Kurti për vendimet e fundit në raport me Serbinë: Lajçak e ka ditur
Kurti për vendimet e fundit në raport me Serbinë: Lajçak e ka ditur
01.07.2022 | 14:26
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se dikush në Bruksel mund të jetë trembur pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se mund të tërhiqen nga dialogu mes dy vendeve.

Gjithashtu, kryeministri foli edhe për komentet e të dërguarit special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, që shprehu se situata tashmë ka ndryshuar pas vendimit qeveritar për reciprocitet për letërnjoftime dhe për afatin për regjistrimin e veturave me targa të vjetra.

“Edhe Lajcak ka qenë vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona. Unë e di qe ekziston një plan për takime edhe të kryenegociatorëve ndoshta edhe më shumë se aq, vetëm ta shohim se si dhe sa do të mund të përgatiten në Bruksel. Jemi të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, të qëndrueshme dhe njohje reciproke në qendër. Por problemi mbase qëndron tek paralajmërimet nga Beogradi se ata mund te dalin nga dialogu. Mendoj se po bëjnë gabim dhe kjo mund ta ketë trembur pak dikë në Bruksel”, tha ai.


Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se vendimi i i Qeverisë së Kosovës, ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij.

Lajçak ka bërë thirrje që të mos tensionohet situata dhe të punohet drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Unë erdha në rajon për t’u përgatitur për takimin e radhës të liderëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, tani duhet ta zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë që të ndodhë ndonjë krizë”, tha ai.