Gjukanoviq flet për dallimet me Abazoviqin rreth Ballkanit të Hapur: I di qëndrimet e tij, nuk e kam dert
Gjukanoviq flet për dallimet me Abazoviqin rreth Ballkanit të Hapur: I di qëndrimet e tij, nuk e kam dert
17.05.2022 | 20:37
Pas deklaratave pro nismës së Ballkanit të Hapur nga kryeministri i ri i Malit të Zi Dritan Abazoviq është deklaruar presidenti Milo Gjukanoviq pas një takimi me presidentin e Gjermanisë Frank Walter Steinemier.

Gjukanoviq, që është kundër kësaj iniciative, ka thënë se është i njoftuar me qëndrimet e Abazoviqit, por se kjo gjë s’e shqetëson.

“Ne kemi qëndrime të ndryshme për këtë iniciativë. Unë kam dëgjuar shumë herë prej tij se si pjesë e mbështetjes së tij për të gjitha nismat rajonale, ai gjithashtu e mbështet edhe këtë. Po ashtu, disa herë e kam deklaruar publikisht se nuk mendoj se kjo është një iniciativë optimale”, tha Gjukanoviq.
Gjukanoviq tha se këtë iniciativë e sheh si një lloj kopje të Procesit të Berlinit, por se dallimi është dukshëm më i madh në favor të Procesit të Berlinit.


“Procesi i Berlinit bashkon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ballkani i Hapur bashkon vetëm tri vende. Procesi i Berlinit bazohet në standardet europiane dhe është plotësues me procesin e anëtarësimit. Pra, gjithçka që bëjmë përmes Procesit të Berlinit “Open Balkan” nuk insiston në standardet europiane dhe në njëfarë mënyre, më duket se kjo është një nismë e përgatitur që do të ishte një lloj alternativë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Nuk mendoj se kemi nevojë për një alternativë, ne kemi nevojë për anëtarësim”, tha Gjukanoviq.

Ai shtoi se është e natyrshme që Mali i Zi të vazhdojë me shpejtësi procesin e negociatave me BE-në dhe tha se beson që qeveria e re mund ta bëjë zhbllokimin e këtij procesi në fushën e sundimit të ligjit.

Abazoviq para disa dite tha se Ballkani i Hapur është bërë për gjashtë shtete dhe jo tri sa janë aktualisht, duke shtuar se më së shumti përfiton Kosova nga kjo nismë, por sa i përket pjesëmarrjes së vendit të tij aty, ai nuk ka folur krejtësisht qartë.