“Jo 20 euro, po 1 euro i llogaritim ku me e pi një kafe”, të moshuarit të pakënaqur me ndryshimet në shtesat pensionale
“Jo 20 euro, po 1 euro i llogaritim ku me e pi një kafe”, të moshuarit të pakënaqur me ndryshimet në shtesat pensionale
22.04.2021 | 20:41
Me vendim të Ministrisë së Financave janë ndërprerë shtesat që merrnin pensionistët, tani ata do të marrin 20 euro më pak.

Është vendi ku vijnë për të kaluar kohën e për të biseduar me njëri tjetrin.

Por duket se të moshuarit temë kryesore të bisedës mes tyre gjatë së enjtes e kishin heqjen e shtesave prej 30 eurosh nga pensionet që merrnin për tre muajt e fundit.

Enver Hoti i cili është pensionist tash e tri vite, nuk e gjen aspak të arsyeshëm vendimin e Qeverisë.

Hoti pos kësaj shton se ai dhe të gjithë miqtë e tij marrin terapi për sëmundje të ndryshme, për këtë arsye heqja e shtesave do të ua vështirësojë edhe blerjen e tyre.

E njëjtë si Hoti mendojnë edhe pensionistët tjerë.


Shumica prej tyre i revoltohen këtij vendimi.


Mirëpo në kohën kur një vendim i tillë hyri në fuqi, nga vetë Qeveria Hoti u paralajmërua se ai do të vlejë vetëm për tre muaj.


Kështu, Qeveria Kurti në mbledhjen e së mërkurës mori vendim për ndërprerje të ktyre shtesave.

Në vend të kësaj, u vendos që pensionistët të marrin 10 euro shtesa, e që vlera totale e pagesës mujore nuk është më 120 euro, por 100.

Këtë e sqaroi vetë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Mirëpo edhe përkundër kësaj Qeveria Kurti mori kritika të ashpra në lidhje me këtë çështje.


Në një konferencë për media anëtarët e AAK-së e cilësuan këtë vendim si skandaloz dhe kërkuan anulimin e vendimit.


E kritika të ashpra u bënë edhe në rrjete sociale.

Ndërkohë nga Ministria e Financave ka paraparë që për pensionistët që marrin shumë nën 100 të aplikohet një shtesë që shuma totale të jetë 100 euro.