Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi: Kërkohet guxim
Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi: Kërkohet guxim
17.05.2022 | 20:41
Ambasadori zviceran në vendin tonë, Thomas Kolly, shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Derbisë të ketë një “përfundim të mirë”. Në një deklaratë për KosovaPress, ai tha se për të arritur deri të një përfundim i mirë kërkohet guxim dhe ambicie.

Kolly tha se Zvicra është duke kontribuar maksimalisht që të gjendet një ujdi në dialog me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.

“Sigurisht, ne kemi shumë shpresë se dialogu do të çojë në një rezultat pozitiv. Zvicra në kuadrin e përpjekjeve të BE-së, që BE-ja po i zhvillon, ne gjithashtu po ofrojmë ndihmën tonë. Ne jemi në kontakt të ngushtë me qeverinë këtu në Prishtinë, siç jemi edhe në kontakt të ngushtë me qeverinë e Beogradit, dhe sigurisht, shpresojmë që më në fund ky dialog të ketë një përfundim të mirë” theksoi Kolly.


I pyetur nëse mund të ketë një marrëveshje përfundimtare mes të dy vendeve brenda këtij viti, ambasadori Kolly u shpreh se ka shpresë por kërkohet guxim dhe ambicie.

“Siç më tha një miku im i mirë, le të jemi të guximshëm. Pra, le të jemi ambicioz dhe të guximshëm. Pra, shpresojmë që po (të ketë një marrëveshje finale brenda vitit), ta përfundojmë dialogun në kushte shumë të mira” tha Kolly.

Thomas Kolly është ambasador i një vendi mik të Kosovës dhe i cili kontribuon në vazhdimësi në fusha të ndryshme.

Zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim Ruth Huber, foli për investimet e Zvicrës gjatë 20 viteve të fundit në Kosovë.

Sipas Huber, Zvicra deri më tani ka investuar mbi 400 milionë euro në Kosovë në fusha të ndryshme zhvillimore përmes dy agjencive zvicerane duke përfshirë rritjen e vendeve të punës, përmirësimin e qasjes në ujë dhe duke forcuar sistemin shëndetësor.