Konjufca takon Presidentin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, bisedojnë për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Konjufca takon Presidentin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, bisedojnë për anëtarësimin e Kosovës në KiE
24.01.2023 | 21:28
Kryekuvendari Glauk Konjufca, i shoqëruar nga delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) ka zhvilluar të martën disa takime me drejtues të lartë të APKE-së, të grupeve politike e të komiteteve.

Ndër të tjera, Konjufca ka zhvilluar takime me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tiny Kox dhe Sekretaren e Përgjithshme, Despina Chatzivassiliou.

Në këto takime, Konjufca ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si dhe për tema me interes për thellimin e bashkëpunimit me KiE, njofton drejtoria për për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës,


“Në këto takime u diskutua për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, rëndësinë dhe mbështetjen e nevojshme, për të siguruar që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, progresin në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, gjë që dëshmohet nga raporte ndërkombëtare, si dhe tema të tjera me interes për thellimin e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.

“Gjatë takimeve, u kuptua rëndësia dhe domosdoshmëria e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përderisa kryetari Konjufca kërkoi mbështetje në këtë process”, thuhet tutje.

Përfaqësues të Kuvendit të Kosovës po qëndrojnë në Strasburg të Francës në kuadër të punimeve të seancës vjeshtore të APKE-së.

Konjufca edhe të mërkurën do të zhvillojë takime të tjera me pjesëmarrësit në Asamble.
Kujtojmë se Kosova në maj të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës. Dorëzimin e aplikimit e kishte bërë kryediplomatja Donika Gërvalla.