Anëtarësimi i PDK-së në organizatën europiane LIBSEEN, largohet partia e ish-kryeministrit serb
Anëtarësimi i PDK-së në organizatën europiane LIBSEEN, largohet partia e ish-kryeministrit serb
17.05.2022 | 20:39
Partia serbe, “Nova Stranka” ka vendosur të largohet nga Organizata e Partive Liberale të Europës Juglindore (LIBSEEN). për shkak të pranimit të Partisë Demokratike të Kosovës në këtë rrjet të partive liberale.

Kjo parti e themeluar prej ish-kryeministrit serb Zoran Zhivkoviq i ka përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si arsye për të dalë nga organizata europiane e partive liberale. Ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, kjo parti i quan “kriminelë”.

“Ne nuk ndajmë të njëjtat vlera civilizuese që janë në thelb të ideologjisë liberale. Ne besojmë se anëtari më i ri i LIBSEEN nuk ka përjetuar një katarsis të plotë dhe distancim nga themeluesve të saj, të cilët akuzohen për krime të rënda lufte dhe krime kundër njerëzimit”, thuhet në deklaratën e kësaj partie, që është edhe pjesë e parlamentit serb, shkruan Nova.rs.


Para tri ditësh, Partia Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht është bërë pjesë e Organizatës së Partive Liberale të Evropës Juglindore (LIBSEEN).

“Anëtarësimi i Partisë Demokratike të Kosovës në LIBSEEN ofron një platformë të re në vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe avancimin edhe të mëtutjeshëm të bashkëpunimit rajonal. Në të njëjtën kohë, edhe ky hap për PDK-në është në vazhdën e reformave rrënjësore që Partia Demokratike e Kosovës po zhvillon drejt avancimit të demokracisë dhe fuqizimit të vlerave evropiane në Kosovë dhe Rajon. Anëtarësimi i PDK-së në LIBSEEN ka ardhur si rezultat i vendimmarrjes së Këshillit Drejtues ku është vendosur që PDK të anëtarësohet në të gjitha organizatat e partive liberale”, u tha në një komunikatë të PDK-së.