Ministria i kompensoi fermerët mijëra euro më shumë se sa ishin dëmtuar nga fatkeqësitë
Ministria i kompensoi fermerët mijëra euro më shumë se sa ishin dëmtuar nga fatkeqësitë
23.06.2022 | 03:52
Mbi 6 mijë euro më shumë sesa iu takonin është shuma që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë për 6 fermerë në Komunën e Istogut.

Mjete ishin ndarë në emër të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në të mbjellat e tyre.

Këto konstatime janë bërë të ditura nëpërmjet një raporti për vitin 2021, të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.


E gjitha kishte ndodhur për shkak të gabimeve gjatë përllogaritjes së dëmeve nga Komuna e Istogut dhe mos verifikimit të duhur të listave.

Sipas këtij raporti, këta 6 fermerë në disa raste kishin rritur vlerën totale të kompensimit, ndërsa në disa të tjera kishin rritur vlerën e rendimentit të dëmtuar.

Ndërkohë, ministria në fjalë kishte bërë zbatimin e këtij vendimi duke paguar fermerët në bazë të listave të dërguara tek Komisioni i Ministrisë i cili kishte mandat pranimin, verifikimin dhe shqyrtimin e Raporteve të vlerësuara nga Komisionet komunale të dëmeve.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, është rekomanduar që Ministria e udhëhequr nga Faton Peci të konsultojë zyrën ligjore dhe komunën përkatëse duke u angazhuar në kthimin e këtyre pagesave nga përfituesit në llogarinë e buxhetit.

Për këtë çështje, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e ka një përgjigje.

Në anën tjetër, televizioni iu është drejtuar edhe Komunës së Istogut për t’i pyetur se kur do të bëhet rikthimi i mjeteve edhe nga fermeri i gjashtë i cili ka qenë në proces, por ky institucion gjatë së mërkurës nuk ka kthyer përgjigje.

Me një vendim të Qeverisë së Kosovës në korrik të 2021-ës, ishin ndarë mjetet për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare në bujqësi, për vitin 2020 në shumën e dëmeve prej 30%.