22 vjet nga masakra në Likoshan e Çiraz, politikanët bëjnë homazhe
22 vjet nga masakra në Likoshan e Çiraz, politikanët bëjnë homazhe
28.02.2021 | 23:17
Nderohen të rënët në masakrën e Likoshanit dhe Çirezit, 23 vjet më parë u vranë 24 civilë të pafajshëm

Brenda këtyre arkivoleve, mbështjellë me flamurin kuq e zi, ishin 24 civilë të pafajshëm.

Mërzia kaploi Likoshanin e Çirezin, kur ata u vranë e u masakruan pikërisht 23 vjet më parë.

Gra, djem të rinj të paarmatosur e pleq, do ishin cak i policisë serbe, për t`u hakmarrë pas përleshjes me një nga njesitet e UCK-së.

Qindra njerëz iu dhanë lamtumirën e fundit duke shpresuar që tmerri të mbarojë.

Në fakt, këtu do niste gjithcka dhe kjo masakër e pamëshirshme ishte vetëm fillimi i asaj që serbët kishin planifikuar mbi popullatën civile.

Me këtë akt policia dhe ushtria serbe filluan aktet e vrasjeve, masakrave, gjenocidit, djegies dhe spastrimit etnik për dy vite me radhë.

Aty ku nisi lavdia, tash 23 vjet pas, për nderime ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Osmani tha se po nderkojnë sakrificën dhe gjithë atë kontribut që kanë dhënë ata që bënë luftën frontale kundër forcave gjenocidiale serbe, por edhe të gjithë të rënët e martirët.
“Është moment që ne sërish duhet ta ringrisim zërin tonë për drejtësi sepse vetëm duke kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e shtetit gjencidial, pra viktimat e shtetit serb, sepse vetëm duke kërkuar drejtësi dhe vetëm duke kujtuar gjithë këtë sakrificë e cila na solli në këtë ditë, ne mund ta ndërtojmë shtetin tonë ashtu si duhet dhe ashtu si e ëndërruan të gjithë ata që ranë për të“

Kjo kujtesë historike dhe institucionale, sipas saj, u ndihmon mbi të gjitha që ta kujtojnë çmimin e lartë të lirisë që populli i Kosovës e pagoi.




Kurse, Albin Kurti tha se ky vend shënon qëndresën dhe sakrificën por në anën tjetër edhe krimin shtetëror të Serbisë.


Bashkë me Osmanin dhe Kurtin, homazhe kanë bërë edhe kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci dhe ai i Skenderajt, Bekim Jashari.
Homazhe në kompleksin e varrezave dëshmoreve në Qirez, ka bërë edhe kryetari i degës së PDK-së, në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Ai 28 shkurti i vitit 1998, ishte ditë e rënd për Drenicën dhe gjithë Kosovën, pasi u vranë e u masakruan dhjetëra persona por tha që ata që po udhëheqin me vendin kanë harruar se çka ka ndodhur në këtë vend.

Në rrethimin e fshatrave, armiku kishte përdorur artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke.

Qysh në ditën e parë të luftimeve vetëm në familjen Ahmeti ishin vrarë 11 persona.