Bëje ose lëviz!
Bëje ose lëviz!
09.08.2022 | 06:53
MAJLINDA BREGASI

Non scholae sed vita discimus, lëshoi thirrjen Seneca për qëllimin e shkollës. Nuk mësojmë për qëllim të shkollës, për të kaluar provimet, për të publikuar artikuj që nuk do ndikojnë asnjëherë te shoqëria, për t’u bërë mësues si ata që na kanë mësuar se vetëm nxënësi i bankës së parë që sillet si papagall është vlerë, vetëm nxënësi që pastron tabelën pas mësuesit e kalon më lehtë vitin, vetëm ai që spiunon bukur shpërblehet e të tjera si këto.

Vetëm këto janë mësimet që shkolla nuk do duhej t’i jepte. Vetëm ky nuk ishte qëllimi i shkollës. Ishte antiqëllimi.

Pozita të korrupton, ky është gati ligj i natyrës njerëzore së cilit askush nuk i shpëton, qoftë në forma të lehta apo të pavetëdishme. Pozita të korrupton, mos e harroni. Mësuesi në klasë është pozitë që çdo ditë korruptohet në forma të ndryshme, nëse nuk e vë trurin në punë e të kthehet te mesazhi gjenial i Senekës. Qëllimi i shkollës është të përgatisë njerëz të denjë për shoqërinë. Asgjë nuk është e mirë, nëse nuk është e denjë, asgjë nuk është e keqe, nëse nuk është e turpshme, thoshte Ciceroni (Nihil bonum, nisi quod honestum, nihil malum, nisi quod turpe).

Inercia e rutinës dhe problemet e mëdha që secili prej nesh kemi na shtyn që shumicën e punëve ta bëjmë sipas skemave që kemi stabilizuar në mendje. Ta bëj më të thjeshtë, askush nga ne nuk mendon se kur ka etje, duhet të ngrihet nga vendi ku është ulur, të hapë frigoriferin, të nxjerrë që aty shishen me ujë, të mbyllë derën e frigoriferit, të marrë një gotë të pastër, ta mbushë, të vendosë shishen në tavolinë, të afrojë gotën te buzët e të pijë.

Duke u munduar ta bëja të thjeshtë, e zgjata, e di, por kjo për të ilustruar se kur ke etje, mjafton të pish ujë, është një skemë që truri ynë e ka stabilizuar e ne as që i mendojmë hapat që bëjmë. Kështu jemi secili në shumicën absolute të gjërave që bëjmë. Kemi ngritur skema brenda të cilave jeta jonë është më e thjeshtë, por brenda asaj thjeshtësie shpesh bëjmë hapa të padobishëm, nëse jo të dëmshëm.

Shkolla, arsimi, luan rolin kryesor në edukimin e një shoqërie, por kjo vetëm në letër. Shkolla as që mërzitet për edukim, shkolla mërzitet vetëm për currikula, mungesa, teste, pikë, nota, gara, medalje. Nëse ti nxënës i bankës së fundit, që ulesh aty për t’u mbrojtur nga gjithë ajo konkurencë e padenjë për ty, nuk i arrin ato nivele frustrimi, ti nuk je më vlerë. Ti je peshë për mësuesin, për shkollën, për familjen.

Ty askush në shkollë nuk të mësoi se nëse nuk je i aftë në matematikë, punë e madhe fort, je i aftë në letërsi. Nëse nuk je i aftë në letërsi, je i aftë në administratë, nëse as aty nuk e gjen veten, sigurisht do bëhesh yll kinemaje.

Secili fëmijë është një yll, por që jo të gjithë kanë aftësi ta shikojnë. Ky do duhej të ishte qëllimi i shkollës e nëse po kërkoj shumë, ta fillojmë nga mësimi i parë, të qenit mirë me veten, të punuarit për ta dashur veten, për ta kuptuar se të gjithë jemi të ndryshëm dhe pikërisht aty është bukuria e jetës. Nuk jemi njësoj, edhe pse shkolla punon pambarimisht për të na nxjerrë të tillë. Nuk jemi njësoj e shkolla, institucioni që ka mbetur më primitivi në gjithë këtë zhvillim marramendës, duhet të shkundet një herë e mirë nga antivlerat.

Shkolla jonë ka dështuar që në momentin kur asnjë veprim ligjor nuk ndërmerr ndaj plagjiatorëve e me ta i kemi stërmbushur universitetet, u kemi dhënë tituj, poste, rroga të majme, nderime … Kjo shkolla jonë na mëson përditë si legjitimohet vjedhja, puthadorja, fshirja e tabelës sapo profesori të ulet në katedër. Na mëson si të bëhemi spiuna të aftë e t’i shushurisim te veshi të madhit. Pozita korrupton dhe kjo nuk është e denjë.

Është lehtë për të folur, por vështirë për ta bërë, do thoshin ata që e kanë marrë detyrën ta nxjerrin arsimin në dritë. Është lehtë për t’u ankuar, por vështirë për të punuar, do ishte përgjigja e një qytetari që te shkolla shikon si shpikjen më gjeniale të njeriut, ku dija transmetohet brez pas brezi duke u pasuruar çdo herë, duke u transformuar krahas shoqërisë e duke qenë gjithmonë në shërbim të zhvillimit të saj e jo si qëllim më vete, jo si notë në indeks, si fletëlavdërimi, si një numër më shumë në Scopus që askujt nuk do t’i hyjë në punë. Por si njeri i denjë!

Bëje ose vdis! Ushtoi vox clamantis nga shpirti i Ukshin Hotit për ta hijeshuar Republikën. Bëje ose lëviz! Do thoshim sot kur nuk ka më kohë për të ruajtur komoditetin. Nuk ka kohë për retorika ‘do ta bëjmë’. Bëje! Bota ka lëviz. /n’zë/