Gjashtëdhjetëvjetori i Traktatit të Elizesë dhe Ballkani
Gjashtëdhjetëvjetori i Traktatit të Elizesë dhe Ballkani
23.01.2023 | 02:36
Jorgji Kote 
 
 
60 vjet më parë, më 22 Janar 1963, në Pallatin Presidencial ”Elysée” në Paris, Presidenti Charles De Gaulle dhe Kancelari Konrad Adenauer nënshkruan Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit me të njëjtin emër. Si produkt madhor që mishëroi dhe institucionalizoi përpjekjet e shumëfishta 14-vjeçare pas krijimit të shtetit federal gjerman. Ky Traktat u ripërtëri më 22 Janar 2019 nga Presidenti Macron dhe Kancelarja Merkel në qytetin Aachen, duke u shtrirë më tej, në kulturë, arsim, shëndetësi, siguri, ushtri dhe mbrojtje, përfaqësimin me një zë në OKB, në BE, etj. Ky jubile po përkujtohet me ceremoni të larta shtetërore në Paris, Berlin, Bruksel dhe gjetkë.

Franca dhe Gjermania kanë meritën unikale se brenda 2-3 viteve krijuan truallin dhe mjedisin e duhur miqësor që çoi në nënshkrimin dhe zbatimin e këtij Traktati model, jo vetëm ndërmjet liderëve/shteteve, por dhe popujve të tyre. Kështu, Strasburgu, fronti i nxehtë dhe i përgjakshëm i ballafaqimit të tyre historik u kthye në « Urën » e parë të madhe të afrimit, pajtimit dhe miqësisë franko-gjermane; kjo u shtri dhe në planin evropian, duke vendosur në Strasburg selinë e Këshillit të Evropës, Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut dhe selinë e dytë të Parlamentit Europian që zhvillon aty pjesën më të madhe të punimeve.

Si armiq tradicionalë, Franca dhe Gjermania, gjatë tre shekujve të fundit kanë zhvilluar ndërmjet tyre 27 luftra të përgjakshme, me miliona viktima dhe dëme materiale e financiare kolosale! Rikujtojmë pushtimin e Gjermanisë nga Bonaparti më 1810 dhe revanshin e Bismarkut në vitin 1871 ndaj Napoleonit të III; gjithsesi, kulmin e shënuan dy luftërat e përgjakshme botërore. Ndaj, pas vitit 1945, udhëheqësit e tyre kurajozë dhe vizionarë e kuptuan të parët se e vetmja alternativë afat-gjatë për paqe, stabilitet dhe begati social-ekonomike ishte pajtimi, miqësia, demokracia dhe mbi të gjitha integrimi i tyre Euro-Atlantik i tyre. Më 9 Maj 1950, “ babai” i Gjermanisë moderne, Konrad Adenauer i tha me plot gojën “ Po” ofertës historike të Schumanit për integrimin e përbashkët evropian; krijimi me nismën e tyre i Komunitetit të Qymyrit dhe Çelikut më 1951 ishte preludi i kësaj paqeje të qëndrueshme, mbasi qymyri dhe çeliku ishin “ lëndët e para” të luftrave gjakatare. Më 1 Janar 1958 hyri në fuqi Traktati i nënshkruar në Romë më 25 Mars nga 6 vendet bashkëthemeluese mbi Komunitetin Ekonomik Evropian – BE-ja e sotme.

“Pse”-ja tjetër e suksesit e këtij modeli qëndron në karakterin gjithëpërfshirës. Franca dhe Gjermania e dinin se të vetme, sado të fuqishme të ishin, nuk mund të siguronin dot një “oazë” paqeje dhe begatie të përhershme. Ja pse është tejet domethënëse që ndër gjashtë vendet e para bashkëthemeluese të BE-së me Francën dhe Gjermaninë ishin Italia, humbëse e madhe e luftës dhe tri vendet e Beneluks, që ndonëse të vogla gjeografikisht, dilnin dhe ato fituese nga ky integrim i ri demokratik. Më vonë, BE-ja u zgjerua me 28 vende, bashkë me 10 shtete ish-komuniste, si një histori e madhe suksesi. Në fakt, “sekreti ” i suksesit emblematik të BE-së ishte pikërisht binomi franko-gjerman, i njohur dhe si “motori” i funksionimit të saj, i pazëvendësueshëm nga asnjë “duo” tjetër për shumë shkaqe dhe arsye. Kështu, Franca dhe Gjermania janë dy vendet me popullsi më të madhe, gati sa gjysma e BE-së, Gjermania është “lokomotiva” e ekonomisë evropiane, të dyja japin 35 për qind të GDP-së së Evropës; Franca është fuqi bërthamore dhe anëtare e Këshillit të Përhershëm të Sigurimit të OKB-së etj.

Boshti franko-gjerman dallon thelbësisht nga vendet dhe aleancat e tjera evropiane, sepse ka trashëguar, mbrojtur dhe zhvilluar në vazhdimësi tradita të pasura demokratike dhe liberale, sipas parimit “unitet në diversitet”. Me përjashtim të periudhës së nazizmit dhe kolaboracionizmit francez gjatë Luftës së II Botërore, nga të cilat të dyja këto vende kanë nxjerrë mësimet e duhura, ato u kthyen me shpejtësi rekord në modele të shtetit së drejtës, ekonomisë sociale të tregut dhe pioniere të diplomacisë shumëpalëshe. Ndaj forcat ekstremiste dhe populiste, si Le Pen në Francë, etj e kanë “ halë në sy” këtë bosht jetik.

Në këtë drejtim kanë patur rolin dhe kontributin e tyre të posaçëm “Çiftet politike” të dy vendeve, Adenauer/Charles De Gaulle, Willy Brandt/Pompidu, Schmidt/D’Esteing, Kohl/Mitterand, Schroeder/Chiraque dhe së fundi Merkel/Sarkozy/Hollande/Macron. Ata janë shquar dhe për miqësinë e tyre personale në shërbim të kauzës së madhe Euro-Atlantike deri në ditët tona. Më 1958, De Gaulle ftoi në shtëpinë e vet Adenauer, i cili nga ana e vet e priti atë si hero Gjermani. Më 1975, Ish Kancelari Schmidt dhe Ish Presidenti Giscard d’Estaing piketuan monedhën e përbashkët « Euro » dhe iniciuan Samitet e G-7; në Dhjetor 1984, fotoja Kohl-Mitterand të kapur dorë për dore në nderim të 750 mijë ushtarëve të rënë në fushën e betejës në Verdun më 1914 bëri xhiron e botës etj.

Natyrisht që historia e modelit franko-gjerman nuk është vetëm rozë. Ka patur e ka dritë hije dhe shqetësime të njohura tashmë, përfshirë dhe ato të muajve të fundit. Por, ato sërish kanë ditur t’i kapërcejnë bashkë me ShBA dhe aleatët e tjerë gjatë 60 viteve të fundit, duke e bërë më të fortë dhe BE-në pas kapërcimit të problematikave të tyre.

Më tej, pajtimi franko-gjerman filloi vërtet nga lart-poshtë, por ai u nxit dhe u shoqërua fort paralelisht dhe nga poshtë-lart, duke u bërë “pronë” e të gjithëve. Ky proces është konkretizuar në qindra forume dhe takime të përbashkëta, bashkëpunim intensiv dhe veprimtari ekonomike, artistike, sportive, shkencore, mbledhje qeverie, madje edhe përfaqësim i përbashkët në shumë raste në forumet më të mëdha botërore etj. “Katalogu” i tij është vërtet mbresëlënës. Mbi të gjitha, ai shquhet nga bashkëpunimi masiv dhe i prekshëm njerëzor, mes të rinjve, artistëve, studentëve, intelektualëve, dhe shkencëtarëve; ka një rrjet të përbashkët arsimor me mbi 200 shkolla; prej dy vitesh, në shkolla studiohet një libër i përbashkët historie, i hartuar bashkërisht nga ekspertët e të dy vendeve; më 22 Janar, festohet Dita e Përbashkët Franko-Gjermane; me këtë rast, ndahet Çmimi i Përbashkët Adenauer-De Gaulle; ka fondacione dhe institute të shumta franko-gjermane. Këto dhe lidhjet e ngushta njerëzore, deri në bashkime masive familjesh, i kanë dhënë impulse të mëdha dhe bashkëpunimit politik, i cili qysh prej 45 vitesh mbështetet në “Traktatin e Elizesë”; mbi këtë bazë, dy herë në vit bëhen konsultime qeveritare publike, sipas radhës, në Gjermani dhe Francë, me pjesëmarrjen e kabineteve dhe Kryeministrave; të dy qeveritë kanë të Ngarkuar të Plotfuqishëm në nivel të Sekretarëve të Shtetit, të cilët merren me mbikqyrjen e këtij bashkëpunimi.

Dhe këto 10 vjetët e fundit boshti franko-gjerman është angazhuar me vendosmëri bashkë me ShBA-në në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, kapërcimin e krizave të rënda financiare, luftën ndaj populizmit dhe ekstremizmit, kapërcimin e problemeve të shkaktuara nga Covidi-19 dhe së fundi më me forcë e përkushtim me agresionin rus ndaj Ukrainës. Ishin ato që propozuan dhe nxitën, mes shumë pengesash blerjen e borxhit të përbashkët prej 750 miliardë euro, për të ndihmuar vendet më të prekura nga korona. Ndërsa tani së fundi mbi 38 miliardë euro ndihma për Ukrainën, nëntë paketa sanksionesh të ashpra ndaj Rusisë etj. Gjithashtu, mbas atij agresioni, Franca dhe sidomos Gjermania po bëjnë revolucion të vërtetë në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke korrigjuar gabimet gjeopolitike tashmë të njohura. Dhe Komuniteti Politik Evropian është nismë franceze.

Një ndër thekset gjeopolitike të këtij boshti, natyrisht me dritëhijet e veta, ka qenë mbështetja e proceseve demokratike dhe integruese në Ballkanin Perëndimor nga viti 1991 e këtej, mbështetja për krijimin dhe forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës, zgjerimi i BE-së deri te çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Shkupin, statusi kandidat për Bosnjën, vendimi për liberalizimin e vizave me Kosovën, etj. Për të ardhur te Procesi i Berlinit, i cili këtë pranverë do të mbajë Samitin e tij në Tiranë, një “kunj” dhe sfidë diplomatike ndaj sajesës gjysmake tejet të dyshimtë dhe të panevojshme “Ballkan i Hapur”.

Së fundi, flitet e shkruhet shumë për nevojën e ”kopjimit” të modelit franko-gjerman në rajonin tonë dhe sidomos për pajtimin midis Serbisë dhe Kosovës. Mirëpo, siç e kemi përmendur dhe më parë, ajo çka mund të shfrytëzohet në këtë rast është kryesisht fryma, vullneti politik dhe mekanizmat e Traktatit të Elizesë. Gjithçka tjetër do të ishte thjesht “dëshirë e mirë”. Kjo për shkak të dallimeve dhe veçorive të lartpërmendura, të cilat mesa duket do të mungojnë gjatë në Ballkan; kështu, këto dhe të tjera cilësi franko-gjermane as që mund të mendohen në rastin e Serbisë, ndonëse Perëndimi vazhdon me naivitet politik “ta mbajë me hatër dhe me të mirë”. Franca dhe Gjermania i realizuan arritjet e tyre monumentale në 14 vjet, ndërsa Serbia, dhe tani, 15 vjet pas pavarësimit të Kosovës, nuk po bën asnjë distancim nga e kaluara dhe nuk po jep asnjë shenjë afrimi ndaj Kosovës; ndërsa në vend të njohjes, vazhdon me avazin e çnjohjeve! Tani po “i bën naze” e po i “hedh vickëla” dhe projektit franko-gjerman në tryezë! Të tjerat janë “pesë me hiç” ose ”fjalë të mira dhe gurë në trastë”.