Prishtina e ëndrrave dhe dëshpërimit të madh
Prishtina e ëndrrave dhe dëshpërimit të madh
24.11.2022 | 03:26
Nga: Bajram Mjeku

Nuk më kujtohet si ndodhi të kalojnë dy vjet pa ardhur në Prishtinë, derisa vendlindja ime është vetëm dhjetë milje larg saj. Mbaj mend kur dy vjet më vonë, në pranverën e vitit 1976, më saktë kur isha vetëm dymbëdhjetë vjeç dhe i shoqëruar me babën, sapo kapërcyem urën që vjen nga drejtimi i Fushë-Kosovës, përballë meje u shfaq lagja Lakrishte, në të cilën ishin ngritur apartamente të reja dhe shumë moderne për kohën. Pak kohë më parë në këtë lagje kishte vetëm kopshte, në të cilat ishin të mbjella shumë perime dhe ishte ngulitur ndonjë barakë prej druri.

Atë ditë të bukur maji të vitit 1976, nga frika se mund të humbisja në turmën e njerëzve, tim eti ia shtrëngoja dorën aq shumë, sa duart na djersiteshin të dyve!

Që nga vitet gjashtëdhjetë, Prishtina nisi të “transformohej”, sipas sloganit komunist: “Ta rrënojmë të vjetrën, për të ngritur të renë”, ndërkohë që në emër të këtij “transformimi”, u zhbënë lagje të tëra, të cilat bashkë me “transformimin”, zhbënin gjithë trashëgiminë kulturore të Prishtinës, që kishte vlerë të pazëvendësueshme.

Degradimi i Prishtinës ka vazhduar edhe gjatë dekadës së okupimit, por që Prishtinës t’i vihet kazma një herë e mirë, ndodhi menjëherë mbas çlirimit të Kosovës në vitin 1999. Njerëz nga të katër anët ia mësyen ta zhbëjnë infrastrukturën e kryeqytetit të Kosovës, por kësaj radhe edhe me kazmë. Punët shkuan deri aty, sa nga dëshpërimi i madh për degradimin e kryeqytetit, njerëzit i zuri nostalgjia për të kaluarën! Të vetëquajturit shefa të kompanive ndërtimore, të cilët në fakt ishin matrapazë të sojit të tyre, gjithmonë me lejet nën rrogoz të pushtetarëve të rinj, kishin vendosur që kryeqytetin e Kosovës ta sillnin deri në pikën kritike, sa një qytetari normal t’i pamundësohej jeta normale në Prishtinë.

Situata u bë edhe më dëshpëruese, derisa shumë arkitektë u bënë edhe vet pjesë e ngulitjes së pamëshirshme të kazmave në hapësirën e saj. Shumica syresh heshtën, derisa i vetmi arkitekt që provoi t’i ndalonte ndërtimet pa leje, të cilat shkretëronin kryeqytetin, ishte arkitekti i ndjerë Rexhep Luci, i cili ditën kur u vra ishte drejtor i Departamentit për Planifikim Hapësinor në Komunën e Prishtinës. Ai u vra nga persona ende të panjohur natën e 10 shtatorit të vitit 2000, derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë, më saktë në lagjen “Kodra e Diellit”, të cilën vite më parë e kishte disejnuar vet. Sot e atë ditë, organet e drejtësisë nuk e zbardhën atentatin mizor kundër tij, derisa nga kjo ditë u vra edhe e ardhmja e kryeqytetit të Kosovës.


Shkas për të publikuar këtë shkrim u bë parkingu nëntokësor, i cili tash disa vjet ka nisur të ndërtohet në hapësirën e Fakultetit Filologjik në Prishtinë dhe i cili pritet të promovohet këto ditë. Për aq sa kam mundur të shoh përmes “vrimave” të rrethojës mbrojtëse, shkatërrimi i hapësirës së oborrit të Fakultetit Filologjik, do të jetë shëmtia më e madhe në zemër të kryeqytetit të Kosovës. Më shumë se parkingu, përreth tij pashë se do të ngritet një supermarket i madh, pastaj një ëmbëltore nga një brend tashmë i njohur bakllavashë dhe zor që në kuadër të “dugajëve” të reja, të jetë planifikuar edhe ndonjë librari apo diçka tjetër të kësaj natyre, që sadopak do t’i gjasonte frymës akademike, më saktë frymës së Fakultetit Filologjik, i cili tash gjysmë shekulli është simbol i arsimit, për të cilin kosovarët u sakrifikuan ndër breza.

Në tetorin e vitit 1983, kur po nisesha t’i sendërtoja ëndrrat e së ardhmes pikërisht në Fakultetin Filologjik, kujtoj nanën time, e cila më pati thënë:

– Bashkë me rrugëtimin e ri, bëhu edhe qytetar rezident i Prishtinës, pasi bota jote është ndryshe nga ‘hekurat’ që na rrethojnë!”. (E kishte fjalën për Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila moti kishte rrethuar vendlindjen time).

Sot, nga kjo distancë e largët, për Prishtinën ruaj vetëm nostalgjinë dhe i dëshpëruar thellë, kam nisur të mendoj rikthimin në vendlindje …