Hill: Të jeni të sigurtë se pa u zgjidhur Asociacioni s’ka marrëveshje tjera, Kurti e kupton që kjo është prioriteti absolut i tij
Hill: Të jeni të sigurtë se pa u zgjidhur Asociacioni s’ka marrëveshje tjera, Kurti e kupton që kjo është prioriteti absolut i tij
02.12.2022 | 11:17
“Asociacioni është detyrë e vështirë për Kosovën, por falë punës së madhe të Bashkimit Evropian, Albin Kurti e ka kuptuar që çështja e të ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut dhe duhet të zgjidhet në secilin proces normalzimi”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill në një intervistë dhënë për median serbe “Tv Insider”.

Duke komentuar mbi pohimin e kryeministrit Kurti se dialogu me Beogradin nuk është në mesin e 3 prioriteteve të tij, Hill tha se “Kurti mund t’ju thotë ç’të dojë mediave”, por shtoi se “të bësh deklarata nuk nënkupton të bërit politikë”.

“Atij do t’i duhet të flasë me negociatorët në BE, dhe amerikan dhe evropianët i kanë thënë atij se duhet ta zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëbve. Të jeni të sigurtë se nuk do të ketë marrëveshje tjera pa e zgjidhur këtë”.

Hill e përsëriti se edhe BE edhe ShBA “i kanë kërkuar Kurtit” që ta zgjidh çështjen e të drejtave kolektive të serbëve.

“Po të më pyesni mua se a duan amerikanët që Kosova dhe Serbia ta njohin njëra tjetrën – sigurisht se po. Por, duhet të jemi të sinqertë dhe të qartë, shumë gjëra duhet të zgjidhen para se të arrijmë në atë pikënisje me qasje më të normalizuar, sepse palët për momentin mezi pajtohen për targa”, ka thënë ai.

Pyetur “nëse i kupton” marrëdhëniet strategjike të Serbisë me Rusinë duke e pasur ndërmend veton ruse ndaj Kosovës, ambasdori amerikan tha se “nuk mund të thuhet që Rusia luan rol pozitiv në lidhje me Kosovën”.

“Ju duhet ta dini se qeveria ime është e interesuar të bashkëpunojë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me BE-në, të shohim a mund të bëjmë progres. Po të mos kishte qenë e vështirë, këtë çështje do ta kishim zgjidhur që moti”, ka thënë ambasadori.