Hekuran Murati paralajmëron përkeqësim të situatës me energji elektrike: Na pret një dimër i vështirë
Hekuran Murati paralajmëron përkeqësim të situatës me energji elektrike: Na pret një dimër i vështirë
30.09.2022 | 14:15
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së komisionit hetimor për krizën e energjisë, ka paralajmëruar përkeqësim të situatës me energji elektrike.

Murati ka thënë se Kosova është vendi me tarifat më të lira për energji elektrike në rajon, por megjithatë ka thënë se situata në muajt e dimrit është e paparashikueshme, 

“Kemi fatin që po e kalojmë më së lehti dhe më së liri këtë krizë. Jemi vendi me tarifat më të lira në rajon. Kjo mund të shihet.


“Marrë parasysh nivelin e tarifave të energjisë elektrike që po shohim në bursën ndërkombëtare dhe krizën e dimrin e vështirë që na pret konsideroj që mund edhe të ketë përkeqësim të situatës, meqenëse qysh në muajin gusht kemi pasur nivele të çmimit prej 500 euro për megavat orë. Ne vitin e kaluar në dhjetor kur e kemi pasë 500 euro për megavat orë ka qenë shokuese diçka e paimagjinueshme. Tash e kemi në muajin gusht e shtator, mund ta imagjinojmë çka mund të ndodhë në gusht e janar. Është një situatë tejet e paparashikueshme”, u shpreh Murati.

“Dimër të vështirë”, për qytetarët e Republikës së Kosovës ka paralajmëruar dje edhe Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

Rizvanolli madje u ka bërë një kërkesë të çuditshme kosovarëve para se dimri të arrijë. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të “izolojnë shtëpitë e tyre përpara se të vijë dimri”.