Ata i besojnë fatit, kismetit! Ata e durojnë grevën mu ashtu si do ta duronin edhe tërmetin. Si Katastrofë të natyrës! Ata presin Jashari të mendojë për fëmijët ose Qeveria. Pse të shqetësohen kur të tjerë duhet të mendojnë për ta?!

Arsimtarët meritojnë rroga dinjitoze, edhe 1.000 €, por edhe veting, sepse para dhe pas luftës janë shitur diploma fakulteti si specat ‚somborka’ në tregun e Prishtinës në vjesht! Ata që kanë blerë, nuk e kanë parë kurrë me sy një libër të pedagogjisë apo të psikologjisë së nxënësit, të mësimit dhe mënyrën sesi transferohet dija, sa zgjat përqëndrimi dhe si mësohet më mirë. Nëse bastisen shtëpitë e 100 arsimtareve, ndoshta nuk gjendet as një libër i didaktikës,

Atdhetarët bëjnë kompromis, gjejnë rrugëdalje, maskarenjtë luftojnë sepse nuk humbin vetë, por fëmijët. Maskarai, mercenari, nuk dëshiron kompromis, por poshtërimin e tjetrit! Jo zgjidhje, por fitore mbi të tjerët, për vete.

Sidoqoftë arsimi pas luftës është dëmtuar më shumë se në kohën e Jugosllavisë. Turpi mbi ata që e duruan dhe mbi këta që po e durojnë sot mbylljen e shkollave!