Si u harruan pëllumbat e Lecit?
Si u harruan pëllumbat e Lecit?
03.12.2021 | 03:39
Nga: Frano Kulli

Nuk ka kaluar edhe aq shumë kohë sa për t’u harrue pëllumbat e Lecit. Njëzet a pak më shumë vjet nuk janë edhe aq shumë për t’i mënjanuar nga kujtesa, sidomos gjërat a ndodhitë e fenomenet që shfaqen për së pari herë. Siç qenë edhe pëllumbat e Lecit, asohere kur u shfaqën tufë e madhe, në sheshin kryesor të qytetit të Lezhës, diku aty nga fundi i viteve 1990, bashkë me kuriozitetin e pamatë të qytetarëve. Atyre më rishtarëve sidomos, të ardhurve fusharakë, të cilët ishin të mësuar me ndonjë kafaz të vogël vendosur nën pullazet e shtëpive të tyre andej prej nga vinin dhe me gugatjet jo edhe aq fort melodioze të pëllumbave, sikurse edhe me paqësinë e njohur të këtij shpendi. Por, aspak familjarë me pamje kësisoj, kur pëllumbat të mbushnin anekënd sheshin më të madh të qytetit dhe të bashkëjetonin aty me kalimtarë të zakonshëm a me kureshtarë që ndalonin e i soditnin plot kërshëri … Pamje që sot, pas kaq vitesh, me sadopak vëmendje i kujton si imazhe në miniaturë nga “Piázza San Marco” e Venecias – mrekulli e botës. Mua, më ka mbetë në mendje kur për herë të parë aty e kam blerë dhjetë mijë lireta një kaush me fara për t’ua hedhë pëllumbave e që pastaj ata, aq miqësor vijnë e të ulen në pëllëmbën e shtrirë, në supe e në gjunjë, po të jesh i përkulur …


Leci, qejfli pëllumbash, ndjesi që ndoshta i vinte edhe si reminishencë nga fëminia e hershme, erdhi duke e rrit numrin e madhësinë e kafazeve të pëllumbave, vendosur si pa zë sipër në tarracën e njërës prej ngrehinave publike aty në qendër të qytetit, krejt afër pallatit ku banonte. Si gjërat që, dalëngadalë, vinë duke u shumuar e pastaj zënë vend sikur të kishin qenë prej kohësh e kohësh aty sa, për dikë të pavëmendshëm, përcillen me frazën habitore: ou, po këto nga mbinë? Kështu kish ngjarë edhe me pëllumabt e Lecit, që tashmë nuk ishin vetëm të Lecit. E tija ishte veç përkujdesja pasionante për to, të tijtë ishin edhe thasët me ushqim, që ai, përveçëm e privatisht siguronte për to. Dhe, zgjati ky pejzash risi i qytetit … nuk e di saktë se sa, po saktë është e ditur se pëllumbat e Lecit nuk janë më …

Leci, Lec Marini është qytetar i hershëm i Lezhës, lindur dhe rritur aty. Të parët e tij kishin ardhë e ngulë këtu nga Shkodra, diku nga fundi i gjysmës së parë të shekullit njëzet. Si shumë shkodranë të tjerë, të cilëve Shkodra e madhe u rrinte ngushtë dhe vinin e instalonin zejen e tyre në qytetin e vogël, gjithsesi afër qytetit të madh e me lidhje të pashkëputura prej nga vinin. Leci nuk kish vijuar zanatin e të atit, po një tjetër zeje, atë të berberit. Qysh në rini kështu e qysh atëherë, dugaja kooperativë e tij dhe e ortakëve, si në të shumtën e qyteteve të Shqipërisë ishte kthyer në një “Xinhua” (agjencia e madhe telegrafike e Kinës), ku dilnin lajmet e para, të “situra” e të “pasitura” ku gëlonin thashethemet gjithfarëshe e ku fabrikoheshin hokat më të mbajtshme mend që përcillnit ditët qytetëse me njëfarë gazi, që dilte prej “buzësh të ngrimë” … Siç kishin ardhë më pas, në qytetin në periferi edhe shumë të tjerë, tashmë për të tjera arsye e motive. Për të ikë prej rrëmetit të fillimregjimit të dhunshëm e për t’u strukë në qytetin në periferi. Nush Radovani, njeni prej tyre, e zonja e tij Suzana, e bija e Nush Topallit, tregtarit të madh e qytetarit shembullor të Shkodrës së gjysmës së parë të shekullit XX. Zotni Nushi pak para fundit të Luftës së Dytë kishte mbaruar për statistikë në Firenze e si rrallë të tjerë shqiptarë e ndoshta hiç kush tjetër ishte laureuar me “trenta e lodi”. Ishte kthyer në Shqipëri në vitin 1943, në fillim si punonjës i Bankës Kombëtare e më pas në Drejtorinë e Statistikës, në Tiranë. Por, shpejt prej aty e përcjellin duarlidhun atje te vendi, në burg e në kampet e punës. Si të papërshtatshëm, natyrisht. Për dy arsye “të paarsyeshme”, si … shkodran e si … Nush.

Mbas lirimit, masandej rrjedha e hedh në Lezhë, zotni Nushin. E lënë të punojë mësues e spostojnë prej gjimnazit të qytetit në fshat, në Manati. Tani zotni Nushi është në amshim, po në kujtimet e ish-nxënësve Preç Zogaj e Pashk Përvathi, sillet sa herë plot venerim. Porse në shkollat e zotni Nushit sot, rrallë e kurrë ai përmendet si e sotme, si përvojë ditunore, vullnetmirë e misionare gjithashtu. Ende sot po rrallë kujtohet reparti i galvanizimit në fabrikën e letrës, ajo shpikje për kohen e krijim i zotni Nushit të gjithëdijshëm. Gjergj Lacaj, gjithashtu, me të shoqen Antonetën, të dëbuar, njeri prej Seminarit Papnor e tjetra prej Kuvendin të motrave Stigmatine. Sa krijime muzikore dhuroi zotni Gjergji për fëmijët e qytetit, sa koncerte me vepra korale, vokale e instrumentale bëri në dekada, me devocion e mision. E gjitha rri në ajër si frymë e largët e aspak si përvojë që mund t’i shërbejë mrekullisht së sotmes.

350 këngë popullore shkodrane ka mbledhur e vënë në pentagram Agim Velaj, shkodrani që gjysmën e jetës e çoi në Lezhë. Që rrokin gati një shekull krijimtarie muzikore qytetare, perlë. Themeluesi e drejtuesi i ansamblit virtuoz e laureat folklorik të Lezhës. Agimi jeton në Itali kohët e moshës së madhe, kurse këtu në Lezhë rikthehet në të rrallë në kujtimet sporadike të miqve. Dhe kaq… Sa pak për një punë e përkushtim të papërsëritshëm.

Sa shumë harrojmë! Edhe gjërat e bukura e të ndritshme i harrojmë, gjithashtu.