Historiku i fotografisë shqiptare
Historiku i fotografisë shqiptare
09.06.2010 | 04:53
Arti i fotografisë në Shqipëri zë fill rreth mesit të shekullit XIX. Atelieja e parë u ngrit me 1858, nga Pjeter Marubi, në Shkodër, në atë kohë një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë.

Pjeter Marubi(1834-1903) ishte mjeshtër i vërtetë i artit fotografik. Ndryshe nga shume atelie të tjera fotografike që u ngritën më vonë në Shqipëri, atelieja e Marubit, qysh në hapat e para të sajë, u be një laborator krijues i fotografisë artistike

Fotografitë me interes etnografik, historik apo gjeografik ilustruan me dhjetëra vepra të autoreve të huaj për Shqipërinë, ose u botuan në trajtën e kartolinave.

Brezin e dytë të fotografeve, që punuan në këtë studio e përbëjnë nxënësit e tij, vëllezërit Mati Kodheli dhe Kel Kodheli. Me i madhi, Matia, vdiq në moshë krejt të re (1862-1881).
Vëllai i dytë, Keli, i cili jetoi gjatë (1870-1940) e ngriti në një shkallë më të lartë punën artistike në studion fotografike "Marubi", duke u shquar më tepër në gjininë e portretit.

Ai punoi dhe jetoi aq shumë me mjeshtërinë e vet, sa ai, pas vdekjes,i dha Kelit mbiemrin Marubi. Kel Kodheli apo Kel Marubi u lidh me lëvizjen përparimtare të Rilindjes Kombëtare Shqiptare,që u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, me 28 Nëntor 1912. Ai organizoi fototekën e studios se vet, e cila, e sistemuar sipas kritereve arkivore të shek. XIX ruhet edhe sot.

Brezin e tretë të fotografëve e përfaqëson Gegë Marubi (1907-1984), biri i Kelit. Gega u pajis me një kulturë profesionale dhe artistike më të lartë së paraardhësit e tij. Ai kreu në Paris, gjatë viteve `20, shkollën e parë të Fotografisë dhe të Kinematografisë në bote, të themeluar nga vëllezërit Lumiere.
Zbatoi teknikat bashkëkohore që njihte arti i fotografimit, sidomos përdorimin e rrezeve infra të kuqe, të solarimit dhe të fotografimit në reliev.

Ai mori medalje ari dhe fletë nderi me 1936 në panairin e Barit (Itali)dhe, me 1938, në atë të Selanikut(Greqi). Gega e pasuroi fototekën e studios dhe e përmirësoi arkivin e saj. Me 1970 Gegë Marubi ia dhuroi fototekën e studios, me një pasuri prej 150 mijë negativash, shtetit shqiptar. Sot ajo përbën një qendër të rëndësishme arkivore -shkencore. Fotografitë e saj përbëjnë një pasuri të rrallë për historianët, etnografët, arkitektët, urbanistët, artistët etj.
Sfilatë kostumesh dhe personazhesh

Duke qenë italian, pra jo shqiptar, nder gjërat e para që i bie në sy të parit të Marubeve, Pietros, natyrisht janë kostumet. Kombinimi i ngjyrave, punimi mjeshtëror, prerja fikse, shumëllojshmëria e tyre e bëjnë atë që të mrekullohej përpara njerëzve që i kanë të veshura këto kostume. Ndër gjërat e para edhe kur ato janë historike, të fotografuara janë pikërisht kostumet.

Kështu, veç anës mjeshtërore në kombinimin e dritëhijeve, në vendosjen dhe depërtimin e mënyrës së dritës sa dhe si duhet, në nxjerrjen qartë të figurës dhe portretit njerëzor, ku mund të dallosh edhe karakteristikat e njerëzve, në realizimin artistik edhe të planit të dytë të sfondit, Marubi kërkon të nxjerrë në plan të parë edhe kostumet. Shumë shpejt nis t`i dallojë ato. Mëson ndarjen sipas krahinave, sekseve, grupmoshave, kategorive shoqërore dhe rasteve situacionale të veshjes së tyre. Sipas etnologut Agim Bido, Pjeter Marubi kërkoi të fiksojë polifunksionimin shoqëror dhe historik të kostumeve tradicionale në jetën shqiptare, por sipas mënyrës së tij duke i dhënë atyre vlerën e dokumenteve historike të përkohshme të epokës me të cilën ata u prezantuan. Kështu koincidencë, rastësi apo dashje, por fotografia e parë shqiptare që mban vulën e Pjeter Marubit ajo që paraqet Hamza Kazazin është pikërisht foto që paraqet nga ana tjetër edhe kostumin tradicional të burrave shqiptarë shkodranë në një ditë feste. Kështu ndodh në të shumtën e rasteve, pjesa më e madhe e fotove paraqet kostume të llojeve nga më të ndryshmet. Në përgjithësi personazhet apo grupet e personazheve të fotografisë së Marubëve janë të veshur me kostume kombëtare, paraqesin imazhet e tyre ashtu siç janë në festa, ceremonira, ambiente familjare qofte dhe në ushtrimin e zanateve të tyre artizanal në pazarin e Shkodrës. Një pasion të tillë e trashëgon e gjithë dinastia. Matia, Keli edhe Gega. Në mënyra të ndryshme nisën të japin kostumet duke dhënë kështu edhe evoluimin kohor të kostumografisë shqiptare. Por kështu, fototeka Marubi mund te shndërrohet shumë mirë në një muze etnografik. Kështu është e lehtë të përcaktosh kohën nisur nga veshjet e personave të fotografuara.
 
Fotografitë e para kanë personazhe me fustanellë, karakteristike për veshjen burrërore të mesit të shekullit të XIX. Më pas vendin e tyre do ta zënë tirqit, të cilët përdoren në fund të shekullit të XIX. E këto në fillimin e shekullit të XX, zëvendësohen me brekushet. Kështu ndodh edhe për veshjet e grave. Xhubleta e malësorëve, veshja e princeshës mirditore, veshja e gruas katolike shkodrane, apo asaj myslimane, janë pasqyruar më së miri në fotografi. Pas këtyre kostumeve, natyrshëm shihen figurat më të mëdha të historisë së veriut shqiptar. Patriotët në grupe të Lezhës, Dukagjinit, Mirditës, Kosovës të gjithë të veshur me kostume. Krerët, emrat e përveçëm në celuloidet e Marubëve, do të mbeten edhe më të njohur dhe do të shndërrohen të njohur edhe në portrete. Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Azem e Shotë Galica, Esat Toptani, Filip Shiroka, Haki Stermilli, Hil Mosi, Fan Noli, të gjithë janë fotografuar veçse prej Marubëve.

I fundit i Marubëve

Duke jetuar deri vonë 1984, kuptohet se në Shkodër kujtimet më të gjalla dhe respektin më të madh njerëzit e ruajnë për Gegë Marubin, të fundin e dinastisë të fotografëve artistë. Zotëri Gega, qe njeri i madh, thonë shkodranët duke i pasatribuuar atij gjithmonë epitetin e zotërisë edhe atëherë kur duhej te ishe shok. "Prej tij kujtoj rregullin dhe disiplinën", thotë kështu Muhamet Bushati, fotografi që punoi më të një jetë të tërë. "Vinte në punë në 7 pa çerek, bënte gjithçka gati, solucione, negative, aparate, në mënyrë që në 7 të fillonte punën. Kishte një kaligrafi për t`u pasur zili.
 
Gjithçka e mbante më tepër rregull". "Kur isha e vogël",- kujton Tereza, "mbaj mend dhomën në fund të korridorit ku mua me qe ndaluar rreptësisht të hyja. Shihja nga larg, ishte arkivi prej nga ku doli fototeka. Çdo gjë qe në rregull, perfekt." Veç kësaj Tereza kujton dhe regjistrin e madh. "Ishte një libër i madh ku qenë shënuar me saktësi datat dhe njerëzit apo familjet e fotografuara. Kështu rastiste që pas 80, 100, 50 apo 20 vitesh njerëz të ndryshëm kërkonin tek babai ndonjë foto të tyre apo të familjes. Zotni Gegë me duhet kjo foto, e Krajave apo Bushatllinjve fjala vjen. Me mjafton viti të paktën, thoshte babai dhe çdo gjë gjendej në pak sekonda.

Me pas hapeshin skedat dhe menjëherë gjendej negativi në arkiv. Me pëlqente pa masë të shihja babanë tek punonte. E pyesja me kureshtje për dritat e kuqe, perse shërbente ky apo ai solucion, për sa kohë behet stampimi dhe ai me durim me përgjigjej për imtësitë më të vogla".

Epilog

Thuhet se dinastia e Marubëve mbaron me Gegën. Faktikisht pas vdekjes së tij asnjë nga Marubët nuk e trashëgoi më profesionin, nuk pati më aparatin fotografik si treguesin e artit apo të shpirtit të tij. Ndërkohë nga Marubët, nga shkolla e tyre në Shkodër, krijohet një brez i tërë fotografësh, të cilët në një mënyrë apo tjetër krijojnë dinastitë e tyre. Jakovajt, Pistullorët, Nenshatët, janë gjitheë ata që nisin t`i japin emra të rinj fotografisë shqiptare. Ndërsa vajza e vetme e Gegë Marubit, mori drejtim tjetër.

Fotografia është vetëm kënaqësi për të. E shijon duke e parë, di ta vlerësojë siç mund ta bëjë pak kush në Shkodër. Ndërsa profesion nuk është për të. Por duket se gjeni i artistit prej fotografi është transmetuar në vijë të zhdrejtë. "Im bir, Tani,"- thotë Tereza Marubi spontanisht, "i ka të dukshme prirjet e trashëguara. E shoh këtë në mënyrën se si e realizon fotografinë. Dritëhijet janë të përsosura. Fotot dalin të dukshme, të pastra dhe të realizuara në të gjitha drejtimet". Tani ka një profesion që është shumë larg asaj të të qenit fotograf. Për stomatologun Irtan Mehilli mbase do të jetë e afërt dita që mund të hapë ndonjë ekspozitë duke nisur kështu brezin e katërt të dinastisë Marubi, pinjollin e pestë të fotografëve.

"Ah, sikur të kish qenë gjallë njëri nga Marubët". Kështu thuhet të këtë thënë në fillimin e viteve `90 shkodrani hipur maje bustit të Stalinit, teksa lidhte nyjën e kavos në qafën e tij. Fatkeqësisht, në ato momente e gjithë dinastia e Marubëve dergjej nën dhe, por ata kishin lënë një gjurmë të madhe prej 150 mijë negativesh çka përbëjnë fondin më të artë të historisë së fotografisë shqiptare. Të gjitha momentet e historisë që nga 1858, kur Pjeter Marubi shkrepi për të parën herë në Shqipëri aparatin e tij e deri 1944.
 
Figurat madhore shqiptare të gjitha kostumet shqiptare dhe peizazhet e natyrës, janë ulur këmbëkryq në atë që quhet kryevepër fotografike e dinastisë Marubi. Ky art në Shqipëri e jo vetëm këtu, por përgjithësisht në Ballkan nxori më pas mjeshtrit e mëdhenj, por fillimin e parë pikërisht tek Marubët, të cilët patën meritën e veçantë të fiksojnë në celuloid e të vlerësojnë figurat e shqiptarëve dhe historinë e tyre. Në fotoenciklopedinë e vërtetë të botës shqiptare, në harkun kohor të një shekulli, ata ditën se ç`të vendosin. Mbase kjo pikërisht ngjan të jetë misioni i vërtetë historik i 150 mijë negativëve të tre brezave të Marubëve që ruhen me fanatizëm në fototekën Marubi. E në tërë këtë enciklopedi mund të hasësh natyrshëm dallimin e universit shqiptar. Evenimente historike, etnologjike, folklor, arkitekturë, urbanistikë pa lënë mënjanë një galeri të tërë kostumografie.


Dinastia

Nuk është një apo dy, por janë plot 4, ata që formuan mbase të parën dinasti artistike shqiptare të fotografëve. Tre breza, një shekull. Pjetri, Matia, Keli, e deri tek më i fundit Gega. Të gjithë patën vetëm një synim: të fotografonin e të fotografonin artistikisht çdo gjë që kishin përpara. Historia nis me Pjetron. Sipas një studimi të Ismail Kadaresë, i cili u referohet fakteve historike, Pietro Marubi i lindur në Piaçenza të Italisë me 1934, për arsye politike iu desh të ikte nga vendlindja. Idetë politike, aktiviteti garibaldist dhe pjesëmarrja në luftën kundër pushtuesit austro-hungarez të kohës kanë qenë, sipas Kadaresë, shkaqet kryesore që kanë shtyre Pietro Marubin të ikë nga vendlindja e tij.
 
Veç kësaj, aty rreth vitit 1850 ai ka kërkuar të vendoset pikërisht në Shkodër, duke u përpjekur të sigurojë azil politik pranë qeverisë osmane të kohës. Arkitekt, skulptor, piktor, Pietro e pat fillimisht artin e fotografisë një hobi, e me pas kjo do të behej profesioni i tij duke hapur kështu të parën studio fotografike në Shqipëri dhe në Ballkan në vitin 1858. "Qyteti i preferuar i tij do ta miresevije krahëhapur magjistarin e kohës, i cili ndizte flake ca pluhura dhe lëngje dhe më pas të jepte në dorë një copë letër të trashë ku ishe pikërisht ti". Pak a shumë kështu thuhej në kronikat e kohës. Nuk dihet për ç`arsye i pari i Marubëve zgjodhi pikërisht Shkodrën. Nga njëra anë, qyteti qe pjesë e pandarë e perandorisë osmane e për rrjedhojë sipas ideve të fesë zyrtare të kohës, konfigurimi i qenieve njerëzore qe rreptësisht tabu. Por, nga ana tjetër qyteti shqiptar në veri të vendit, pranë maleve të larta qe një krahinë së pari epike, ku këndoheshin epet dhe këngët e kreshnikëve legjendarë. Në një mjedis të tillë, Pietro Marubi pas disa vitesh qëndrimi në Shkodër, vetëquhet Pjeter Marubi, shkodran mes shkodranëve. Kështu ai nxjerr fotografinë e parë.

Ende nuk dihet data precize. Merret vesh vetëm viti. 1858, pak a shumë 24 vjeçar, Pjetri vendos aparatin magjik para luftëtarit shkodran 79 vjeçar Hamza Kazazi. Ky i fundit pozon i veshur me një kostum feste me fustanellë dhe një shpatë të gjatë dhe dy pistoleta jatagan varur në ije. Ky mësohet të jetë kontakti i parë i fotografit mjeshtër Marubi me botën shqiptare dhe që më pas do të pasohet nga disa të tjerë. Fjala merr dhënë. Një italian ka ardhur në Shkodër dhe bën mrekulli dhe magjira. Njerëzit fillimisht e shikonin me frike e më pas çdo gjë vjen natyrshëm. Krijohet kështu pra e para atelie, të cilën vetë Marubi e quajti Dritëshkronja. Sipas të dhënave dhe dëshmive të kohës, mësohet që atelieja të jetë diçka mes realitetit dhe mitikes, të paktën kështu konsiderohej asokohe.

Një dhomë e madhe me sipërfaqe 35 metra katrorë, gjysmë prej muri, gjysmë prej xhami. Ana e djathtë e mureve e edhe çatia ishin të tëra prej xhami, me qellim që drita të hynte edhe të depërtonte natyrshëm. Klishetë e para bardh e zi qenë të formateve 21x27, 26x31 dhe 30x40. Më pas vijnë e ndryshohen dhe fotografi arrin të bëjë klishe thuajse të të gjitha formateve të kohës. Të mos harrojmë se jemi në një kohë kur Evropa veçse pak vite më parë kish njohur artin mrekulli të fotografisë. Ndërsa për Marubët, reputacioni në pak vite vjen duke u rritur. Jo vetëm reputacioni, por edhe nami. Organet e ndryshme botërore, revistat dhe gazetat lidhin kontrata. Kështu nuk është e rastit që fotografitë e kohës të Pietro Marubit, gjenden në shumë gazeta italiane dhe franceze të kohës.

Pietro Marubi duke pasur gjithë këtë punë merr të parin ndihmës. Një djalosh nga malet diku rrotull Shkodrës, të birin e kopshtarit të shtëpisë së tij, Mati Kodhelin. I lindur me 1862, Matia është i mrekulluar nga puna e mjeshtrit Marubi, e kështu në këtë drejtim, ai kërkon të punësohet pranë mjeshtrit. Ky e dërgon për një kohë specializim në Trieste. Më pas kthehet në Shkodër të punojë pranë Pjeter Marubit, por fatkeqësisht jeta për Mati Kodhelin është shumë e kursyer. Vetëm 21 vjeçar, Mati Kodheli mbyll sytë me 1881, por gjithsesi duke lënë një emër jo të paktë në atë që do të quhet dinasti e Marubëve. Vendi i tij nuk lihet bosh. Pasioni nuk del jashtë familjes Kodheli. Zëvendës i tij bëhet Kel Kodheli njëri nga vëllezërit e Matisë dhe ky pasi specializohet për disa kohë në Trieste, punon pranë mjeshtrit Marubi. Është pikërisht në këtë kohë, që Pjetri modernizon sipas standardeve evropiane studion e tij. Kështu, studioja do të ketë e më pas dy emra Pjeter Marubin dhe Kel Kodhelin, i cili punon me të njëjtin pasion si edhe mjeshtri i tij. Punët e Kel Kodhelit nisën të kenë të njëjtin sukses.

Kështu, Pjetri prëgatit testamentin. Për Kel Kodhelin studion e edhe mbiemrin. Pas vdekjes së Pjeter Marubit, dinastia do të ketë trashëgimtarë të tjerë të mbiemrit Marubi. Tashmë, emri i përveçëm është Kel Marubi. Për këtë puna është në veçanti një art dhe fotografimi merr një drejtim tjetër. Çdo shtresë shoqërore ka të drejtën të jetë e fotografuar. Kjo do të jetë motoja e punës së Kel Marubit. Të paktën kështu del nga ajo pjesë e fototekës që mban vulën e Kel Marubit. Njerëzit e rëndomtë të popullit, të gjithë krahas shtresave të larta. Kasollet krahas salloneve, klerikët krahas katundarëve, histori, peizazhe, kostume mbeten serish të fotografuara. Fama e tij shumë shpejt kalon kufijtë shqiptarë. Në Mal të Zi e thërrasin herë pas here dhe Kel Marubi është ndër të parët fotografë që fotografon dhe armikun e shqiptarëve Kral Nikollen.

Pasioni i tij do të transmetohet edhe tek i biri. Gega do të jetë kështu i fundit të dinastisë njëshekullore, brezi i tretë i saj. Në vitet 20 të shekullit të 20-të, ai ndjek në Paris dhe Lion një kurs profesional pranë vëllezërve La Lemier për fotografi dhe për kinema. I pari bie në Ballkan, në qendër të Shkodrës, kinemanë. I pari projekton filmin që u quajt në një sallë të Shkodrës kinemaja e saj, aty rreth vitit 1914. Këtë shkodranët me shaka, ironi apo frikë, nisin ta quajnë “ëndrra në beze`”. Në vitet 20-30 krahas fotografisë, kinemaja bëhet pasioni i dytë i Gegës dhe Shkodra do të jetë qyteti i filmit dhe i kinemave. (Një paradoks kohor në mijëvjeçarin e ri. Shkodra nuk ka asnjë kinema!). Në vitin 1970, Gega do t`i jepte i pari fotografisë shqiptare ngjyrat.

Sipas asaj që tregon Tereza Marubi, vajza e Gegës, me 1972 me një letër personale të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror Enver Hoxha, Gega ia dorëzon shtetit arkivin e gjithë Marubëve. "Ishte diçka që im at e beri me dhimbje", thotë Tereza. Mundi dhe djersa e të parëve të tij, pronë private, ndërron pronar. Kalon në duart e shtetit, pronë e gjithkujt dhe e askujt. Kështu, 150 mijë negativët që formojnë enciklopedinë fotografike, marrin për nder të tij emrin e asaj që u quajt Fototeka Marubi. Lastrat prej bromuri argjendi të kësaj fototeke kanë fiksuar pamje dhe fytyra të ndryshme që nga mbretërit deri tek njerëzit e thjeshte, nga heronjtë legjendarë dhe heronjtë e librave, e deri tek nëpunësit e thjeshtë të postave apo vilajeteve. Fshatarë që presin në radhë mjekun për t`u vizituar, artizane që punojnë në pazarin e vjetër të qytetit. Njeri pas tjetrit të gjithë vijnë e rrinë të qetë përpara aparateve fotografike të dinastisë Marubi. E dinastia e Marubëve i jep kështu jetë dinastisë së arteve të fotografisë.


Art vlerash apo antivlerash

I vlerësuar dhe i pavlerësuar sipas rastit, arti i Marubëve është dhe mbetet unik në Shqipëri. Objekt ilustrimesh për historianët, folkloristët, etnografët, arkitektët dhe urbanistët, ai merr më tepër lëvdata nga të huajt se sa nga shqiptarët, megjithëse arti dhe objekti i fotografive është thellësisht shqiptar. Një album në Francë, një në Itali, një gjysmë në Shqipëri. Veç kësaj edhe një fletëpalosje e vogël që i jepet vetëm të huajve, botuar rreth 12 vjet më parë. Gjithçka do të përmblidhet këtu. Shqiptarët veç faktit që ata ishin fotografë shumë pak dinë për Marubët. Të huajt mund të na sqarojnë më shumë. Në Cetinë, fotot e tij ishin ndër më të shtrenjtat. Bar-Cafe-Krajln në qendër të Cetinës s`kishte asnjë pikturë apo zbukurim në mure, ndërsa këto qenë të mbushura me fotot me përmasa të mëdha dalë nga negativat e Marubit. Në Itali në 1998 në Bari organizohet një ekspozitë. Në pranverën e vitit 2000, në Rimini hapet një tjetër ekspozitë. Sipas Terezës, vajzës se Gegës "jam ndjere krenare për mbiemrin që mbaj më shumë së askund në Bari, në një ekspozitë hapur nga komuna e Barit ka qenë i ftuar nënkryetari i Bashkisë, juristi i Bashkisë dhe një pjesëtar i familjes Marubi. Të gjitha janë rregulluar nga komuna e Barit.

Edhe shpenzimet e vizave dhe të udhëtimit". "Ekspozita,- tregon Tereza,- pati sukses të plotë. Vizitorët e shumtë shikonin të mrekulluar fotot e shekullit të kaluar. Si sot me kujtohen fjalët e asesorit te kulturës të komunës së Barit. Me një ekzaltim që s`mund të shprehet, ai përpiqej t`i shpjegonte njerëzve. Shikoni dy planet e fotove, kombinimi i dritëhijeve dhe pastërtia e figurave janë në shkallën më të lartë. Ishte ndalur përpara një fotografie të luftëtarëve të Dedë Gjo Lulit të vitit 1909 dhe tregonte veç planit njerëzor, fytyrave dhe portreteve ëe luftëtarëve edhe planin e dytë, ambientet, malet të cilat ishin realizuar dhe pasqyruar me një forcë të madhe artistike". Veç të qenit fotograf, Marubët ishin edhe artistë shqiptarë. Të tjerët që i vlerësojnë janë sërish të huajt. Një shoqatë franceze Eredite Sans Frontiere (Trashigimi pa kufi) i rivlerëson jashtëzakonisht fotografitë e Marubit. I vetmi aktivitet në Shqipëri është organizuar pikërisht nga kjo shoqatë, ndërsa herë pas here dikush kujtohet të organizojë një konkurs të fotografisë shqiptare. Ndërsa nga ana tjetër, fototeka është një institucion i lënë thuajse në harresë, ndërkohë që prej dy vjetësh flitet për institucionalizimin e tij. Kjo do të thotë që fototeka të shndërrohet në Institut Kombëtar të fotografisë, të varet direkt nga Ministria e Kulturës.