Qeveria e Kosovës: S’është shkelur Kushtetuta me emërimin e Rashiqit ministër, është kompetencë e plotë e Kryeministrit
Qeveria e Kosovës: S’është shkelur Kushtetuta me emërimin e Rashiqit ministër, është kompetencë e plotë e Kryeministrit
02.12.2022 | 09:50
“Kushtetuta e vendit i jep kompetencë të plotë Kryeministrit [Albin] Kurti që të bëjë ndryshime në kabinetit qeverisës pa pëlqimin apo aprovimin e Kuvendit. Duke e njohur si shef të pakontestuar të Qeverisë, kushtetuta i jep autoritetin Kryeministrit që të ndërrojë një ministër pa pëlqim të Kuvendit, me qëllim sigurimin e zbatimit të politikave të tij nga kabineti qeveritar. Procedura e përzgjedhjes së ministrave që vijnë nga komunitetet përmes aprovimit të tyre në Kuvend edhe nga deputetët e komuniteteve jo shumicë, sipas nenit 96, është respektuar gjatë votimit të Qeverisë Kurti 2”. Kështu është përgjigjur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, pyetur rreth vlerësimeve se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën me emërimin e Nenad Rashiq Ministër për Komunite dhe Kthim.

“Pas situatës së shkaktuar me dorëheqjen z. [Goran] Rakiq, neni 96 interpretohet në dritë të nenit 94 paragrafit 4 mbi kompetencat e Kryeministrit”, tha Kryeziu.

Emërimi i Nenad Rashiq zgjoi edhe reagimin e Presidentit të Serbisë, i cili në një shpërthim nervash i tha televizionit serb “Pink TV” se ky emërim është “absolutisht i dënueshëm”, derisa Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i dha edhe cilësime të rënda si “llum terrorist”.

“Emërimi i Rashiqit, një njeri që ka marrë më pak se një për qind të votave, si dhe Rada Trajkoviçin, që ka qenë në listën e tij, dëshmon se këta duan përndjekje, dëbim dhe zhdukjen e serbëve nga Kosova. Llumi terrorist [Albin Kurti] do të duhej të kishte marrë dënimin e merituar nga Bashkimi Evropian. Por, sigurisht që nuk e ka marrë…jo vetëm që u shkelën normat e Marrëveshjes së Brukselit, e drejta publike ndërkombëtare dhe të gjitha normat ndërkombëtare”, ka thënë Aleksandar Vuçiq, shkruan  Reporteri.

Rashiq, në anën tjetër, e mirëpriti emërimin e tij dhe shtoi se ka bashkëpunim të mirë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Nuk është për t’u befasuar shumë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më emëroi mua si Ministër për Komunitete dhe Kthim, sepse para tri vitesh kam qenë Drejtor i Zyrës për Komunitete. Unë kam përvojë në bashkëpunim me Kryeministrin Kurti dhe pres mbështetjen e tij në punën e ardhshme time. Emërimi im vjen si pasojë e veprimeve të Listës Serbe dhe ish-Ministrit Goran Rakiq për t’u larguar nga institucionet. Detyra ime do të jetë që të jem ministër më i mirë se paraardhësi im, dhe kjo mbase s’do të jetë shumë e vështirë”, ka thënë Nenad Rashiq për të përditshmen serbe “Danas”, 

Lista Serbe e ka kundërshtuar emërimin e Nenad Rashiq për Ministër për Komunitete dhe Kthim teksa ka thënë se do ta dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Lista Serbe, njëjtë si i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, pretendojnë se “Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës”, sipas të cilës, siç pretendojnë ata, “për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet të jetë pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë [në Kuvend]”.

“Kjo tregoi se sa me rëndësi strategjike ishte verifikimi i mandateve të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Prishtinës, dhe mos lejimi i disa serbëve të Kurtit që të vendosin për interesat e popullit serb në vend të Listës Serbe“, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, hodhi vrer ndaj Nenad Rashiq, dhe politikanes liberale Rada Trajoviç, teksa tha se serbët e Kosovës nuk i kanë votuar ato.

“Këtë e tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, ku lista e Rashiqit mori 0.173 për qind të votave, ndryshe nga Lista Serbe e cila fitoi gati se 96 për qind”, ka shkruar Petkoviq.

“Edhe akti më i lartë ligjor i Kosovës në nenin 96, paragrafin 5, parasheh që zgjedhja e një ministri serb duhet të ketë mbështetjen e deputetëve të komunitetit serb, në këtë rast Listën Serbe, dhe këtë mbështetje Kurti kurrë s’do ta kishte marrë nga deputetët e Listës Serbe”, ka vazhduar më tej ai.

Ndërkaq edhe ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka vlerësuar si shkelje kushtetuese emërimin e Rashiqit.