Lista Serbe dhe 13 parti tjera e njoftojnë KQZ-në se nuk marrin pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit
Lista Serbe dhe 13 parti tjera e njoftojnë KQZ-në se nuk marrin pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit
24.11.2022 | 14:31
Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është thënë se Lista Serbe dhe 13 parti tjera politike kanë njoftuar zyrtarisht se nuk marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Lista e partive që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje:

Srpska Lista
Demokratska Stanka Vatan
Fjala
Social Demokratska Unija
Kosovaki Nevi Romani Partija
Partia Rome e Bashkuar e Kosovës
Demokratska Stranka Bosnjaka
Iniciativa Balli
Partia Demokratike e Unitetit
Forca e Diasporës
Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës
Kosova Demokratik Türk Partisi
Lëvizja për Bashkeveprim
Partia e Drejtësisë
Deri më tash, kërkesën për certifikim në KQZ e kanë dërguar tre kandidatë për kryetarë të komunave – dy për Mitrovicë të Veriut dhe një për Leposaviq.

Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës të hënën ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit. Ai tha se do të kandidojë për të parin e Leposaviqit.


“Nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare nga Qeveria e Serbisë dhe Zyra për Kosovë e M. se pse serbët nuk duhet të kandidojnë për këtë post dhe nëse Serbia është tërhequr nga Marrëveshja e Brukselit, pra nga pjesa që flet për pjesëmarrje në zgjedhje. Së dyti, vendimi i Listës Serbe që të mos kandidojë dhe të largohet nga institucionet e Kosovës, është ekzkluzivisht vendim politik i një partie, që është kundërshtare jonë politike dhe nuk mund ta respektojmë vendimin e tyre, as ata nuk mund të vendosin në emër tonë. Ne prisnim një sinjal nga Beogradi, por nuk kishte. Gjëja e tretë e rëndësishme është se nuk duam t’i lejojmë shqiptarët të marrin pushtetin në Leposaviq, ku ne e kemi pikën më të fortë”, tha Jabllanoviq për Zërin e Amerikës.

Për Zubin Potok dhe Zveçan ende nuk ka asnjë kandidat.