Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
20.12.2016 | 08:55
Biografia


Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Lindi në Shkodër më 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës, dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Çakin Shkodra dhe Lekë Gruda).
Më 1908 Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.
Në vitet 1921-1923 Luigj Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i Fan Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.
Pas kundërrevolucionit emigroi në Itali, dhe në mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. F. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur "Syrgjyn-vdekur", kurse populli pas luftës ia solli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titullin e lartë "Hero i Popullit" dhe "Mësues i Popullit".
Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e ti ju përmblodhën në një vëllim më 1941.
Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën "Shko dallëndyshe" të Filip Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.
Krijimi më i njohur i tij është vjersha "Qëndresa", ku gërshetohen edhe elemente autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.
Luigj Gurakuqi është ndër të parët që parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën "Deka e zanave" thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.
Luigj Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjlit, të cilat i botoi në "Këndimet" (1912).
Interes të veçantë paraqet libri "Vargnimi në gjuhën shqipe" (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë.
Edhe si publicist Luigj Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista "Albania", te "Kalendari Kombtar", në gazetat" Drita", "Liria e Shqipërisë", "La Nacione Albanese". Si stilist i shquar, ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet.
Luigj Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet,publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.

Veprat

"Vargnimi në gjuhën shqipe" (1906)
"Këndimet" - vjersha për të vegjëlit (1912)
“Përmbledhje me poezi” (1941)

Krijimtaria

Luigj Gurakuqi është njëri prej themeluesve më të rëndësishëm të shtetit Shqiptar, kujtim i figurave të rëndësishme të kujtesës sonë historike, është i rëndësishëm në shumë aspekte siç shprehej edhe vet Gurakuqi: ”Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekson kujtimin e tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë por edhe mbi rrasa në monumenta, ai popull tregon se ka ndërgjegjje, se ka ndjesi të holla, se ka dëshirë me u sjell e me e drejtu mbas shembullit të të mdhajvet të vet”.
Luigj Gurakuqi ishte politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, njeri i kulturës dhe i shkencës, ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve dhe i kulturës klasike romake e latine.
Ai ishte patriot i madh, bashkëthemelues i shtetit shqiptar të epokës moderne, përveç se themelues i alfabetit të shqipes, zotëronte në mënyrë të shkëlqyer latinishten,italishten,turqishten,frëngjishten, greqishten e gjermanishten.
Fan Noli e cilësonte Gurakuqin “pionier të qytetërimit perëndimor në Shqipëri”, si një nga “shqiptarët e flaktë që thithi me themel kulturën e perëndimit” dhe si “njeriu që punoj me gjatë e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellur farën e sajë në Shqipëri”.
Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirimin kombëtar pas vitit 1906.
Ne verën e vitit 1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes ne veri.
Ishte i dënuar me burgim te përjetshëm për veprimtarinë e tij kombëtare, rikthehet ne qytetin e lashtë të Shkodrës në vitin 1908, në moshën 29- vjeçare për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën historike te kombit të vet për shekuj.
Derisa i afrohej qytetit, kishin dalë për ta pritur shume bashkëqytetarë të tij, të krishterë e myslimanë, si shenjë nderimi të thellë.
Me 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të mbi Shkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, ai harton Memorandumin e Greces, të njohur si "libri i kuq" .
Me 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit.
Gurakuqi shkroi vendimin historik te Kuvendit Kombëtar te Vlorës, nëpërmjet të të cilit shpallej se "Shqipënia me sot do të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme" .
Gjatë Luftës së Parë Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë, gjatë pushtimit austro-hungarez, emërohet drejtor i përgjithshëm i arsimit dhe punoi për hapjen e shumë shkollave shqipe.
Mori pjesë në Kongresin e Durrësit me 1918, ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris.
Me 1921-24 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar.
Disa herë ministër në kabinetet qeveritare, i arsimit, financave, madje edhe ministër i brendshëm në kabinetin disa ditor të Hasan Prishtinës, shtetar të tillë do ti mungojnë Shqipërisë jo vetëm në shekullin e XX, por edhe në shekullin XXI.
Si politikan e burrë shteti, Gurakuqi ishte liberal demokrat, kur në parlament Ali Kelcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet se "Z. Ali Kelcyra më tha si për qortim se jam liberal.
I faleminderit dhe mund të jetë i sigurtë zotnia e tij se vdekja do të me ndajë nga mendimet e mija liberale". Luigj Gurakuqi na ka lëne një përvojë të pasur për jetën parlamentare, ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, ai kishte vlerësim e besim të madh tek parlamenti, ligji e vota e lirë e popullit.
Sipas dokumenteve të kohës Luigj Gurakuqi në kundërshtim me historinë e pas luftës nuk ka qenë në frymëzuesit e revolucionit të qershorit.
Megjithatë, ai iu bashkua këtij revolucioni dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua ministër i Financave, "Gurakuqi - shkruante S. Vinjau - u tërhoq (ne revolucion - V. H.) pas një kundërshtimi për nxjerrjen e numrit të gazetës "Ora e Maleve", një telegram nga Vlora e njoftonte për fillimin e revolucionit.
Personaliteti i L. Gurakuqit spikat në fushën e diplomacisë, ai qe përfaqësues i Shqipërisë kur vendoseshin fatet e saj në ballafaqimet diplomatike në qendrat më të mëdha të politikës evropiane: në Londër, në Romë e në Vjenë, në Paris dhe në Gjenevë.
Kështu, në Londër, me 1913 me Ismail Qemalin dhe Isa Buletinin; në Konferencën e Paqes në Paris, me 1919, me delegacionin e Qeverisë së Durrësit apo në Gjenevë, me 1924, në Lidhjen e Kombeve me Fan Nolin.
"Diplomacia e vërtetë mbështetet mbi udhën e mesme, te cilën e gjejnë vetëm ata qe, tue mbajtun të patundun parimet, dijen me pajtue të drejtat e nevojat e atdheut të vet, në kushtet e politikës së përgjithshme".- shkruante Gurakuqi
Gjergj Fishta, në një përshkrim te delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, shkruan se: "Asht e kot te gënjehemi, nëse përjashtohet Gurakuqi që vetëm ai ka një kulturë të përshtatshme, ka një atdhetari te shëndoshë dhe një njohuri të gjerë për njerëzit dhe për sendet e Shqipërisë, asnjë nga anëtaret e qeverisë, qoftë të sajë së mëparshmes, qoftë të së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqipërinë dhe të mbrojë siç duhet interesat e sajë".
Luigj Gurakuqi e kishte të qartë rolin e diplomacisë ndërkombëtare rreth fatit te Shqipërisë, dhe për hir të së vërtetës duhet pranuar se mbështetja evropiane, sidomos Austro-Hungareze, Italiane dhe e shtetit te Vatikanit për krijimin e shtetit shqiptar ka qenë më përcaktuese sesa lëvizjet “kautike” dhe të pa organizim si duhet të shqiptarëve në këtë drejtim.
Luigj Gurakuqi është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të lëvizjes sonë kombëtare për autonomi, liri e pavarësi .
Gurakuqi luftoi për njësimin e alfabetit i udhëhequr nga teza “një komb, një gjuhe, një alfabet”.
Me 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit
Me 1909 u emërua drejtor i shkollës së parë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare.
Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri, u krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve.
Si ministër i parë i arsimit shqiptar, ai punoi që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare.
Luigj Gurakuqi ishte i vetëdijshëm më shumë se kushdo për dobinë e alfabetit dhe të të shkruarit të gjuhës amtare, kjo shihet edhe në botimet e tij.
Gjon Buzuku
Gjon Buzuku
20.12.2016 | 09:32
Zef Serembe
Zef Serembe
20.12.2016 | 09:26
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri
20.12.2016 | 09:20
Jeronim de Rada
Jeronim de Rada
20.12.2016 | 09:16
Ali Asllani
Ali Asllani
20.12.2016 | 09:10
Gaspër Pali
Gaspër Pali
20.12.2016 | 09:00
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
20.12.2016 | 08:55
Martin Camaj
Martin Camaj
20.12.2016 | 05:15
Shefkije Islamaj
Shefkije Islamaj
20.12.2016 | 05:06