Naim Frashëri
Naim Frashëri
17.12.2016 | 11:36
Jeta e Naim Frashërit

Naim Frashëri u lind në vitin 1846 në Frashër. Në vendlindje mori mësimet e para dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea" (1869).
Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë më të mirë. Në fillim ishte nëpunës në Berat e më pas punoi si doganier në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat" (Ëndërrimet, 1885).
Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë ishte "Shqipëria" (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës "Drita", më pas "Dituria" (1884-1885), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa përkthime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar.
Naim Frashëri vdiq në vitin 1900.

Krijimtaria

Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme "Bagëti e bujqësi"(1886), atë greqisht "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve" (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: "Vjersha për mësonjtoret e para", "E këndimit të çunavet këndonjëtoreja", (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një "Histori të përgjithshme". Më 1888 vijoi me "Dituritë" (ribotuar me 1895 me titullin "Gjithësia", - shkenca të natyrës). Me 1890 doli përmbledhja e lirikave "Lulet e verës", pastaj "Mësimet" (proza patriotike dhe të moralit) dhe "Fjala fluturake" (vjersha) me 1894, së fundi me 1898 u botua poema e madhe epike "Historia e Skënderbeut" dhe poema fetare "Qerbelaja" etj.
Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale: vjershat "Gjuha shqipe", "Korçës", 1887, etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut ("Bagëti e bujqësia") dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij përmes krijimeve të ndryshme, si: "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve", si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema "Bukuria", një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime. Poema "Historia e Skënderbeut", qe një kurorëzim i veprës së tij, "Testamenti i tij politik e poetik", me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkimin e dogmës fetare në "Qerbelaja" dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).
Naim Frashëri u shqua për poezi, vjersha si: "Perëndia", 1890. Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizmin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizmin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t`u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, përparimin e gruas, qeverisjen demokratike të vendit, ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare, që nga lashtësia pellazge. Bënte thirrje për miqësi me fqinjët në kushtet e respektit të ndërsjellët, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua).
Naim Frashëri përkrah Samiut e pas Kristoforidhitluajti, luajti një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori, e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe kulture.
Ndikimi i Naim Frashëri, me gjallje të shkrimtarit dhe pas vdekjes, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme, ishte i madh. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për merita kulturore në Shqipërinë jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar.

Veprat

• "Tejhyjylat" (Ëndërrimet, 1885);
• "Shqipëria" (1880, botuar më 1897);
• "Bagëti e Bujqësi", 1886;
• "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve" (O alithis pothos ton Alvanon);
• "Vjersha për mësonjtoret e para";
• "E këndimit të çunavet këndonjëtoreja", (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare);
• "Histori të përgjithshme";
• "Lulet e verës", 1890;
• "Mësimet", (proza patriotike dhe të moralit);
• "Fjala flutarake", (vjersha), 1894;
• "Historia e Skënderbeut", (poemë epike), 1898;
• "Qerbelaja" (poemë fetare);
• "Perëndia", 1890;
• "Fjalët e Qiririt" (publikuar për herë të parë në numrin e parë të revistës "Drita").

Analizë Veprash

Analizë e veprës "Bagëti e bujqësi"

Poema "Bagëti e bujqësi" u botua më 1886. Është një nga veprat më të bukura e më të frymëzuara jo vetëm të Naimit, por edhe të letërsisë së Rilindjes. Askush para Naimit nuk i kishte kënduar dashurisë e mallit për atdhe, krenarisë kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare me një frymëzim aq të zjarrtë e me një gjuhë poetike aq të ëmbël e të bukur.
Me këtë poemë, Naimi krijoi poezinë e madhe të Atdheut e të natyrës shqiptare. Kjo vepër jo vetëm që u bë e dashur për bashkatdhetarët, por krijoi një traditë të pasur edhe për poetët që erdhën më pas.
Siç e tregon edhe titulli, poema përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për punët e blegtorisë, për jetën dhe punën e bariut, kurse në pjesën e dytë për punët e bujkut. Megjithatë, kjo s`është aspak një vepër për këto fusha të jetës. Prej tyre poeti vetëm sa merr pikënisje për të shprehur ndjenjat e flakta patriotike. Në të vërtetë, vepra është një himn poetik i frymëzuar, kushtuar Atdheut, natyrës dhe njerëzve të tij.
Poema hapet me një apostrofë madhështore, e cila me një qartësi të habitshme na sjell para syve bukuritë e natyrës shqiptare, larminë dhe ngjyrat e saj, një peizazh të pafund plot dritë e gjallëri.

O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
fushat e gjera me lule q`u kam ndër mend dit `natë,
ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt` e kulluar,
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar,
do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni
o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni.

Motivi i mallit për atdhe zë fill që në këto vargje dhe e përshkon gjithë poemën. Larg vendlindjes, larg maleve dhe fushave, larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve plot zhurma jetësore, poeti ndjen një mall që e djeg nga brenda për çdo gjë shqiptare. Në atdhe gjithçka është e bukur, ndaj edhe dëshira për t’u kthyer është e papërmbajtur.
Kjo dëshirë për të fluturuar drejt Shqipërisë është shprehur me mjete poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron të ketë "vrapin e veriut… krahë pëllumbi…, nxitimin e lumit me valë". Me apostrofa plot drithërim ai i drejtohet "fluturës krahëshkruar" ose "dallëndyshes bukuroshe" që t`ia marrin zemrën e përmalluar e t`ia shpien në Shqipëri. Veçanërisht e goditur është “similituda”, e ndërtuar mbi bazën e përfytyrimeve popullore të marra nga jeta e bariut dhe e bujkut shqiptar:


Kur dëgjon zëthin e s`ëmës qysh e lë qingji kopenë
blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
e ta trembin ai s`kthehet, po shkon në mes si shigjetë.
Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek jam, mua,
vjen me vrap e me dëshirë aty, në viset e tua.

Një tjetër motiv i fuqishëm, që e bën poemën të dashur e frymëzuese edhe për ne sot, është krenaria për Shqipërinë, krenaria për emrin shqiptar. Me dashurinë dhe krenarinë e flaktë atdhetare, Naimi shprehu një nga idetë më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare. Ai synonte të ngjallte tek bashkatdhetarët ndërgjegjen kombëtare, t`i bënte të vetëdijshëm se ishin bij të një vendi me vlera të gjithanshme, të një atdheu që priste shumë prej tyre. Zëri i poetit buçet:

Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.

Ishte e para herë në letërsinë tonë që një gjë e tillë shprehej kaq bukur, me kaq zjarr e përkushtim. Në këto dy vargje Naimi mishëron një ide të madhe e të përjetshme: nderin, dinjitetin njeriut ia jep Atdheu, balta e vendlindjes, e gatuar me gjak e djersë, me historinë e me traditat, me fisnikërinë, bujarinë e gjithë vlerat e tjera morale; lumturinë, gëzimin dhe kuptimin e jetës njeriu mund ta gjejë në atdhe, në vatrën e vet, mes njerëzve të vet.
Këto vargje të pavdekshme patën një ndikim të jashtëzakonshëm tek bashkatdhetarët, aq më tepër që shumë shqiptarë, të mësuar nëpër shkolla të huaja e të verbuar nga propagandat antishqiptare, e kishin për turp të pohonin kombësinë e tyre të vërtetë. Vargjet e Naimit i prekën në zemër, ua drejtuan sytë dhe shpirtin nga Atdheu, u kujtuan detyrën si bij të tij.
Poema e Naimit është një vepër tipike romantike. Bota e pasur e ndjenjave, dëshira për t’u arratisur nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja e qytetit anadollak, krijon një gjendje emocionale të veçantë. Por romantizmi i Naimit është aktiv. Poeti nuk tërhiqet në gjirin e natyrës për të lënguar në vetmi e pikëllim. Përkundrazi duke u mrekulluar nga natyra e bukur shqiptare, nga jeta e thjeshtë dhe e ndershme në vendin e tij, nga fisnikëria e njerëzve të punës, ai ka dashur t`i nxisë shqiptarët ta duan Atdheun, të kthehen në vatrën e tyre dhe lumturinë ta gjejnë në punë .
Motivi i punës mund të themi se shtrihet në gjithë poemën, e cila është kështu një himn për punën dhe për njerëzit e punës, për bujqit dhe barinjtë. Poeti tregon në skena të bukura e plot lëvizje veprimtarinë e përditshme të bariut, të stopanit që bën bulmet, të bujkut që vë qetë përpara menatë; madje, edhe shpendët, kafshët dhe kandrat janë në punë e në lëvizje të përhershme. Në këtë himnizim të njerëzve të thjeshtë e jo të përfaqësuesve të klasave të larta parazitare, gjejmë edhe njëherë ndjenjat demokratike të Naimit.
Jetën në atdhe Naimi e ka idealizuar, duke e paraqitur me ngjyrat më të bukura e me tone idilike. Ai nuk ka dashur t`i paraqesë plagët dhe kundërshtitë e mëdha të jetës në fshatin shqiptar të asaj kohe dhe kjo bëhet me qëllim, që t`ua bëjë sa më të dashur vendlindjen shqiptarëve. Megjithatë, aty-këtu depërton edhe ndonjë hollësi që tërthorazi flet për ato plagë: varri i një udhëtari të vdekur larg shtëpisë, një plak shumë i lodhur, një lypës. Mbi të gjitha plaga e madhe e robërisë, padituria, përçarjet, nuk i shpëtojnë nga sytë. Ai i prek tërthorazi në vargjet që mbyllin poemën, kur shpreh dëshirën që Shqipëria të hyjë në rrugën e mbarësisë.

Tregomu dhe shqiptarët udhën e punës së mbarë,
bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqiptarë.
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardhë të lirisë,
udhën e vëllazërisë, vahn e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesh, paskëtaj të mbretërojë,
errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë.

Vlerat artistike të poemës janë të gjithanshme, ndaj dhe idetë e saj janë aq të prekshme. Figuracioni është aq i pasur, i larmishëm e i vetvetishëm sa të krijon një ngazëllim të papërmbajtur. Apostrofat drejtuar natyrës shqiptare, e shumë gjëra të tjera që japin larminë e saj dhe të punëve, krahasimet dhe “semilitudat” e goditura, epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë atë një nga veprat më të frymëzuara të letërsisë sonë. Duke u nisur nga jeta baritore, nga loja e qengjave rreth mëmave të tyre, Naimi krijon edhe simbole shprehëse: fjala "mëmë" përsëritet aq shpesh, sa bëhet simbol, që përgjithëson përkushtimin e poetit ndaj tokës mëmë, Shqipërisë.
Në këtë vepër Naimi përdor një shqipe të kulluar dhe, mbi të gjitha, arrit të zbulojë me forcën e talentit poetik vlerat dhe mundësitë e mëdha shprehëse të gjuhës sonë. Ai e ngriti atë në rrafshin e gjuhës së poezisë së vërtetë, që mund të shprehte ndjenja nga më të hollat. Në poemë gjejmë një leksik shumë të pasur baritor e fshatarak, thirrorë e pasthirrma plot përshtypje, gjejmë prapashtesat përkëdhelëse zvogëluese: -zë, -thë, -osh (e), që sjellin aq ngrohtësi:


Vashë bukuroshe e bariut, që vjen me llërë përveshur,
me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur…
në sythit tënd shoh gazë…,

Për tu dhënë jetë ideve e ndjenjave të zjarrta, Naimi krijoi një varg të ri në poezinë shqiptare, vargun 16-rrokësh. Vetëm ky varg i gjerë dhe i qetë mund të jepte atë pamje madhështore të natyrës shqiptare dhe ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimian.
"Bagëti e bujqësi" është poemë liriko-epike, boshtin e së cilës e formon lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave që i vlojnë në shpirt poetit. Bota romantike e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë e natyrës shqiptare e të jetës baritore e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë për kombin, në optimizmin dhe ngazëllimin për ditën e bardhë të lirisë. Poema mbetet një nga faqet më të bukura të poezisë së Rilindjes, me ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona.

Analizë e veprës "Historia e Skënderbeut"

Poema epike "Historia e Skënderbeut" u botua më 1898, dy vjet para vdekjes së Naimit. Kjo vepër e fundit që botoi ai, mbeti si testamenti i tij, sepse në të përmblodhi dhe shprehu me frymëzim të fuqishëm idealet për lirinë e Shqipërisë dhe për futjen e saj në rrugën e përparimit.

Vepra doli në një çast historik tepër të mprehtë: Perandoria Osmane po shkonte drejt fundit të saj dhe rreziku i copëtimit të vendit tonë nga shtetet shoviniste ishte shumë i madh. Kërkohej më shumë se kurrë që ndërgjegjja kombëtare të forcohej dhe, veç kësaj, te shqiptarët të krijohej mendësia se ishte e drejta e tyre të jetonin të lirë si komb më vete në trojet e lashta stërgjyshore. Vepra e Naimit bënte thirrje dhe nxiste shqiptarët t`i dilnin zot vendit të tyre në këto kushte, duke kryer me nder detyrën atdhetare.

Breza të tërë patriotësh kishin ëndërruar të kishin një vepër për heroin kombëtar, Skënderbeun. Këtë dëshirë e realizoi Naimi me poemën e vet madhore, e cila lëshoi hapur e me forcë kushtrimin për të rrokur armët, për të shkundur zgjedhën turke e për ta mbrojtur atdheun nga çdo rrezik. Ajo tingëlloi si kushtrim i bashkimit të shqiptarëve rreth flamurit të Skënderbeut.

Vepra "Historia e Skënderbeut" është një poemë epike e përbërë nga 22 këngë. Ngjarjet ndjekin rendin kohor: fillojnë me dërgimin e djemve të Gjon Kastriotit peng të sulltanit dhe mbarojnë me vdekjen e Skënderbeut dhe pasojat e rënda që ndoqën . Në përgjithësi vepra i përmbahet historisë, ndonëse ka personazhe të krijuara prej poetit.

Në qendër të poemës është figura e Skënderbeut. Këtë figurë Naimi e ka vizatuar në përputhje me idealin e tij romantik, në dritën e idealeve të humanizmit evropian e në frymën e Rilindjes. Pra e idealizon figurën e heroit tonë.

Për Naimin Skënderbeu është personifikim i të gjitha vlerave: i trimërisë, i urtësisë, i bukurisë fizike e morale:



Ishte mbret i bukurisë,

si dielli epte dritë…,

… kish të gjitha mirësitë

dhe të tërë urtësinë,

njerëzin` e dituritë

dhe fuqin` e trimërinë.

Naimi e paraqet Skënderbeun me tiparet e një heroi legjendar, të luftëtarit kreshnik dhe të atdhetarit të flaktë, që mbi gjithçka vë atdheun, edhe mbi interesin e tij.

Në poemë e gjejmë Skënderbeun një udhëheqës me aftësi të rralla, që diti të bashkonte të gjithë shqiptarët rreth idealit të madh të lirisë. Ai është organizator dhe strateg i madh në luftë, po aq sa është edhe luftëtar që bie "si rrufe" mbi armiqtë dhe i shpartallon. Si prijës i urtë popullor ai është simbol i lirisë, i traditave heroike të popullit, i idealeve shoqërore e demokratike që i kishte vetë poeti. Skënderbeu paraqitet me një botë tepër humane. Është i dashur e i thjeshtë me njerëzit, ka një mall përvëlues për atdheun kur jeton larg tij, qan me lot të hidhur kur merr vesh vdekjen e njerëzve të afërt dhe të zezat që e gjetën Shqipërinë. Në çdo çast është njerëzor e fisnik.

Figura e Skënderbeut është e pashkëputur nga epoka e tij. Është e natyrshme që këtë epokë Naimi ta paraqesë të idealizuar, duke ia kundërvënë gjendjes së Shqipërisë së robëruar e të prapambetur të kohës së vet. Koha e Skënderbeut përmblidhte gjithë "mirësitë" e "begatitë", atëherë mbretëronte urtësia, paqja, kamja, nderi, shpresa.

Paraqitja e ideale e së kaluarës kishte një funksion të caktuar. Duke i ballafaquar dy epokat, Naimi thekson se pushteti osman e ndërpreu procesin e zhvillimit e të qytetërimit të Shqipërisë, e hodhi këtë në errësirë. Pra, pushtimi osman do të duhej shporrur sa më parë dhe epoka e lavdishme e Skënderbeut duhej përtërirë.

Naimi evokon shpirtin heroik e liridashës të shqiptarëve, traditat e tyre të bashkimit, evokon epokën dhe Skënderbeun vetëm e vetëm që:



T`i ap dritë Shqipërisë

Nga shpirt` i ndritshëm i tija,



pra, duke na i paraqitur ato si një model të përsosur, t’i frymëzonte bashkatdhetarët për ta çliruar e qytetëruar atdheun e tyre si dikur. Si demokrat, Naimi e paraqet popullin si një forcë të gjallë që i udhëhequr nga një hero si Skënderbeu, korr fitore dhe tregon heroizëm e patriotizëm të pashoq.

Një ide e rëndësishme e poemës, tepër aktuale në fund të shekullit XIX, ishte ajo se liria fitohet vetëm me anë të luftës së armatosur. Gjithë poema e prodhon këtë ide, por me një ndjenjë të veçantë spikat ajo në fjalët e Kamanit:


Kurrë s`trembet Shqipëria,

nukë vdiq, po është e gjallë

tjetër përgjigjje Turqia

nukë do, përveç me pallë.



Fjala e Kamanit në kuvendin e burrave të mbledhur nga Gjon Kastrioti, është himn për trimërinë dhe lirinë, ajo tingëllonte si thirrje për të rrokur armët:


Trimëria, trimëria

mban lirin` e mëmëdhenë!


Kamani nuk është person historik, por figurë e krijuar nga poeti me shumë dashuri e mjeshtëri. Ai tipizon shqiptarin trim, të vendosur për të mbrojtur lirinë dhe nderin e atdheut, të gatshëm të japë edhe jetën.

Në poemë ka edhe shumë personazhe të tjera, portrete të njerëzve të afërt dhe të bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, si dhe të armiqve osmanë. Këta të fundit, sidomos sulltanët, jepen me tipare krejt të kundërta me ato të Skënderbeut dhe të shqiptarëve.

"Historia e Skënderbeut" u bë një nga veprat më të dashura gjatë Rilindjes, sepse u përgjigjej aspiratave liridashëse që vlonin në popull. Ajo themeloi në letërsinë tonë traditën e poezisë epike.

Poema ka shumë vlera artistike të qëndrueshme. Ajo të rrëmben me gjerësinë e rrëfimit, me gjallërinë e vizatimit të shumë skenave. Të tilla janë ato të kuvendeve, të veprimtarisë së gjithanshme të Skënderbeut, të betejave, ndonëse, ndonjëherë, bie në përsëritje situatash. Herë-herë gjejmë pamje dramatike të theksuar. E tillë është ajo në këngën e V-të, që fillon me vargjet:


Krujë, o qytet i bekuar,

prite, prite Skënderbenë!…


Në poemë hasim herë-herë, portretizime të goditura të personazheve, siç është sidomos ai i Kamanit, një pasuri figurash stilistike, si epitete, krahasime, similituda etj.

Gjuha e veprës është afër gjuhës së popullit, me mjete të shumta shprehëse, e pastruar nga fjalët e huaja dhe me mjaft fjalë të krijuara nga vetë poeti. Shprehjet frazeologjike, me mjaft ngarkesë emocionale, gjenden dendur në poemë.

"Historia e Skënderbeut" mbetet një nga veprat më të rëndësishme të Naimit. Me të u ushqyen dhe u rritën breza të tërë atdhetarësh e luftëtarësh.

Analizë e veprës "Lulet e verës"

Këtë përmbledhje me poezi lirike Naimi e botoi më 1890. Aty ai shfaqet më i plotë si poet. Talenti i tij lirik shpërthen në një rreth të gjerë ndjenjash tepër të holla dhe mendimesh të thella.

Motivet kryesore që trajtoi Naimi në përmbledhjen "Lulet e verës" janë tri: motivi patriotik, motivet filozofike dhe motivi i dashurisë(erotik).

Vjershat e motivit patriotik:

( "Shpreh", "Përse", "Gjuha jonë", "Korça", "Tradhëtorët" e ndonjë tjetër) janë lirika që shprehin ndjenjat qytetare të poetit ndaj Atdheut, vlerave të tij dhe fateve të tij.

Një nga përjetimet më të fuqishme të këtij motivi është besimi i palëkundur në të ardhmen e Shqipërisë, ndonëse dita e lirisë ishte ende larg. Por, duke u nisur nga fakti që lëvizja kombëtare ishte përparuar, ishin hapur shkolla shqipe, ishin botuar libra e gazeta shqip, ndërgjegjja kombëtare ishte forcuar, poeti shpërthen plot ngazëllim:

Për Shqipërinë

Ditët e mira

Paskëtaj vijnë,

shkoi errësira;

lum kush do të rronjë,

ta shohë zonjë! ("Shpreh").


Padurimi i poetit për të parë ditën e bardhë të lirisë është i madh. Kjo shpresë, kjo dritë e mban gjallë poetin, i cili, edhe pse me shëndet tepër të tronditur, ka besim se do ta arrijë:

As hidhe gardhë

Dhe shpejto pakë,

o dit` e bardhë,

dhe jakë, jakë,

se të pres,

nukë vdes ("Përse")


Dy vjersha që lidhen ngushtë nga idetë dhe patosi që i përshkon, janë "Gjuha jonë" dhe "Korça". Në to ai i ka thurur gjuhës shqipe vargjet më të frymëzuara. Është ndër të parët poetë që i këndoi bukurisë dhe ëmbëlsisë së gjuhës sonë, është ndër të parët që kuptoi vlerat dhe mundësitë e saj të shumta për të shprehur mendimet dhe ndjenjat më të thella njerëzore:


Gjuha jonë sa e mirë!

Sa e ëmbël! Sa e gjerë!

Sa e lehtë! Sa e lirë!

Sa e bukur! Sa e vlerë! ("Korça")


Naimi shkruan plot entuziazëm për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887 dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të hyjnë me guxim në rrugën e diturisë e të kulturës. Kur ai thotë: "Të marrim diturinë…, tani lipsetë dritë ("Gjuha jonë"), kemi prirjet e tij iluministe dhe përfytyrim se liria nuk shkëputet nga përparimi, nga qytetërimi. Me një informacion krejt tjetër, plot mllef dhe urrejtje shpërthen ai në vjershën "Tradhëtorët". Ai u vë njollë të turpshme turpit të atyre që tradhtojnë kombin dhe bashkatdhetarët, atyre që harrojnë mëmëdheun dhe punojnë për të huajt. Vjersha tingëllon si një
mallkim për tradhtinë, kur poeti shkruan plot zemërim:

Buk` e mëmëdheut i zëntë

Tradhëtorët e pabesë!

Motivi filozofik zë vend të gjerë në "Lulet e verës" dhe mund të themi se Naimi themeloi në letërsinë shqiptare traditën e poezisë së mendimit.

Në lirikat filozofike gjejmë përsiatjet e poetit për botën, për jetën dhe vdekjen, për njeriun, perëndinë, për kohën që shkon pa kthim. Për herë të parë në letërsinë shqiptare trajtohen kaq gjerë përfytyrime të tilla filozofike, një botë përjetimesh që kanë në qendër njeriun. Me sinqeritet e me gjuhë plot emocione, Naimi shpreh ide humane, dashurinë dhe besimin e tij ndaj njeriut. Në disa nga vjershat filozofike, si: "Jeta", "Zemra" e sidomos

“Perëndia", spikat qartë një nga elementet bazë të botëkuptimit të Naimit, panteizmin. Shfaqet aty nga ana mistike e këtij botëkuptimi, por nga ana tjetër, edhe mohimi i riteve të tepruara fetare. Ai pohon se perëndia është kudo, e shkrirë, e trupëzuar te çdo send a gjallesë e botës:

Ç`sheh, është zot` i vërtetë,

Ç`dëgjon, është zër` i tija,

Gjithë ç`ka e s`ka në jetë,

Është vetë perëndia ("Perëndia")

Në panteizmin e Naimit depërton edhe humanizmi, besimi i madh i poetit te njeriu, që është qenia më e lartë e gjithësisë, sepse tek ai, sipas poetit, personifikohet vetë hyjnia:

Zemr` e njeriut në jetë

Është vend i perëndisë.

Te vjersha "Fyelli" (ashtu si te "Fjalët e qiririt", botuar më 1884) Naimi ngre lart misionin e poetit në shoqëri, idealet pozitive e humane të tij, të poetit që bëhet zëdhënës i shpirtit njerëzor.

Motivi erotik është trajtuar në një cikël të tërë vjershash me titullin e përbashkët "Bukuria". Lirikën e dashurisë e kishin lëvruar edhe bejtexhinjtë, por Naimi e ngriti në një nivel artistik të ri. Shpesh përcolli edhe përfytyrime etike e filozofike.

Poeti i këndoi bukurisë së vashës, para së cilës mrekullohet edhe në të zbulon një pjesë të bukurisë universale. Ai e koncepton atë si shfaqje të përsosmërisë njerëzore, të harmonisë dhe bukurisë hyjnore. Ndihet në to edhe ndikim i poezisë orientale. Heroi lirik të kujton bilbilin, kurse vajza e dashur trëndafilin, figura konvencionale të asaj poezie. Ndjenja e poetit është platonike, abstrakte, dhe nuk ka atë shfaqje konkrete si në lirikën popullore ose më vonë si në poezinë e Çajupit. Si romantik, Naimi këndoi më shumë vuajtjet që sjell dashuria, sesa gëzimet e saj. Në këto ndjenja, zbulohet një zemër shumë e ndjeshme dhe mbi të gjitha, shumë njerëzore. Dashuria për poetin është gjithmonë një ndjenjë e lartë, fisnike dhe e pastër.

Në ciklin "Bukuria" afrimi me poezinë popullore është mjaft i dukshëm. Poeti mori prej saj mjete artistike e teknika vëzhgimi dhe krijoi vargjet plot natyrshmëri e bukuri të rrallë:

Bukuroshe, sy mëshqerrë,

shikomë njëherë mua,

trëndafil i kuq me erë

e di, vallë, se sa të dua?

E mora vdekjen në sy,

do të vdes, të vdes për ty.

Me "Lulet e verës" Naimi arriti pjekurinë e plotë si poet lirik. Larmia e motiveve, pasuria dhe thellësia e ndjenjave kanë përcaktuar edhe përdorimin e një gjuhe poetike të larmishme e me shprehësi të lartë. Sa optimist e i ngazëllyer është kur shpreh besimin tek e ardhmja, aq i përmbajtur e meditues është kur flet për probleme të qenies, të filozofisë, sa i trishtuar paraqitet kur kujton djalërinë e perënduar, kohën e ikur, dhe të vdekurit, aq i përndezur është në urrejtjen e tij kur mallkon tradhtarët. Naimi përdori mjete të shumta stilistike. Epitetet e goditura për gjuhën, anaforat tek vjersha "Fyelli", shpërthimet në formë pasthirrmash "Lum kush të rrojë…", krahasimi i Korçës së Mësonjëtores së parë me trimin që sulet në ballë etj., mbeten të pashlyera në kujtesë. Me shumë efekt poeti përdori edhe antitezat, veçanërisht ndërmjet disa fjalëve të caktuara me kuptim të përgjithshëm, por që ai i shënoi me një përmbajtje të qartë e me ngarkesë emocionale (drita-errësira; fatbardhësia, mbarësia, qytetaria, ndarja, marrëzia), që
përfaqësojnë të parat: lirinë, emancipimin, kurse të dytat: zgjedhën, paditurinë, si plagë të pushtimit. Tërheq, gjithashtu, vëmendjen pasuria e rimave, e vargjeve e strofave me skemat AB, AB, A, AA, BCCB, ABAB, CC, të përdoruara rrallë ose aspak në poezinë shqiptare.

"Lulet e verës" (me "verë" Naimi quante pranverën) ishin simbol i së resë që po lindte, i lirisë, i asaj shprese dhe force të madhe që lindi poetin e madh dhe poezinë e madhe.

Poezitë

Fjalët e Qiririt

Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t`u ap pakëzë dritë,
Natënë t`ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t`u ndrinj mir` e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s`e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s`dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t`u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall` e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M`është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k`ënda t`u bënj mirë,
Të mos mbeti n`errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn` e shkretë
Për atë zotn` e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin` e urtësinë,
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t`i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.
Gjithë tuajt` i kam parë,
Mëm` e at` e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.
Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer` e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj` e balt` e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.
Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul` e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t`u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët` e gjuhësë zjarrtë?

Gjuha Jonë

Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm` udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N`atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s`kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q`i shkruan istoria!

Ajo ish koh` e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s`është koh`e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm` gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç`është e ç`ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç`gjuh` e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç`e bukur`edh`e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum`e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s`e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t`i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S`mbulohetë me remë.

Korça

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq` e mir`e kaq`e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit`e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q`e bekoi zot`i vërtetë
Dh`e dërgoi me shumë dritë,
T`i mbes`emëri përjetë.

Sot e vumë gurr`e parë,
Sa`ësht`e bekuar kjo ditë!
Zot`i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh`e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht`e shtije,
Mbretëron fjal`e vërtetë,
Dhe të mirat gjith`i bije.

Zot`i math qoft`i lëvduar,
Q`e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo si ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç`o lule,
Q`i le pas shoqet` e tua!
Si trimi në ball`u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s`i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo ë`shtë mëm` e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gazthin e vëllazërisë,
Njerëzin` e miqësinë.

S`jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Ne kët`emër nder`e kemi.

Ky emr` është shum` i mirë,
Se më s`jemi të gënjyer,
Nukë jemi n`errësirë,
E njohëmë gjën` e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun`e keq`e shum`e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh`e gjenë me perëndinë.

Nga gjithë ç`kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s`mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt` e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft` e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Tradhëtorëtë

Shokë, kemi në mest tënë
Shum` armik` e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s`kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh` e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qoftë thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr` e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk` e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt` armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç`është kjo e madhe punë!

Fajn` e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S`del kurrë gënjeshtr` e shkretë
T`ish ashtu, qe prishur jeta,
S`kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nder` e tyre posht` e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh`e mira dh`e lig` e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S`ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjejnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s`e dinë ç`bëjnë,
Janë të verbër e s`shohin.

O, popo ç`turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s`janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn` e Shqipërisë,
S`duanë gjuhënë tënë
Armikët` e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç`bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun` e lig` edh` e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s`e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t`u vinë.

Vëllazërin` e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s`dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt` e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.

Emri i Zotit

Zot i vërtetë,
Bota e tërë
Gjithë ç`ke bërë
E ç`ka në jetë
Të gjitha ç`janë
Yje dhe diej,
E dhé e qiej,
Një gjuhë kanë,
Që thotë emrin tënt!
Ngado që shikonj,
Atë emër dëgjonj.
E shoh më ç`do vënt.
Dheu, që rrimë ne,
Duke mbleruar,
E kam dëgjuar,
Që thotë se ç`je.
Yjtë me dritë,
Duke kërcyer,
E duke kthyer,
Nat` edhe ditë,
Re me gjëmim
Zoqtë me fjalë,
Deti me valë,
Lumi me rrëmbim
Lulja me erë,
Dhe me bukuri,
E me mituri,
Kur çel në verë,
Emrin tënt thonë,
Ty të tregojnë
E të lëvdojnë,
Ty gjithë monë!
Po njeriu, o Zot!
S`ta di emrin tënt,
Se s`gjendet me mënt.
Ah! S`e thotë dot;
Njeriu nukë munt,
Se gjuhë s`i dhe
Që të thotë ç`je,
O fuqi pa funt!
Dielli kur del,
A tek perëndon,
Zogu kur këndon,
E gjethi tek çel,
Bukur tregojnë,
Emrin që ke,
Rrëfejnë ç`gjë je,
Dhe më gëzojnë.
Në gjithë botë
Vetëm njeriu s`di
Rri si çilimi
E s`mundet ta thotë!
Me zë të zjartë,
Donja të flisnja,
Edhe t`i grisnja,
Retë si kartë,
Si vetëtima;
Apo si lumi,
Që s`e zë gjumi,
Me oshëtima!
Falmë nga togu
Q`është e ç`shohëm
Nga gjithë ç`njohëm,
Zën` e një zogu,
Të rri më një vënt,
Edhe më lerë,
Të them një herë,
Një herë emrin tënt.

Dëshira

Zot!
Sot
Jam,
Kam,
Shoh,
Njoh,
Rronj,
Shkonj;
Kam gas
Dhe flas
E them
Të kem
Ditë,
Dritë,
Jetë,
Vetë,
Ah, dua,
Që thua,
Të mos vdes,
Po të mbes
Përjetë
Të ketë
Shpirti im
Pa mundim
Shëndenë
Të jenë
Me mua
Sa dua.
Sonte jam gjall`,
E jam mirë,
Po kam dhe mall
E dëshirë,
Zot i vërtetë
I gjithësisë!
Të rronj përjetë
Ndaj njerëzisë!
Ti ke në dorë,
Çdo gjë që të duash;
Nukë je i gjorë,
Arrin që të thuash;
Pa bëhenë gjithë ç`dua,
Po të më dëgjosh mua,
Le të bëhetë thua,
Dhe gjithë janë bërë!
Atë që thua ti vetë,
Zot i math e i vërtetë!
Ajo bënetë në jetë,
Edhe mbaronet` e tërë!
Ti epi jetë njerëzisë,
Shto e beko dhe bagëtinë,
Se ti je Zot` i gjithësisë,
Në dorëz` e ke mirësinë
Njerëzis` epi jetë të gjatë,
Mundimet fare nga jeta ngreji,
Djepinë shkret` e lugënë thatë
Mos e shih kurrë, po mbushur leri.
Fal
Dhe ep
Gjithë ç`ke
Nga të mirat,
E të pështirat
Hidhi tutje,
A vari më ndonjë grep,
A mbuloji më ndonjë mal,
E lërë vetëm mirësitë,
Fal edhe dritë e jet` e ditë
Le të prehet gjithë njerëzija
E të mos ketë kurrë të këqija;
Ligësitë, djallëzitë e marrëzitë
Le të mos rrojnë paskëtaj edhe një ditë
Veç mirësija në këtë jetë të mbretëronjë,
Urdhëri yt, puna jote, Zotth` i math e i vërtetë,
E vërteta le të rronjë, gënjeshtra le të pushonjë
Bëj si të duash, ç`të them unë Zot i vërtetë? Ti e di vetë!

Falja

Zot i math e i vërtetë
Që kreve ç`shohëm në jetë,
Edhe të tjerë që janë
Pa funt pa krye pa anë,
Edhe kudo je ti vetë,
Syri yn tekdo shikon,
Që nga lint e gjer tek perëndon,
Më çdo vënt të sheh fuqinë,
Urtësin` e madhërinë,
Falna gjithë mirësitë,
Epna dituri e dritë,
Tregona udhën` e mirë,
Mos na lerë n`errësirë,
Dhurona gjithë të mirat,
Mërgona nga të pështirat.

Zot! falna vëllazërinë,
Dashurin` e miqësinë,
Epna dëshirë të msojmë,
E të mirat të punojmë,
Bëna të but` e të qetë,
E të urt` e të vërtetë,
Jetënë ta trashëgojmë.

Bagëti e Bujqësi

Pjesa e parë

O malet` e Shqipërisë e ju o lisat` e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q`u kam ndër mënt dit` e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt` e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni, O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s`e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s`ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s`kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m`erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell` i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat` i bardh` e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat`atje`shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet` e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.
Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t`ia thërres këngës e t`ia them;
Të shoh kedhërit` e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin` e sbukuruar, dhenë me lul`e me dritë.
Vashë bukurosh`e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s`e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q`e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes` i larmë të ndjek me dëshir` e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
- Pash` atje pas më të gdhirë,... ja atje përtej tek vinë!
O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet` e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh` e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn` e s`lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm` e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir` e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.
Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç`nom të bekuar vure për çdo gjë q`është në jetë!
Sa më pëlqen blegërima, zër`i ëmbël` i bagëtisë,
Qëngji edhe kec`i bukur, që rri më gjunj` e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet` e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t`ëmbël` e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz`i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng` e valle dhe po kërcejn` e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q`i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,
Qielli sa ësht` i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç`janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver`, o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj`erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq` e dheut! S`të zë syri gjë të metë.
Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti` Zoti pej parajs`e ka dërguar?
Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer` e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S`i ka mbetur gas në zemrë, se s`i la vënt hidhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer` e buzëplasur,
Se përtimn` e zi, q`e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk` e dimë vet` e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s`thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.
Ah! edh` atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul`e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm` e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh`e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.
Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt` e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet` e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbenj, gërxhe, lisa, lumenj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulëz` e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm`e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q`u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn` e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj`i ftoht` e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s`e duronj dot mallë,
Po s`e di si dua unë do t`u shoh një herë vallë?
Të paskësha vrapn` e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn` e lumit me valë, q`ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj` ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt` e ballit t`i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap` aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët` e djalërisë, o moj kohëz` e të rit tim?
O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt` e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër`i bagëtisë;
Marrënë vrapn` e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh`e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Pjesa e dytë

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj` e shkarpa, sicilido ndih më nj`anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, tjatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër`i zi sterrë, shikon bulmetn` e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar` e gjahëtorë, q`u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale...
Kec`i mbeturë pa mëmë dhe i varfër` e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez`i pyllit krism` e sëpatës s`druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell`i shterparit.

Shterpari s`i qaset stanit, po nër pyje bij`e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S`i trembetë syri kurrë, vetëm aty dit` e natë,
Nga ujku e nga kusari s`ka frik`, as nga lis`i gjatë,
As nga shkëmbënjt` e nga pylli, as gogolëtë s`e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm` e motërë xhuranë;
Miqt` e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s`flenë, po rrin` e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S`e hanë njerin` e mirë edhe mikun` e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t`errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint` dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç`lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret` e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z`eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fryn, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë secilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun` e zë edh`e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir` e mjergull kërkon,
Papo bariu shum` ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet` e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Ësht` e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij`e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis` ësht` e plokshtë, fle në vath` e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht` e butëz` edh`e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk` është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në fshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadalë, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin` e delen, i mjel plakëz` e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja fshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht` e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e tjatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok` e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s`rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t`ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na zbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën` e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s`e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën` u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t`i shohë, t`i ketë kujdes, t`i dojë.
Të mos t`i mundojmë kurrë, po si fëmijë t`i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k`ënda vahn` e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie
Me këto mijëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q`është thyer, bërë posi një pasqyrë,
Duke këputur nga cmagu, që s`e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush`e Korçës, nga vënd`i mir` e i gjerë,
Prej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot` e ndjerë?
A më vjen prej Malësie, prej Skrapari, prej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, prej Vlor` e prej Myzeqeje?

Të mundja të fluturonja e të kishnja krahë si ti,
Me gas të math do t`i vinja Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh` Elbasan` e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat` e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit` e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q`i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m`e munt kren e Tyrqisë.

Durrës, o qytet i bukur, që je kërthiz` e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall` Ulqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s`e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun` e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir` e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m`ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Pjesa e tretë

Ti perëndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht` e më ndih pakë, o motra im`e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball` e gush` e faq`e llërë dhe këmb` e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat` e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz` e dheut, q`i fale dheut aq` uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s`mbetetë thatë,
I dhe lul`e bar e gjethe, bim` e drith` e pem` e drurë,
Mblodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet` e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç`vent`i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t`u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir`i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër` e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri` atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen` e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t`i than lulet, ti me një frym` i ngjall prapë,
Napënë q`u heth përsiprë, ua heq me ver` e me vapë.

Bujkun e zgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë...
Shërbëtor`i mëmës` së dheut, q`e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari ë`shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t`vërtetë dhe zihet nga pun` e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qëruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit` e natë e të bësh ç`duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t`apë bukëz` e drithë.

Njeri, puno, mos pusho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t`ep Perëndija.

Puna ka duk e uratë, Zot`i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver` o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot`i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës son` i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç`ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S`është çudi pse na dëfren ver` e bukur zemrën tënë;
Ç`ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q`i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet fshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, zbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng` e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën` e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn` e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që heth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin` e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të çfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bukn` e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith` e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q`e çpërblen punën e djersën e mundimn` e njerëzisë.

Qysh rroit mblet` e uruar dhe ven` e vin e lëçijnë,
Ca havllinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç`punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn` e mirë!
N`apin dyllëtë, q`ep dritë, dhe mjaltë thjesht` ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët` e mirë m`atë mënyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t`atyre shkojnë;
Njëri mih, tjatëri lëron, njëri mbjell, tjatëri prashit,
Kush t`harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar` e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht` udh` e Perëndisë, ky është nam i gjithësisë.
Edh` ajo miza përdhese, ç`i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz` e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q`është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot`i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n`avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj`udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh` e goj, e këmb` e dorë;
Ngrihet i zot`i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh`e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën` e të pirë.

Kështu të huajt` e miqtë njeriu q`është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq`e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest` e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet` e bukura m`erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë -- puna mbarë --
Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t`ëmbla shumë mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët` e bardha dhe të majm`e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët` e kërthijta.
Dallëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer` e përkëdhelur vjen në lumë të pij` ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum` i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh`e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një vashëz` e mjerë qan të motrënë, q`e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez` e saj, e përzieshmez` e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt`i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s`humbetë kurrë e gjë s`vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith` edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç`janë e gjithë ç`gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot`i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s`ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin` e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q`ish me lulez` e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin` e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit` e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh` e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mbërohu nga të këqijat, prej çdo farë ligësije,
Prej nakari, prej lakmimi, prej vjedhjeje, prej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s`ke vënë, edhe ki nam dashurinë,
Bes` e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s`gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but`, i urt`, i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh`i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët` e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç`pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr`i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër` e vetëdijë, të mir` e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të mësonj` e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s`nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell` e më thellë,
Ç`do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t`i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalëngadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p`an`i mirësisë, q`emrin tënd s`e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul` e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj` e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls` e vreshtit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj` e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn` e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtarët udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh` e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn` e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.

Historia e Skënderbeut

Pjesa e parë

Këndo, ëngjëll, urtësinë
Edhe gjithë mirësitë,
Skënderben` e trimërinë,
Q`i dha Shqipërisë dritë.
Të lumtë goja, këndona,
Me gjuhë t`ëmblë si mjaltë,
Skënderben` e madh tregona,
Trimnë burrë, Zotn` e naltë.
Punëtë që ka punuar
Kordhëtari i vërtetë,
Kombinë duke nderuar
Dhe Shqipërinë përjetë.
Nga gjiri i Perëndisë
Pa m`i sill nër mënd të mija,
T`i ap dritë Shqipërisë
Nga shpirt`i ndritshëm i tija.
Ëngjëll i bukur, pa zbritmë,
Dhe me dritët të uruar
Shko përpara mej`e ndritmë,
Të shoh gjithë ç`kanë shkuar.
Që kur ngrehu gjithësinë
Zot`i madh e i vërtetë,
Ka bërë dhe Shqipërinë
E shqipëtarët në jetë.
Shqipëria kurdoherë
Ka qënë shum` e lëvduar,
Ka pasur burra të ndjerë,
Trima t`urt` e të dëgjuar.
Pati mbretër` e të parë
Fort të mëntshim e të mirë,
Burra, trima, shqipëtarë,
Që kan` emrë të pavdirë.
Ishte vënt` i Perëndisë
Që së pari Shqipëria,
Mëmëdheth`i urtësisë,
Që del soje mirësija.
Aleksandr`i Math e burrë,
I cili s`pat shok në jetë,
Nukë ka pasurë kurrë
Dhe kurrë do të mos ketë
Piro trimi e të tjerë
Burra shumë të lëvduar,
Që kanë qënë një herë,
Edhe sot s`janë harruar,
Qenë gjithë shqipëtarë,
Ishin djemt` e Shipërisë,
Nuk` ishin greq e bullgarë,
Po nga vënd`i Perëndisë.
Pirroja mundi romanët
Armikët` e njerëzisë,
Aleksandr`i Math persanët,
Egërsirat e Azisë.
Kë të zësh ngoje më parë
Nga burratë e vërtetë,
Q`ishin gjithë shqipëtarë,
E s`u erdhi shok në jetë!
Gjithë botën` e pushtuan,
Afrik`, Europ`, Azi zunë,
Lëftuan e mbretëruan,
Nën` urdhërë gjith` i vunë.
Edhe kur erdhë romanët,
S`u shkel fare Shqipërija,
As nga shqeht` e venetianët,
S`e zu kurrë dobëtija.
Shqipëtari në kurt s`hyri,
S`e shpërnderoj Shqipërinë,
Kurrë nukë ju tremb syri
E nuk` e humbi fuqinë.
Rrinte me kordhë në dorë,
Shkrefëtinte si dragua
Nëpër male me dëborë,
E kurrë s`u qetësua.
Armikët u dobëtuan,
Shqipërija ngriti krye,
Errësirat u mërguan,
Drit` e Zotit u rrëfye.
Nga të gjitha mbretëritë,
Së Krujësë i dha Zoti
Më shumë fuqi e dritë,
Q`ishte mbret Gjon Kastrioti.
Mbretëronte urtësija,
Paqja, kamja, nderi, shpresa,
Drejtësi e dashurija,
Miqësija, besa-besa.
Tek po gjëndej Shqipërija
Në këto të mira kaqe,
Që mbretëron mirësija
Dhe ish në prehj`e në paqe,
Kur nj` e madhe egërsirë,
Duke dalë prej Asije,
U përhap si errësirë,
Dh`e mbuloi botën si hije.
Ish një komb i mallëkuar,
Në gjuhët kish dhelpërinë,
Syn` e kish të egërsuar,
Në zemërt kish djallëzinë
Ngado vij e kudo shkonte,
Zin` e gjëmënë po shpinte,
Vriste, priste, varfëronte,
Atje ku shkelte bar s`mbinte;
Më nj`anë kishte fuqinë,
Gënjeshtrënë m`anët tjetrë,
Për të mbytur njerëzinë,
Bënej her`ujk, herë dhelprë
Përse s`dolli trimërija
T`i prit gjurmën` egërsirës,
Po vate mbroth ligësija,
I zu udhënë së mirës.
Ra më detrt qytetërija,
U ngrit si re errësira,
U përhap mi dhet padija,
Gjaku, vdekja, shkretëtira!
Pa një zgjedh` e keqe shumë
Gjithë kombet i mundojti,
I la për djall e për lumë,
Njerëzia mendje lojti.
Ish ver` e po qeshte moti,
Lulet kishin lulëzuar,
E mbreti Gjon Kastrioti
Në fron rrij duke menduar.
Pyjet ishin gjelbëruar,
E bilbilëtë këndonin,
Dhe bota gjith` e gëzuar,
Djemt` e vashatë po lonin.
Gjithë gjethet ishin celur,
Faq` e dheut ish zbukuruar,
Dhe qiell i përkëdhelur
Ish si ergjënd i kulluar.
Shqipëtarët të gëzuar
E të gjithë burra, trima
Edhe të lar` e të ndruar,
Me armë si vetëtima.
Vashatë bërë si pylli
Nëpër sheshe po kërcenin,
Sicila ndritte si ylli,
E hënës i shëmbëllenin.
Kur shfaqen njerës të huaj,
Dalën në shesht disa vetë,
Gjithë të hipur në kuaj,
Po ngjiteshinë përpjetë.
Të ndryshmë së gjithash ishin,
Shtat, zakon, robë, fytyrë,
Sjellj`e gjuhë tjatrë kishin,
Qenë t`egrë si mynxyrë!
Ne der` e pëlasës zbrinë,
Shqipëtarë në shkallë
Me miqësi shum` i prinë
Dhe brënda në dhom` i kallë.
Parësi e mbretërisë
Me një nder të math i priti,
Pas udhës së miqësisë
Me fjalë t`ëmbël i gostiti.
Të huajtë si u çlodhë
Dhe djers e pluhurë fshinë,
Dhe mëndjen më vënt e mblodhë,
Se udha e loth njerinë,
Dy më të parët, që qenë,
Përnjëherë nxuar zënë,
Thanë: "Duam pakë mbrenë,
Diç i kemi për të thënë".
Në dhomët të parësisë
Hynë dhe mi from të lartë
Panë mbretn` e Shqipërisë,
Në dorë i dhanë një kartë.
Këta ishinë në fjalë,
Dita shkonte, nata vinte,
T`errëtit` e mbuloi malë,
Hëna dolli dhe po ndrinte.
Prunë buk` e gjell e venë,
Dhe ndenjnë në mësallë
Të gjithë sa njerës qenë,
Dhe vetë mbreti në ballë
Hangërë ngadal` e pinë
Dhe ndenjnë një copë herë,
Më pastaj të gjith` u ngrinë,
Gjithëkush vate të flerë.
Nata dhe s`e kishte ngritur
Atë pëlhurën e zezë,
Hëna me sy të venitur
Po perëndonte si rezë
Yll`i mëngjezit po ndrinte,
Dhe bilbilëtë këndonin,
Vesa gjithënje po binte,
E luletë lulëzonin.
Mbreti u ngrit i helmuar
Edhe e dërgoi njerinë,
Shërbëtor e papërtuar,
Mblodhi gjithë parësinë.
Të mëdhenj edhe të parë
Edhe gjithë pleqësia,
Ç`qenë çel` e luftëtarë,
E shumë nga vegjëlia,
Në mbledhë të gjithë rrodhë
Pas mënyrës së lirisë,
Bashkë me mbrenë u mblodhë
Si t`afërt` e të shtëpisë
Gjithë burra të vërtetë
Edhe nd`ar e n`ergjënt veshur,
Shpirtmir` e trima të qetë,
T`urt` e me buzë të qeshur.
Në mest u ngrit Kastrioti,
Tha: "Vëllezrë shqipëtarë!
Një brengë na pruri moti,
Pa do menduar më parë:
Si mundimë të shpëtojmë
Nga kjo brengë Shqipërinë,
Duhetë të kuvëndojmë,
Ndaj u kërkova taninë.
Turqit duallë ng`Asia
Edhe në Evropë erdhë
Rrëmet, posi mizëria,
E shumë gjakëra derdhë
Nga Andrinopoja hynë,
Muarrë dhe Grekërinë,
Tani ndër ne kanë synë,
Të na hedhin në greminë!
Sa mbretrë të Shqipërisë,
Si dhe të tjerët i mundi!
Ra rrebesh i Perëndisë,
Gjë të gjallë s`la gjëkundi!
Ushtarëtë lëftuan,
Për mëmëdhethin u vranë,
Veç nja dy mbretrë shpëtuan,
Në Romë ne Papa vanë.
Murati, që s`na peshonte,
Nga ne kërkon miqësinë,
S`di ç`dhelpëri mejton sonte,
Se po e njohëm Turqinë
Më ngjan se po bën gatinë,
Qytetn` e math rreh të marrë,
E pas ati djajt` e dinë
Kujt do t`i sulet më parë.
Pas Romës` së re ka tjetrë
Qëllim zënë që taninë,
T`i derdhet Romës` së vjetrë,
Të marrë dhe Italinë
Dhe Lindjen dhe Perëndimnë
Kërkon tejpërtej t`i zërë,
Gjith` atje e ka qëllimnë,
Botën` në dorë ta vërë.
Sot për sot na ka nevojë,
Andaj kërkon miqësinë,
Pa ndryshe s`na flit me gojë,
Gjithë bot`atë e dinë.
Qëllimet i psheh Murati,
Rreh e pandeh të gënjenjë,
Ësht` i pshehtë si lugati,
Po koha do ta rrëfenjë.
Thotë q`është mik përjetë,
Më s`do gjë nga Shqipëria,
Po veç një penk do të ketë,
T`i vendoset miqësia;
Dhe për penk s`kërkon gjë tjatrë,
Nukë sheh tjatrë nevojë,
Po do djemt` e mi të katrë,
Të rrinë n`Andrinopojë
Pakë koh` atje të rrinë
Me ata që t`i dërgojmë,
Dhe të venë e të vinë,
Sa herë që t`i kërkojmë
Se froni pa zot në mbettë,
Se po erthm` e do të vemi,
Një e tillë në na gjettë,
Vdekjen në dorë s`e kemi,
Thotë se do t`i dërgonjë
Më të madhë Shqipërisë,
Pas meje të mbretëronjë
Ndë udhët të miqësisë.
Këto fjal` e thashetheme
T`i thosh tjatrë, i besonja,
Mbret i ndershëm s`flet të rreme,
Fjalës së tij s`i dyshmonja.
Me gjithë këto them unë
Të bëhetë miqësia,
Eshtë m`e mirë kjo punë
Se të prishet Shqipëria,
Them ta bëjmë miqësinë,
Sulltanë kshu ta pushojmë,
Pastaj të zemë gatinë,
Luftënë ta prëmëtojmë,
Se puna u kupëtua,
Edhe fjala ësht` e bëre,
Evropa tani u zgjua,
Janë lidhurë të tërë.
Përnjëherë mbretëritë
Turqitë do t`i lëftojnë,
U afëru`ajo ditë
T`u bijem e t`i dëbojmë.
Janë të fort e të shumë,
Dhe fati u vete mirë,
Vinë rrëmet posi lumë,
Bijenë si egërsirë!
Të bëhemi një me fqinjë
Dhe me t`gjithë mbretëritë,
E pastaj le të na vijnë,
Si të mbarojmë gatitë,
Pa djemtë neve i gjejmë,
Le të rrinë të mësojnë,
Kur të duam i rrëmbejmë,
Gjësendi nukë pësojnë.
Djemtë si shpirtin i dua,
Po më shumë Shqipërinë
Mos thoni q`u frikësua,
Prandaj zuri miqësinë.
Si vëllezërë tani thoni,
Faqeza e si të lirë
Atë që të kupëtoni
Për të nderçim e të mirë."
Mbreti fjalën` e mbarojti,
Pastaj vuri re të parët,
Një nga një gjith` i shikojti,
Ata po i mir të qarët.
Mbreti plak u hoq mënjanë,
Pa u ngrit një trim më këmbë,
Shikoi një her` anembanë,
Hekurin` e haj me dhëmbë!
Ish Kamani, q`ishte burrë,
Më trim nga gjithë të parët,
Nuk` i trëmbej syri kurrë,
Pa e donin shqipëtarët;
I holl` isht`e pak` i gjatë,
Nukë kish shumë mustaqe,
Vij si i zeshkët e i thatë
E s`kish fare mish mi faqe;
Kishte gjithë urtësinë,
Me një zë të ëmblë fliste,
Fjal` e tij e bint njerinë,
Dhe gjuha hekur i priste.
Mori kordhënë ndër duar
E qëndroi në mest si burrë,
Me fytyrë t`ashpëruar,
Ngriti gishtin dhe tha: "Kurrë!
Kurrë s`trëmbet Shqipëria,
Nukë vdiq, po ësht` e gjallë,
Tjatrë përgjegje Turqia
Nukë do përveç me pallë!
Shqipëtari, trim i vlerë,
Kurrë nuk` u frikësua,
E të trëmbet këtë herë!
Mbret! o zotthi im, ç`më thua?
Apo s`e dimë Turqinë,
Nuk` e kemi dhe mësuar
E s`ja njohëm djallëzinë,
Gjer më sot që ka punuar?
Na bën si miq këtë herë,
Se ka të tjerë qëllime,
Mos pandehni të na lerë
Pa të këqij hidhërime.
Mjerë! mjer` ajy i gjorë,
Që i sjell besë në fjalë,
Bije në lak e në dorë
Edhe çpejt po s`mund të dalë.
Mbret i ndershim dhe ju shokë,
Mos haroni trimërinë,
Mblithni mëndjenë në kokë,
Ngrihi të zëmë kufinë.
Trimëria, trimëria!
Mban lirin` e mëmëdhenë,
Unë shpreh te perëndia
T`i hedhimë përtej denë.
Qysh të zëmë miqësinë
Me atë që na bën varrë?
Turku vëndet, gjith` e dinë,
Me ç`djallëzi i ka marrë
Gjithënjë kështu punojnë,
Kombet me lajka i ndajnë,
Pa miqësin` e harrojnë,
Dhe një nga një i përlajnë
Kur ka armikë të tjerë,
Të bën mik sa t`i volitnjë,
A mbaroi ata njëherë?
Prite, vjen të të goditnjë.
Miqësira të vërteta
S`ka njeriu i pabesë,
Pa e shihni si ta zërë
Udhën` e mezit t` Asisë
Dhe pastaj të mos kuxojnë
Për këtej denë të hidhen,
Po, edhe kur ta kujtojnë,
Laqet` e gjunjët t`u dridhen.
Sot duhetë trimëria,
Nukë duhet më mentimi,
Lark Shqipërisë Turqia,
Pa tani duketë trimi!
Sot neve në dor` e kemi
T`i dëbojmë nga kufia,
Pastaj kushedi si jemi,
Mos të zëntë robëria!
Kush ka shpirt prej shqipëtari,
Si të parëtë që qenë,
I bënet zëmra si zjarri,
S`e do gjalljen e vet`henë.
Këtë fjalë duke thënë,
Erth` e mbyti mallëngjimi,
Dhe më nuk e nxori zënë,
Po u egërsua trimi.
Fjalën përnjëher` e preu,
E lottë çurkë iu derdhë,
Të gjithë i mallëngjeu,
Të tërëve lott` u erdhë.
U hoq edhe ndënj mënjanë,
I vrënjtur, i zëmëruar,
Më nukë dëgjoj se ç`thanë,
Po vuri kokën nër duar.
Kshu the, o trim i vërtetë!
Q`e donje fort Shqipërinë,
Të ndrittë shpirti përjetë
Qofsh bashkë me perëndinë.
Gjithë çel` e parësia
Që u gjentnë, me lot qanë,
Mëndjen` e fjalët e tija
Të pëlqyera i panë.

Pjesa e dytë

Në mest t`ati mallëngjimi,
Që vij posi vetëtima,
Po dëgjonej si gjëmimi
Zëri i burravet trima:
"Luftë, luftë me Turqinë,"
Thirrë gjithë menjëherë,
"Nuk e duam miqësinë,
Atë dëshirë ta ngrerë."
Ata kuajt e harbuar
Kur ngridhen` e hingëllijnë
Dhe me sy të egërsuar
Qysh vështrojn` e shkrefëtijnë,
Ashtu shqipëtarët trima,
Njëri-tjatrinë shikonin
Me vështrim si vetëtima,
Edhe vdekjenë kërkonin.
Kur u ngrit një plak i vjetrë,
Që kish par` e kish dëgjuar
Dhe ishte me rradhë tjetrë
Nga vërsa q`e kish të shkuar,
Leshbardh` ish e mëndjegjerë
Edhe shumë gjith` e donin,
Të tërë i bënin nderë
E fjalënë ja dëgjonin.
Ish Pepë Tushan`i ndjerë
Që çdo punë e mbaronte,
Ishte plak mi pleqt` e tjerë,
Ajy gjyqet` i shikonte.
Tha: "Zotërinj, më dëgjoni?
T`u them dhe unë dy fjalë,
Pastaj bëjmë si të doni,
Po mos e merrni me valë.
Shumë herë trimërija
Sjell shpëtim, ësht` e pëlqyer,
Po herë dhe urtësija
Është m`e mir` e m`e vyer;
Gjithë bota mir` e dinë
Shqipëtarë q`është burrë,
E ka pasur trimërinë
Edhe nuk` e harron kurrë
Mos pandehni q`unë dua
Për shqipëtarë të thonë:
"Këtë her` u frikësua,
E s`lëftoj si pat zakonë!"
Po turqitë sonte janë
Të shumë si mizërija,
Mentohej e psherëtinte
Me zëmrë të përvëluar.
Nga të vij i shkreti gjumë,
Që mentimetë i shkonin
Nëpër mënt të ti si lumë
Edhe nga syt` i mburonin.
Kur yll` i ditësë dolli,
T`errëtit humbi si vesë,
Dritën në vënt të ti solli,
Nukë duroi më në shtresë.
Mbreti me një rënkim ngrihet,
Pa zë e lan sy e duar
Dhe vishet` e përsëritet,
Pa vete duke shpejtuar.
Mbretëresha ishte ngritur
Dhe ish veshur e ish ngjeshur,
Posi nuse përsëritur,
Punonte llërëpërveshur.
Ishte shumë punëtore
Edh`e urt` e e zgjuar,
Për çdo pun` i vinte dore,
Ish` e mir` edh`e lëvduar.
Pesë vasha bukuroshe
Edhe shërbëtore tetë,
T`i shihnje, janë yj, thoshe,
Edhe ajo hëna vetë.
Vashatë si pëllumbesha
Rrotull` e kishin rrethuar,
Edhe në mest mbretëresha
Rrij si lul`e lulëzuar;
Me duar si pej ergjëndi
Po punonin e mësonin,
S`hiqeshin nga avlëmëndi
E si thëllëza shikonin.
Mbretëresha edhe vetë
Kishte zënë e punonte,
Pun` e saj ish pa të metë,
Nga të tjeratë ndërronte.
Ishin ëngjëj ato vasha,
Kishin leshëra të arta,
S`ishin si lisi të trasha,
Faqet i kishin të zjarta.
Mbreti gjëkundi kur vinte,
Mbretëresha mbretëronte,
Po edhe aty kur rrinte,
E pyette dh`e dëgjonte.
Gjoni nër gra posa hyri
I ngrehurë posi gjeli,
Të gjitha me radh` i qyri
Dhe vashat i përkëdheli;
Mbretëreshën` e zu pej dore
Dhe i tha: "Të dua pakë",
Dorën, q`e kish prej dëbore,
I zuri dhe i tha: "Jakë".
Ajo me re e shikojti
Dhe, sado q`e pa të qeshur,
Hidhërimn` e kupëtojti
Dhe u ngrit llërëpërveshur.
Me të hyrë në të ndarët,
Dorë pej dore u zunë,
Duke thënë me të parët
Mbreti të shkretënë punë
Mbretëreshës liksht i erdhi,
Kur e dëgjoi atë fjalë,
E trëmbi shumë dh`e verdhi,
Lott` i vanë si valë,
Si dellëndyshet kur venë
Me vrap t`arrijnë më parë,
Po gjejnë prishur folenë
Dhe zoqt` e tyre të vrarë!
Asht`u mahnit mbretëresha,
"Djemtë, tha do të dërgohen!
Unë jetënë ç`e desha!
Popo! të më largësohen!
Qysh të duronj un` e zeza
E të rronj pa ta në jetë?
Kjo brengë pse ra si reza,
Zot`i math e i vërtete?"
Më pastaj të shoqt i thotë
Me helm edh`e zëmëruar:
"Është turp në gjithë botë,
Kjo ë`shtë pun` e shëmëtuar.
Foshnjatë ne të dërgojmë
Në një vënt fare të huaj
E neve të dëshërojmë!
Këtë fjalë mos e thuaj!
Cila mëm` e cili atë
Djemtë penk i ka dërguar?
Punë fort shum` e mëkatë,
Kurrëkush s`e ka punuar!
Shpirtin` e ap, djemtë s`venë,
Pa ta s`bën dot asnjë ditë,
Dhe ata neve s`na lenë,
S`bënenë kshu miqësitë!
Djemtë q`i kam gjithënj` afrë,
T`i dërgonj lark nga shtëpia,
Të rin atje si të vafrë,
Mos e dhëntë perëndia!
Murati, mbret` i Turqisë,
S`e di ç`është bir e bijë,
S`ka pjesën` e njerëzisë,
Dashuri s`ka në fëmijë
Ajy do të mbretëronjë,
Që të bënjë ligësitë,
Të vrasë e të shkretonjë,
Të derthnjë gjak nat` e ditë!
Ah! moj Shqipëriz` e mjerë!
Më të mbajtë perëndia,
Mos të shtëntë ndonjëherë
Zoti ndër duart të tija.
Është prishës e shkretonjës,
Është kafsh` e egërsirë,
Është vrasës e mundonjës,
Shpirterrët` e zëmrëkllirë."
Kështu tha e zëmëruar
Dhe mbrenë në syt e shihte,
Dhe zëmër` e përvëluar
Me fort e me vrap i rrihte,
Kur ëngjëll` i urtësisë
Në shpirtit të saj zbriti,
Erth nga an` e Perëndisë
Dhe zëmrënë ia trënditi.
Mëndjen` e ktheu menjëherë
Dhe tha: "Bëni si të doni,
Ju mendohi gjat` e gjerë,
Mua s`duhet të më thoni.
Për shpëtimt të Shqipërisë
E kam gas e nder në jetë,
Ap fjalë ndaj perëndisë,
S`pendohem dhe të mbes shkretë."
Mori fjalënë dhe vate

Pjesa e tretë

E zeza Adrinopojë!
Q`u bëre burim i zisë,
Vure botën në nevojë,
Në helmit të ligësisë!
Djemthitë ndaj teje erdhë,
O qytet i mallëkuar!
Sa lot të varfërit derdhë
Me zëmrë të dëshëruar!
Ishte mbushurë qyteti
Me njerëzit të Azisë,
Ardhurë gjithë rrëmeti,
Posi tuf` e bagëtisë,
Zëmrëtrumbull e shpirterrët,
Të egër` e të tmerruar,
Të gjithë për në skëterrët,
Të tresh` e të shëmëtuar;
Të tër` ishin kokëpshjellë,
S`kishinë gjë të pëlqyer,
S`dijnë të korr` e të mbjellë,
Po të marr` e të rrëmbyer;
Ishinë të sgurdulluar,
Të veshurë ndër lëvere,
Turi-e buzëlëshuar,
E ndë të rreme përherë
Me tumane gjithë veshur,
Dhe me hekura ngarkuar,
Të vrenjtur` e të paqeshur,
Të keq e të zëmëruar.
M`i madh`i tyre, Murati,
S`kish ndër mënt kurrë të mirë,
Posi e gjet nga i ati,
Më të ligat kish dëshirë
Në jetë njeri s`peshonte,
Dhen` e zij gjithë të tinë,
Kostandinopojën donte
Dhe Romën` e Italinë
Doj të hynj në gjith` Evropë,
E gjithë kombet që qenë
Rrih t`i bënte mijë copë
Ta shkretonte gjithë dhenë.
Urdhër i tij`: "Vraje! Vare!"
Këto dy fjalë dij mbreti,
Hell edhe grep e lavare
Dervishi i lar`, i ndrruar,
U dha si dritë më derë,
Sa ishinë rrotull shtruar,
Gjith` u ngrinë menjëherë,
"O i mirë!" i tha mbreti,
"Nga na vjen e nga të kemi?
S`më ngjan të jesh nga qyteti,
Se s`të njeh ndonjë nga ç`jemi."
"Jo, tha, unë jam i huaj,
Që rendin me udhëtarë,
S`rri as me jav` as me muaj,
Po sa munt ikënj më parë."
Mbreti i tha: "Ti i mirë,
Që shënditke gjithëmonë,
E shum` ujëra ke pirë,
E di këtë trim ç`e thonë?"
Dervishi fjalën ja preu;
Tha: "Un` atë sot s`e pashë,
Ky zot është Skënderbeu;
Me t`an` aty lasht` u ndashë.
Ja pruri ëngjëlli vetë,
Këtë emër` edhe nderë,
Q`e kish pasurë në jetë
Aleksandr`i math njëherë!
Se dhe shpirt`ish i atija,
Në mëmëdhet të tij prapë
Dërguar nga Perëndija,
Frik` armikëvet t`u apë,
Si dhe një herë qëmoti,
Q`ishte trim, burr` i vërtetë
U tregua aq` i zoti
Sa la emërë përjetë."
Po turqitë nuk` e dinin
Shqipëtar` e math të shkuar,
Pa at` emërë s`ja vinin,
Q`e kishte për të nderuar.
Në shumë të madhe punë
E qeshi mëndja sulltanë,
E gjeti si firaunë, { firaunë = faraonin }
Që rrit` më shtëpi Mosanë! { Mosa = Moisi }
Pas ca kohë Skënderbeu
Njeri i math u tregua,
Trimërinë e rrëfeu,
Nga gjithë burrat` u çqua.
E lartësoj trimërija,
Trimn` e vërtetë me pallë,
Aqë sa e vu Turqija
Në shumë të lartë shkallë.
Fat`i bardh` i mirësisë
Në mijëra ushtëtarë
Zgjodhi trimn` e Shqipërisë,
E vu mbi gjithë të parë.
Skënderbeu kudo lëftonte,
Njeri përpara s`i rrinte,
Burrë s`u gjent t`i qëndronte,
Po i muntte ngado vinte.
Na erdhi n`Adrinopojë
Një tatar i math ng`Asija,
Që nuk i flitej me gojë,
I rëndë nga trimërija;
Ishte i math sa dy buaj,
I egër e i tmerruar,
Kish fuqi sa katrë kuaj,
Ish si lum` i trumbulluar.
Tatari një trim kërkonte,
Me sqimë të madhe delte,
Po njeri nukë kuxonte
Në gjurmët e tij të shkelte;
Po mburrohej me një fjalë
Dhe i trëmbte gjithë ç`qenë:
"Kush ësht` i zoti të dalë,
Thosh, të njohë vetëhenë!"
Një njeriu, që tek shkelte,
Tronditej i tërë dheu,
Kush mundte tjatrë t`i delte,
Veç trim`i math Skënderbeu?
Duallë të dy kaluar,
Në hekur të rëndë veshur,
Mburojat marrë nër duar
E kordhat` e prehta ngjeshur;
Mënjan` ish fytyrëqari,
Që si nat` e zezë nxinte,
M`anët tjatrë shqipëtari
Si dielli vetëtinte.
Bota që e panë djalë
Prinsinë, kundrejt tatarit,
Hipur si ëngjëll më kalë,
Gjithë ja dhanë të qarit;
Me shumë re po shikonin,
Luteshin për Skënderbenë,
Se si perëndin` e donin,
Gjithë njerëzit që qenë,
E dinin q`ish trim tatari,
S`pandehninë që të mundej,
Ish i math si qipi bari,
Pa nga vëndi nukë tundej.
Skënderbe, o jetëgjatë!
I tha: "Ti mik, mase thua
Me mburrje shum` e lëvdatë,
"Nukë ma del njeri mua";
Edhe me shpresë gënjehesh,
Në mëmëdhet tënt të thuash,
Nonjëherë kur të kthehesh,
"Unë kurrë s`u rrëzuash!"
Po shpesit q`i është shkruar,
Të mos shohë më folenë,
Futetë si i verbuar,
E heth në rrezik vet`henë."
Këto tha dhe ju lëshua,
Prins` i bukurë si ylli,
U derth posi një dragua
Që po suletë nga pylli.
Të dy kordhëtë i hoqnë,
Njëri-tjatërin të priste,
Me fuqi shum` u përpoqnë,
Shoku-shoknë s`munt ta vriste,
Se ishin veshur në hekur,
Dhe dininë të lëftonin,
Ishin fort mirë të pjekur,
Pa vet`henë e mburronin;
Po trimi, q`i lij pas shokët,
Hoqi fort mirë një shpatë,
Tatarit i ra në kokët,
Ra i ziu si lopatë.
Gjithë ç`qen` atj`edh`e panë,
Thirr` e thanë shumë fjalë,
Pastaj i erdh` atje pranë
Skënderbegut e ju falë
Pleqt` u çudinë nga fati
Dhe i dhanë shum` urata,
Njeri udhënë s`ja preu
As me luftë, as me mitë.
Turqisë i ndihu fati,
Skënderbegu e zgjeronte,
Dhe në front prehej Murati,
Burri trim për të lëftonte.
Mundi Europ` e Azinë,
Si Skënder` i Math njëherë,
E madhoj shumë Turqinë,
Bëri Mbretëri të gjerë.
Trimëri e Shqipërisë,
Skënderbe` burr`i vërtetë,
I hodhi themel Turqisë,
Fat i zi, o fat i shkretë!
Gjithë bota Skënderbenë
E dëgjoj edh`e zij ngoje,
Emër`i tij mori dhenë,
E gjithë dridheshin soje.
Edhe në Adrinopojë
Sulltan e të tjerë ç`qenë,
Më s`kishin tjatrë në gojë,
Po gjithënjë Skënderbenë.

Parajsa

Pjesa e parë

O vëllezrë shqipëtarë!
Pa të zëm` udhën e mbarë,
T`i bijem pas urtësisë
Dhe dritës e diturisë,
Të mos rrimë n`errësirë,
Se nuk është pun` e mirë.
Neve që qemë njëherë
Në gjithë botët të ndjerë,
Dhe të par` e të lëvduar,
E të rënd` e të dëgjuar,
Trima të fort e të mirë,
Të rrimë sot n`errësirë.
. . . . . . . . . . . . .
Ishin trima prindit tanë,
Pa emrë përjetë lanë.
Aleksandr`i Math i ndjerë
Dhe shumë shokë të tjerë,
Q`ishinë me të të parë,
Qenë gjithë shqipëtarë.
Muntnë së pari Greqinë,
Pasdaj muntnë dhe Persinë.
Zunë dhe Hind e Afrikë
Burratë trima pa frikë.
Faqen e dheut e fituan,
Më çdo anë mbretëruan.
Selefqinjtë, Ptolemenjtë,
Gjithë ç`qenë të mbëdhenjtë,
S`qen` as grekrë as bullgarë,
Ishin burra shqipëtarë.
Kombinë tën e nderuan
Dhe Evropën e shpëtuan
Nga kurt` i zi i Persisë,
Dh`i dhanë nder Shqipërisë.
Pirrua romanët mundi
E gjithë jetën e tundi.
Kostandin`i Math, q`i thonë,
Dh`ajy ish nga fara jonë.
Gjithë njerëzit e mbarë,
Thua, qenë shqipëtarë.
Shqipëtari ka lëftuar,
Dhe ajy ka mbretëruar.
Aleksandr` i Math Greqinë
E kishte bërë të tinë,
Me luft` e kishin marë
Prindit tanë kordhëtarë,
Pa në Thivë njerës lanë,
Thivasit u ngren` i vranë,
I vranë me të pabesë,
Pas zakonit të Moresë.
Shqipëtarët kordhëtarë
Thivësë i vunë zjarrë!
S`i kursyenë gjë zjarit,
Vetëm shtëpin` e Pindarit,
Se ish vjershëtor i ndjerë
Dhe i parë mi të tjerë.
Shqipëtarët pas Greqisë
Iu lëshuanë Asisë,
Njeri kurrë nuk i mundi,
As u qëndroi dot gjëkundi,
Gjithë përpara i vunë,
Faqen e dheut gjith` e zunë.
Burr` i math i Shqipërisë
Ndënji në fron të Persisë,
E arratisnë Daranë,
Njerëzit e ti e vranë!
Aleksandri dha lirinë,
E shpëtoi nga zgjedh` Asinë,
I dha nder dhe Shqipërisë,
Mëmës së ti, q`i dha sisë,
Përkujdesi njerëzinë
Dhe pruri qytetërinë,
Bëri udhë e qytetë,
Pru gëzim në gjithë jetë
Edhe sot Aleksandria
Na rrëfen punët e tija.
Evropën e ka shpëtuar
Nga një zgjedh e mallëkuar.
Këto punë shqipëtarët
I bënë, ata të parët,
Ata të parëtë tanë,
Edhe emërë na lanë.
Edhe Pirroja ish burrë,
Që s`ka pasur shokë kurrë.
Ay romasit i mundi,
Italinë tër` e tundi;
Tekdo që kishte lëftuar,
Botën e kish tëmerruar.
Kështu edhe shumë të tjerë
Shqipëtar` ishin të ndjerë.
Ishte mëm` e trimërisë
Edh` e zonj` e urtësisë
Shqipëria kurdoherë,
Që nxirte burra të vlerë.
Trima burra të vërtetë
Sa kanë qënë në jetë
Të gjithë ajo i polli,
Trimëria soje dolli.
Qe dhe një koh` e një ditë,
Që polli dhe perënditë,
I pat pjellë Shqipëria,
Pa u falej njerëzia,
Dhe besoninë qëmoti
Që në Shqipëri rrij zoti,
Vij rremet i njerëzisë,
E i falej Shqipërisë.
Tomori nuk ësht` i pakë,
Që nxjer dhe sot zë pa flakë,
Se rrininë perënditë
Ndë atë natë e ditë!
Prindit tanë i besonin
Perëndit` e s`i mërgonin.
Perëndi e trimërisë
Ishte mëm` e Shqipërisë.
Shqipëtari trim me fletë
Rronte gjithënjë në jetë,
Shigjet` e ti vrëngëllinte,
Vdekjenë me vet` e shpinte!
Perëndi e bukurisë
Me shijët të gjithësisë,
Q`ësht` e bardhë si dëborë
Nuk e lij kurrë Tomorë,
Flinte në shtratthit të artë
Shtat` i bardhë posi kartë.
Leshërat i kish të arta
Edhe faqezët të zjarta,
Ballë, gushë, krahëruar,
Llërë, pulpë, këmbë, duar,
Prej drite ishinë bërë,
Sikundër dhe trup` i tërë.
Si dëbor` e kishte gjinë,
Pa sill nër mënt bukurinë!
Kur kthehej e të shikonte,
Zëmrënë ta përvëlonte.
Zën` e kishte si bilbili,
Faqetë si trëndafili,
Diellin e urdhëronte,
Në gjit të saj perëndonte,
Në shtratthit të saj e vinte,
Edh` e mbant` e nuk e linte,
Tërë natën e pushtonte,
Pa në mëngjest e lëshonte.
Hëna këto duke parë,
Dhe duke tretur e tharë,
Ligej fort shum` e drobitej,
Kahënitej e venitej,
Se i haj zëmrën nakari,
Që djek i shkreti si zjarri.
Perëndi e bukurisë,
Q`i ip dritë njerëzisë,
Nga gjir` i saj dritë qitte,
Hënënë e përsëritte,
I ip pjesë bukurie
Edhe shij` e drit` e hije.
. . . . . . . . . . . . . . .

Pjesa e dytë

Dhe fqinjët e Shqipërisë,
Armikët e perëndisë,
Kshu treteshin nga nakari,
se ish burrë shqipëtari.
Sa mbretërë të dëgjuar,
Në Shqipëri të uruar,
Sa burra të fort` e trima,
Me vështrim si vetëtima,
Kan` ardhur e kanë shkuar,
Dh` emri s`u është haruar!
Me ta bashk` ish trimëria,
Dhe me ta ish urtësia,
Të dyj` ato mbretëronin,
Mëmëdhen` e lulëzonin,
Ish parrajsë Shqipëria,
Se ishte gjall mirësia.
Bukuri e perëndisë,
Perëndi e bukurisë,
Këmbergjëntë, leshflorinjtë,
Duke mbledhurë pëqinjtë,
Në Shqipëri tekdo shkelte,
Bari mbint` e gjethi çelte,
Dhe luletë lulëzonin,
E bilbilëtë këndonin.
Ajo dhe në re qëndronte,
Edhe nd`erë fluturonte,
Tekdo vij, ip bukurinë,
E përndante mirësinë.
Bëheshin mollëtë ftonjtë,
Portokaletë, lemonjtë,
Manatë, rrushtë, qershitë,
Fiqtë, arratë, lajthitë,
Pjeshka, thana, vadhja, shega,
Ulliri me shumë dega,
Gruri, misëri, peceli,
Elbi, tërshëra e meli.
Ish i veshur vëndi gjithë,
Dhe pill shumë pem` e drithë,
Drur`i dardhësë me dardhë
Ish si zonja sisëbardhë.
Nër fushatë luleshumë
Lumënj vrapmëdhenj pa gjumë
Shkoninë duke kënduar
Me kanisk të math nër duar.
Ata mëmë kanë renë,
E ajo ka atë denë.
Dheu, kafshëtë, bagëtia,
Shpestë, gjithë njerëzia,
Pin` ujët e tyr` e prehen,
Dhe bimërat pa të s`bëhen.
Tek shkonte lum` i uruar,
Q`ishte si ar i kulluar,
Kafshëtë dhe bagëtia,
Lëçinin si mizëria.
Edhe grat` e Shqipërisë
Gjithë me foshnjë në sisë,
Sicila ish mbretëreshë
Dh`e bukur si pëllumbeshë
S`shihnje një gjë të shëmtuar
Dhe pa gas e të helmuar.
Edhe vashëzë mes`hollë
I kuqte faqja si mollë,
Dorën q`e kish pej ergjëndi,
S`e hiqte nga avlëmëndi,
Gjithë ç`i duhej në jetë,
I bënte të tëra vetë.
Në viset të Shqipërisë
S`kish gjë përveç mirësisë,
Moskamja dhe varfëria
E të tjera të këqija?
Kurrë në Shqipëri s`ishin,
Mase dhe emërë s`kishin.
S`kish as kurva as kurvarë,
as të liq kish as kusarë,
Gjithëkush vetë punonte,
E njeri nukë përtonte;
Sicili fort mirë shkonte,
Haj, pij dhe tepëronte;
Këto me djers` i fitonin,
Më shumë nukë kërkonin,
Se kish duk nga perëndia
Dhe uratë Shqipëria.
Ish shumë trim shqipëtari
Dhe i bukur si fill ari,
Si burratë edhe gratë
Ishinë trime me shpatë,
Ish ligë vëllazëria,
Edhe besë miqësia.
Shqipëria gjithë nderë
Kisht` e ishte shum` e ndjerë.
Shqipëtari ish i mirë,
Dhe kish emër të pavdirë.
Shqipëria shum` e vlerë
Ish e madh` e gjat` e gjerë,
Se ahere s`ishin shqehtë,
As maxharëtë, as vllehtë,
Ishin gjithë shqipëtarë
Në atë kohët të parë,
Qeltëtë kishinë fqinjë,
Q`ishinë brinjë për brinjë.
Ishte një tjatrë jetë,
Shi t`artë shtininë retë,
Ish një ver` e gjithënjëshme
E një kohë shum` e bëshme,
Dhe në dimërë vërritë,
Që mbaninë bagëtitë,
Ishinë plot manushaqe,
Dheu kish bukuri mi faqe.
. . . . . . . . . . . . . .
Shqipëtar` ish i vërtetë,
Trim i bukur e i qetë,
Fjalënë që ip, s`e kthente
E s`doj kurrë të gënjente.
Të miratë gjithë ç`janë
I kishin prinditë tanë.
Bima pillte kallinj tetë,
Nëntë, dhetë, dymbëdhetë.
Të tërë dhenë ta rrihnje,
Plak të kërrusurë s`shihnje,
Veç kalliri unjte kokë,
Nukë dilte përmi shokë.
. . . . . . . . . . . . . . .
Vasha fill e vetëm shkonte,
Njeri kurrë s`e shikonte,
Në flori ngarkuar shkonje,
Gjësendi nukë pësonje.
Kish ahere Shqipëria
Gjithë ç`kërkon njerëzia,
Zot`i math e kish uruar,
Pa ishte fatbardhësuar,
Kishtej njerës të vërtetë,
Trima burra pa të metë,
Kish kamjen` e dashurinë,
Mirësin` e urtësinë,
Ish e tërë një fëmijë,
At` e mëm` e bir e bijë,
Kish bulmet e pem` e drithë,
Edhe të miratë gjithë.
Mijëra vjet kështu shkuan,
Shqipëtarëtë s`u ndryshuan,
Patnë gjith` ato që duhen,
Kishinë nder` e lirinë,
Pa dhe gjithë mirësinë,
Se njeriu e njerëzia
Ushqehenë nga liria.
Njeriu lindi i liruar,
Pasdaj e kanë penguar.

Pjesa e tretë

Gjithë botënë romanët
E vunë poshtë, veç tanët
U pren` udhën` e s`i lanë,
Pa shumë lufëtra ngjanë.
U mbyt në gjak Shqipëria,
Po rop s`u bë njerëzia,
Nuk` u bë rop shqipëtari,
Po qëndroi si ish së pari!
Dha shpirtin e gjakn` e derdhi,
Në zgjedhë si kau s`erdhi,
Mbroi nder` e Shqipërisë
Dhe sendrën` e njerëzisë!
Mbajti lirin` e ra vetë,
Trimërinë s`e la shkretë.
Pa kur erdhë egërsirat
Me të gjitha të pahirat,
Si hynë, shqeh e të tjerë,
Duke vrar` e duke prerë,
Të gjithë kombet` i zunë
Dhe në kurt të keq i shtunë,
Njeri përpara s`u dilte,
Gjithëkush udhën` u çilte.
Vetëm prindit trima tanë
"Gjer aty, barbar`!" u thanë.
Dhe kur erdhë nga Asia
Të shumë si mizëria
Turqitë, q`ishinë trima
Dhe binin si vetëtima,
Pa më thoni kush lëftonte
Edhe gjësendi s`pësonte?
Vall` elinët a bullgarët!
Apo neve shqipëtarët?
Njeri tjatërë s`kuxonte,
Veç shqipëtari lëftonte!
Ajy prap` e ka shpëtuar
Evropënë e verbuar.
Kush nuk e di Skënderbenë,
Që nderojti mëmëdhenë?
"Lum ti, moj Shqipëri!" thashë,
Armët e ti` kur i pashë
Ndë Belvedere në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.
Dhe sot nga armët e tija
Kullon fjeshtë trimëria!
E di njerëzi e tërë
Atë zot ç`punë ka bërë
Kur hiqte Skënderbeu shpatë,
Trimavet u ipte datë!
Burra të veshur në hekur
Dhe luftëtarë të pjekur,
Q`ishin në luftë kaluar
Përmi kuaj të harbuar,
Kur hiq me kordhët të prehtë,
Q`ishte si pëndëz e lehtë,
Posi pjepërin i priste,
Në vdekje pa ndjer` i klliste,
Njerin` e kalën e çante,
Të dy më katër i ndante.
Mirësin` e trimërinë,
Dhe mëndjen, e urtësinë
T`ati zoti njeri kurrë
S`e ka pasur nonjë burrë.
Vet` ajy burr` e trim ishte,
Edhe shokëtë që kishte,
Si Tanushi me Uranë,
E Moisiu me Hamzanë,
Si Maneshi e Muzaka,
Që hidheshin posi flaka,
E si Lekë Dukagjini,
Si Perllati, si Mardini,
Zënëbisha, Araniti,
Gjon Koka, q`ish si hastriti,
Kont, prens, mbretër e të tjerë,
Burra të vler` e të ndjerë.
Qenë trima të vërtetë,
Nuk u bënë rop në jetë.
Opopo! ç`kanë lëftuar,
E ç`punë kanë punuar!
Sa mbretër e prensër qenë,
Njohnë të math Skënderbenë,
Zun` udhën e urtësisë,
Ishinë lark marrëzisë,
Për Shqipërinë lëftonin,
Madhëritë nuk` i donin,
Po kishin vëllazërinë,
S`e qasninë djallëzinë,
Pa lan`emërë përjetë,
Zotërinjtë e vërtetë,
Veç Shqipërinë mejtonin,
Të tjeratë i harronin,
S`kishin ata thashetheme,
Të këqija e të rreme,
Donin gjithë mëmëdhenë
Dhe kombin` e Skënderbenë,
Kush i rrij kundrejt Tyrqisë,
Veç burrat` e Shqipërisë,
As Sërbij` as Bullgaria,
As Elladha as Vllahia,
As Venetia qëndronte,
As tjatërë komp kuxonte.
Evropa ishte e shuar,
Njerëzit të mallëkuar,
Kishin vdekurë nga frika,
Nga Turqit` u binte pika,
U trëmpnë gjithë me radhë,
Dhe Vlladisla me Uniadhë,
Si gjithë këta të rinjtë,
Dhe papa e vyzandinjtë
Më një ditë Konstandinë
Turqit` e zunë dh`e pshinë,
Kostandinopoj` e ndjerë
S`u mbajt, po ra menjëherë.
Grekërit` ishin të vdekur,
S`hanin dot barut e hekur,
Le të mbahen me lëvdatë
Grekërëtë posi gratë,
Me fjal` e me thashetheme,
Janë të gjitha të rreme.
Kishte vdekur njerëzia,
Rronte vetëm Shqipëria,
Veç shqiptari lëftonte,
Njeri tjatërë s`kuxonte.
Kordhëtar tjatërë s`gjenë,
Turqitë, veç Skënderbenë.
Skënderbeu me të parët,
Me të gjithë shqipëtarët,
I qëndruanë Turqisë,
I dhanë nder Shqipërisë,
Ata duall` e lëftuan,
Gjith` Evropën` e shpëtuan.
Te Skënderbeu kishte shpresë
Aher` Evrop` e pabesë.
Rrëfe, o mal` i Sopotit!
Edhe ti, Tomor`i zotit!
Me oshëtimë tregoni,
E me vetëtimë thoni,
Dhe ti, fortes` e Beratit!
E ju, bregoret` e Matit!
Folë, fol` o Drin`i shkretë!
Q`i ke parë me sy vetë
Të tër` ato ligjërime
I mer vesh zëmëra ime.
Këto gjithë po i dimë,
Më tëhu tani të vimë.
Pas Skënderbeut Shqipëria
Nukë ra në të këqija,
Se në kurt` kurrë s`ka rënë,
Poshtë njeri s`e ka vënë,
Se shqipëtari ish burrë,
Nënë zgjedhë s`hyri kurrë.
. . . . . . . . . . . . . .
Nder` e vjeftënë e mbajti,
Dhe sedrënë nuk e ndajti,
Nuk e harroi mëmëdhenë
Dhe lirin` e Skënderbenë,
I huaj në vëndit tënë
S`shkelte dot, se nuk ish thënë
Retë muntte të përpinte,
Në Shqipëri s`munt të vinte;
Fill e vetëm shqipëtari
Udhëtonte si m`i pari,
Me mbledhët të pleqësisë
Shihej pun` e Shqipërisë
Ligë kishin të vërtetën,
Që sbukuron gjithë jetën,
Kishin udhë urtësinë,
Besë kishin njerëzinë,
Udhërëfenjës e dritë
Kishin gjithë mirësitë.
Gjithë sa qenë të parë
Dhe me mënt e kordhëtarë,
Q`i dhanë jetë Turqisë
E nder të math Shqipërisë,
Të tër` ishin shqipëtarë
Sa bënë punë të mbarë,
Si Qyprilit` e të tjerë
Burra me emr` e të ndjerë.
Shqipëtari mbretëronte,
Ajy lëftont` e gjykonte.

Pjesa e katërt

Shqipëria ishte zonjë
E kishte të madhe pronjë,
Shqipëria kurdoherë
Ka nxjerrë trima të vlerë,
Mehmet Alin`, Ibrahimnë,
Gjikënë, Gjolekë trimnë,
Rrapon e Ali Pashanë,
Silahdarë e Shkodranë
E shumë njerës të tjerë,
Si këta dhe më të ndjerë.
Ishte vash` e Shqipërisë
Ajo zonj` e urtësisë,
Dora Distra nga Përmeti,
Q`ish në diturit si deti.
Gjithë gravet u ka dhënë
Nder dhe mëmëdheut tënë.
E kush e bëri Morenë?
Gjithë shqipëtarë qenë.
S`ish shqipëtar Marko Suli?
Xhavella e Miauli?
Bubulina e Kanari?
Shqipëtar bir shqipëtari.
Me armët të Shqipërisë
Iu hoth themeli Greqisë,
Po grekërët e pabesë,
Që iu bënë zot Moresë,
S`e duanë shqipëtarë,
Kërkojnë t`i bëjnë varrë!
Po kush bën në këtë jetë
Varr` e shokut, bije vetë.
Nukë trëmbet shqipëtari
Nga greku e nga bullgari,
Nga Mal`i Zi, nga Sërbia
Nukë trëmbet Shqipëria.
S`trëmbet kurrë shqipëtari,
Dhe sot ësht` ajy i pari,
Bota gjith` e kanë parë
Në luftëra shqipëtarë,
Plevna, Shipka s`u harua,
Koha shumë s`u mërgua.
Neve muntmë venetjanët
Dhe barbarët e romanët,
Turqinë edhe Persinë,
Afrikënë e Hindinë.
. . . . . . . . . . . . .
Gjithë njerëzit e dinë
Kush e bashkoi Italinë.
Cilët për vdekj` e për kokë
Garibaldi kishte shokë?
Shqipëtar ishin të tërë,
Ata punë kanë bërë.
Edhe sot lul` e Turqisë
Janë djemt` e Shqipërisë,
Njerës t`urt` e të vërtetë,
Të ditur e pa të metë.
Edhe sot është i zoti
Shqipëtari si qëmoti,
Çdo punë që ka punuar,
Kurdo e ka trashëguar.
Këto të vërteta janë,
E të rrema brënda s`kanë
Njeriu po të mësonjë,
Këto do t`i kupëtonjë.
Eshtë fjalëz e vërtetë,
Që tjatërë komp në jetë
S`i arrin dot shqipëtarit,
Burrit trim e punëmbarit.
Ka nxjerrë e do të nxjerrë
Shqipëria kurdoherë
Burra t`urt`e të vërtetë,
Ka pasur dhe do të ketë.
I ka dhënë perëndia
Gjithë ç`donte Shqipëria,
Se e ka ngrehur përjetë
Zot i math e i vërtetë.
Shqipëria s`copëtohet,
Kurrë nukëvarfërohet,
Posi hëna përsëritet,
Kurrë nukë kahënitet.
. . . . . . . . . . . . .

Gjithë ç`jemi shqipëtarë,
Jemi një fis e një farë,
Kemi të tërë një shpresë,
Një gjak, një gjuhë, një besë,
Besë kemi perëndinë
Dhe ligë vëllazërinë,
Jemi gjithë shqipëtarë,
S`jemi të çar` e të ndarë,
Jemi shtëpi e fëmijë,
At` e mëm` e bir e bijë.
Mëmë kemi Shqipërinë
Edhe motër urtësinë,
Kemi ndihmës trimërinë,
Mëm` e atë perëndinë,
Se asaj i prumë besë,
Të gjith` atje kemi pjesë.
. . . . . . . . . . . . . .
S`jemi as turq as kaurë,
Mos e thoni këtë kurrë,
S`jemi grekër as bullgarë,
Jemi vetëm shqipëtarë
Ky emërë na ep nderë,
Pa s`na duhenë të tjerë,
Kemi gjuhëzënë tënë,
Zot`i math na e ka dhënë,
Dhe komp e mëmëdhe kemi,
Të humbur në jetë s`jemi.
Ajy që s`do mëmëdhenë
Dhe kombin e vetëhenë,
Dhe gjuhënë që flet vetë,
S`është njeri i vërtetë.
Ata quhen tradhëtorë,
Janë të mjer` e të gjorë,
Faqezes e gënjeshtarë
Dhe të paqën` e të marrë,
E lenë mënjanë nderë
E lipin derë më derë
Ata janë posi berri
Edhe të ndyrë si derri.
Nder e vjeftë s`munt të ketë
Njeriu i tillë në jetë.
Gjithë ç`jemi shqipëtarë,
Jemi një s`jemi të ndarë,
Kët` emërë mjaft e kemi
Dhe na ep nder kur e themi,
Eshtë emr`i Skënderbeut,
Emr`i gjithë mëmëdheut,
Me kët` emrë të bekuar
Tanëtë janë lëvduar.
Selenik e tatëpjetë
Ka qënë dhe do të jetë
Vënd`i tër` i Shqipërisë
Me ndihmët të perëndisë.
O ju fqinjtë e pabesë!
Mos bini me atë shpresë,
Shqipëria s`copëtohet,
Shqipëtari nukë ndrohet.
Ju e njihni shqipëtarë,
E kini parë më parë,
Po mos delni nga kufitë
Edhe lini marrëzitë.
Që të kemi miqësinë
Të gjithë dhe dashurinë,
S`ka njeri të marrë pjesë,
Për të zonë do të mbesë
I zoti ë`shtë shqipëtari,
Ajy që ka qën` i pari,
S`ka njeri tjatërë pjesë,
Pa nukë ka besa-besë.
Shqipëria ka të zonë,
Q`e ka pasur gjithëmonë,
Me qënë gjall shqipëtari,
Ç`kërkon greku dhe bullgari?
Dhe Mal`i Zi e Sërbia
Ç`kërkojnë nga Shqipëria!
Hiquni, o të pabesë!
Se e zeza do t`u presë!
Djemt` e Skënderbeut përjetë
Janë burra të vërtetë,
Ç`e pandehtë shqipëtarë?
Të vdekur, q`i bëni varrë?
S`e dini ç`u ka punuar?
S`më ngjan t`i kini haruar.
Kush ia ka me të pabesë
Shqipërisë, do të vdesë,
Do të vdes` e të humbasë,
Nga nakari të pëlcasë,
Shqipëria do të rronjë,
Paskëtaj të mbretëronjë.
. . . . . . . . . . . . .
Në pastë ndër shqipëtarë
Pakë grekër e bullgarë,
Pakë shqipëtarë janë
Vallë nëpër fqinjtë tanë?
Ne duam vëllazërinë,
Dashurin` e miqësinë,
. . . . . . . . . . . . .
Pa luftës s`i trëmbet kurrë,
Shqipëtari është burrë.
Edhe Evropa e tërë
Sonte me ne është bërë,
Se të drejtën ne e kemi,
Ne të zott` e vëndit jemi.

Pjesa e pestë

Sot për sot Maqedhonia,
Thesprotia, Mollosia,
Dhardhania, Iliria,
Paravea, Haonia
Që u thoshinë qëmoti
Bota, po s`u thosh i zoti,
Bëjnë gjithë Shqipërinë,
Edhe fqinjtë ton` e dinë.
Tani, djemt` e mëmëdheut!
O të bijt` e Skënderbeut!
Ju, o vëllezër e shokë!
Pa mblithni mënttë në kokë,
Zgjohuni, o shqipëtarë,
Se afëroi dit` e mbarë!
Mos vini veshnë në botë,
Si të dojë le të thotë.
Gjithë ç`jemi shqipëtarë,
Jemi një komp e një farë,
Edh` e tërë Shqipëria
Eshtë një si perëndia.
Lereni mënjanë fenë,
Të shikojmë mëmëdhenë,
Të jemi miq në mest tënë
Dhe shokë, si kemi qënë,
Ta shtojmë vëllazërinë,
Dashurin` e miqësinë.
. . . . . . . . . . . . .
Jemi djemt` e mëmëdheut
Gjithë dhe të Skënderbeut,
Sicili le të besonjë
Sikundër të kupëtonjë,
Po feja të mos na ndanjë,
Në zgjedhë të mos na mbanjë.
Përpiqi për vethet tuaj,
Mos për bot` e për të huaj.
Eshtë dit` e diturisë
Sot e koh` e urtësisë
S`bën dot punë marrëzia,
Padija e foshnjëria,
Poshtë ndarja e nakari,
Qoftë lark nga shqipëtari,
Rroftë bashkimi përjetë,
Q`e fali zot`i vërtetë!
Ta kemi vëllazërinë,
Miqësin` e urtësinë,
Një fjalë gjithë të themi
E një dëshirë të kemi:
Të nderojmë mëmëdhenë,
Gjuhënë e vetëhenë,
Shqipërinë ta shpëtojmë,
Së gjithash ta lartësojmë
Atë kemi gjithë mëmë,
Në të huaj nuk` e lëmë
Pa njeri të mos kuxonjë
Ta pres` e ta copëtonjë.
Shqipëri, o jetëgjatë!
Ty të kemi mëm` e atë
Dhe për ty do të lëftojmë,
Gjersa të të trashëgojmë!
Për ty gjithë, dit` e natë,
Mejtohemi gjer` e gjatë.
Ti kurrë s`prishesh, s`shkretohesh,
As drobitesh, as pengohesh.
Më ke gjithë bukuritë
E të tëra mirësitë:
Ke fusha me lule shumë,
Lumënj të mbëdhenj pa gjumë,
Male të lart` e të veshur,
Buzën` e detit të qeshur;
Gjithë gazë ta dha zoti,
Ta ka falur që qëmoti;
Më je dritëzë në dritë,
Me të gjitha mirësitë.
Për ty shumë do të thoshe,
O Nuseja bukuroshe!
Ti s`plake kurrë në jetë,
Posi perëndia vetë!
Vdekja edhe pleqëria,
Shëmëtimi, dobëtia,
Ty s`ta zënë dot pëqinë,
Mësa zënë perëndinë!
Ke pjell` aqë të vërtetë,
Sa s`nëmërohen në jetë,
Pa ke pjellë Skënderbenë
E gjithë trimat sa qenë.
Ke sot djem t`urt` e të mirë,
Trima me shumë dëshirë.
Nukë vdesin shqipëtarët,
Janë vet`ata të parët.
Dardha nënë dardhët bije,
Dit` e sotme qe dhe dije,
Nukë shuhet njerëzia,
Vdes e ëma, rron e bija,
Rron i biri, q`është vetë
I ati që qe ndë jetë.
Trëndafili, që ep er,
Çeletë sërish në verë.
Ju priftërë mjekër gjatë,
Q`u quan kombi uratë,
Uratë e perëndisë,
Q`është drit` e gjithësisë,
Munt të bëhi të pabesë
Për të mirët të Moresë?
............................
Harroni dot mëmëdhenë?
E pse? Ç`e kemi Morenë?
Krishti grek nukë ka qënë,
Dhe besën ata s`e bënë.
Dhe ju hoxh` e ju dervishë
Mos shihni xhami e kishë,
Si kisha ë`shtë dhe xhamia,
Tekdo është perëndia,
Pa të tërë njerëzinë
Zot` i math e ka të tinë,
Se përpara perëndisë
Nj`është tuf` e njerëzisë
Kush ka zëmrë të qëruar,
Munt të jet` ajy m`i çquar,
Se po vetëm urtësia
N`afëron te perëndia.
Ta doni keq perëndinë,
Po bashkë me Shqipërinë.
Shqipëri, të qofsha falë!
Të kam mëm` e më ke djalë,
Në gjit tënt ngrihem e bije,
Ti ke fuqi perëndie,
E mer në gjit bukurinë
Dh`e nxjer prapë kur hap gjinë.
Trëndafil` i kuq me palë,
Që nga gjiri yt ka dalë,
Është gjaku i një mbreti,
Që prëhje ndë gjit tënt gjeti.
Nga të mos nxjerç lule m`erë
Ti, që këllet kurdoherë
Ndë gji vetë bukurinë?
Gjithë tek ti ven` e vinë.
Parrajs` e vërtetë vetë
Është Mëmëdheu në jetë.
Gjon Buzuku
Gjon Buzuku
20.12.2016 | 09:32
Zef Serembe
Zef Serembe
20.12.2016 | 09:26
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri
20.12.2016 | 09:20
Jeronim de Rada
Jeronim de Rada
20.12.2016 | 09:16
Ali Asllani
Ali Asllani
20.12.2016 | 09:10
Gaspër Pali
Gaspër Pali
20.12.2016 | 09:00
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
20.12.2016 | 08:55
Martin Camaj
Martin Camaj
20.12.2016 | 05:15
Shefkije Islamaj
Shefkije Islamaj
20.12.2016 | 05:06