Kurti mohon se me deklaratat e tij për luftë po tremb investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë
Kurti mohon se me deklaratat e tij për luftë po tremb investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë
11.08.2022 | 08:17
Deklaratën për rritje të tensioneve me Serbinë që mund të çojë në një luftë të mundshme, të cilën e bëri në një intervistë për “La Repubblica,” kryeministri Kurti e ka ripërsëritur edhe dje në një intervistë për mediumin “Reuters”.

Nga partitë opozitare, Kurti është kritikuar se me retorikën e tij për luftë në Kosovë mund të çojnë në largimin e investitorëve të huaj, 

Ka qenë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ai që e ka pyetur Kurtin se cila kompani e huaj dëshiron të vijë të investojë në një shtet ku kryeministri i tij flet për luftë.


“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimettek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!

Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”, ka shkruar Abdixhiku.

I pyetur nga Reuters se a po i frikëson investitorët duke folur hapur për një konflikt të ri të mundshëm me Beogradin, Kurti ka mohuar se diçka e tillë mund të ndodhë.

Në këtë intervistë, Kurti ka akuzuar Rusinë për siç ka thënë ai një rol në nxitjen e tensioneve të reja etnike në Kosovë.

“Presidenti despotik (rus) (Vladimir) Putin është një njeri i luftës dhe ai do të kishte interes për të përhapur luftën, sepse ai dëshiron të normalizojë luftën,” tha Kurti.


Ndër të tjera, Kurti tha se Kosova është e përgatitur të përballojë një sulm të mundshëm nga Serbia.

“Nuk duhet ta neglizhojmë faktin se këto politika agresive të Beogradit, në një mënyrë apo në tjetrën, mund të shndërrohen në një sulm ndaj Kosovës. Jemi vigjilentë, por nuk kemi frikë”.

“Nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë apo javën e ardhshme, mirëpo do të ishte plotësisht e papërgjegjshme nga ana jonë që ta përjashtojmë mundësinë për rritje të tensioneve dhe konfliktit”, është shprehur Kurti në intervistën për Reuters.