Gjuhë të vdekura e gjuhë të zhdukura
Gjuhë të vdekura e gjuhë të zhdukura
21.04.2010 | 08:42
Çështje që kanë të bëjnë me ecurinë e gjallimit të gjuhëve kanë grishur shpesh vëmendjen e gjithkujt që i përdor vetëdijshëm ato. Kësisoj është rrëmuar mbi mënyrën e tyre të jetesës, mbi kushtet e mbijetesës apo të shuarjes së një gjuhe a të folmeje, mbi rolin shënjues që ka gjuha te individi e për pasojë te shoqëria mbarë. E s`ka qenë e thënë që kjo vetëdije t`u përkiste veç gjuhëtarëve. Po citojmë në vijim një copëz nga “L`idioma gentile” e De Amicis, thënë nga shqipja dashamire e Asdrenit:

“Gjuhët ç’këmbehen dhe ç’përblehen në rrjedhje të kohëvet, ashtu si ç’këmbehet çdo gjë. Disa fjalë humbasin, të tjera e këmbejnë kuptimin. Është një nim i natyrës, në virtut të të cilit gjuhët çpërbëhen në qenjet e në të endurit e tyre. Po vështro, nuk duhet të besojmë, se ky ç’këmbim i natyrëshëmë dhe i pandaluar i një gjuhe është një me vdirrjen e saj e me prishjen e saj...”. Megjithatë gjuhët edhe vdirren , herë për shkaqe natyrore, e herë për faj të letargjisë që pllakos ndërgjegjen njerëzore.

Ideja se gjuhët mund “të vdesin” zor se çudit kënd, pasi në fjalorë a enciklopedi, përbre termit gjuhë e vdekur, gjejmë edhe përkufizimin si “gjuhë që nuk flitet më, por që kur e kur përmbush edhe funksione në mësimdhënie, në ceremoni e rite etj., sikurse latinishtja”. Në “Robert”-in frëng thuhet: “gjuhë të vdekura - ato që nuk fliten më”; nuk jepet ndonjë shembull ilustrues për to, por kur është fjala për latinishten e greqishten e lashtë, ky fjalor i përmbledh në zërin gjuhë klasike .

Atëherë ne mund të mëdyshemi ca dhe të na dalë vetiu pyetja: Pse latinishten herë e quajnë gjuhë të vdekur e herë gjuhë klasike? Ndofta më afër së vërtetës qëndron përkufizimi i një tjetër enciklopedie frënge, sipas të cilit “quhen të vdekura ato gjuhë që tashmë gjallojnë veç ndër tekste e libra”. E mira e këtij përkufizimi është se ai na përçon dy fakte njëherësh: një gjuhë e vdekur është gjuhë e shkruar , d.m.th. se ka qenë shkruar “sa ish gjallë” (mbase vazhdon edhe sot e do kohë) dhe se nuk flitet më .

Me fjalë të tjera, në morinë e gjuhëve që janë folur përgjatë historisë e që sot nuk janë më, kemi gjuhë të vdekura e gjuhë të zhdukura, të vendosura sipas një shkalle hierarkike: latinishtja, greqishtja e lashtë, arabishtja klasike apo sanskritishtja janë gjuhë më prestigjioze se ato që flisnin, ta zëmë, popujt që u kolonizuan nga romakët, të cilat as nuk lanë pas letërsi, as nuk janë gjuhë të ndonjë feje, etj. Ç`mund të themi për këto të fundit? Për gjuhët që fliteshin në Gadishullin Iberik, në Gale, apo në Rumaninë e sotme, para se pushtimi romak e tok me të latinishtja t`i zbrisnin nga froni? Afërmendsh janë gjuhë të vdekura , nëse është fjala që nuk fliten më, por vdekja e tyre nuk është e njëjtë me atë të latinishtes: gjuhët në fjalë humbën e s`lanë kurrfarë gjurme, veç një substrakti që përcaktoi tiparet e ndryshme të gjuhëve romanike, ndërsa latinishtja vdiq duke u shndërruar.

Paska, pra, tri mënyra “zhdukjeje” për një gjuhë:

  • Zhdukja për t`u shndërruar ; kjo ndodhte kur një gjuhë e zhvilluar ndahej gjeografikisht gjatë ekspansionit të popullit që e fliste, duke dhënë shkas lindjes së familjeve gjuhësore. Kështu ngjau me indoevropianishten latinishten, dhe arabishten klasike.
  • Zhdukja prej bdarjes; kjo ndodh kur folësit e fundëm të një gjuhe vdesin pa lënë pasardhës që flasin po atë gjuhë. Këtu përmendet rasti i dalmatishtes, folësi i fundëm i së cilës, Udina Burbur, vdiq më 1898.
  • Zhdukja prej zëvendësimit, kur gjuhët inferiore humbasin nën trysninë e gjuhëve superiore; me këtë rrugë u shfaq latinishtja ballkanike apo latinishtja që zuri të fliste popullsia e Ballkanit pasi u romanizua. Këtu bëjnë përjashtim greqishtja me skudin e saj prej gjuhë kulture si dhe protoshqipja me rezistencën e folësve të saj. Le të qëndrojmë ca më gjatë tek kjo lloj zhdukjeje.

Ky zëvendësim i një gjuhe prej një tjetre mund të jetë alternativ (dhe këtu po sjell një shembull: fëmija i lindur nga martesa ndërmjet një shqiptari dhe një rumuneje, që të dy emigrantë në Itali, ka si gjuhë të tijën italishten); por mund të jetë edhe zëvendësim i vazhduar, atëherë kur përmes një procesi të gjatë, gjuha e mbizotëruar shkrihet ngadalë e përditë në trup të gjuhës mbizotëruese dhe në këtë rast më tepër se për zëvendësim është fjala për absorbim. Të vetmet shenja që mbeten nga gjuha e përpirë në fund të kësaj “darke shekullore”, janë njësitë morfologjike si: mbaresa e fundore lakim-zgjedhimesh, disi të rënda këto për t`u tretur.

Edhe pa vazhduar më tej, duket se del vetiu droja në lidhje me shqipen; ajo tashmë është përballë qoftë me zëvendësimin alternativ (një pjesë jo e vogël familjesh shqipfolëse gjenden jashtë vendit), qoftë me zëvendësimin e vazhduar, shkak për të cilin bëhet hapja e menjëhershme e kësaj gjuhe të vogël e të pasistemuar ndaj prirjes botërore për globalizim kulturash; së gjithës duket se po i jep dorë edhe letargjia jonë e pavend.

Tash së fundmi, Ministria Italiane e Arsimit shpalli dekret-ligjin, sipas të cilit fëmijët shqiptarë në Itali kanë të drejtën e mësimit shqip në shkollat e atjeshme. Ky veprim i qeverisë italiane, për t`i dhënë udhë këtij ligji, mori shkas nga fakti se numri i shqipfolësve në Itali ka mbërritur cakun e një pakice gjuhësore që do marrë parasysh. Kësisoj shqipja e tyre do të ketë mundësinë të ushtohet në të katër funksionet e saj themelore: dëgjim, lexim, gjuhë e folur, gjuhë e shkruar .

Një vendim i tillë të zgjon, përveç një ndjesie të mirë falënderuese, edhe instinktin t`i kthejmë sytë kah ne. Afërmendsh ka ardhur koha që platforma e studimeve për gjuhën të ngrihet mbi çështje që marrin në shqyrtim të gjitha ato ngjarje gjuhësore, të cilat përndoqën ndryshimet ideopolitike e për rrjedhojë ndryshimin e krejt stilit të jetës sociale. Në fillim të viteve ‘90 shqipja pa si shprishej entropia e sistemit të saj gjuhësor e kulturor. Për pasojë, qerthuj me dyshime e probleme për t`u zgjidhur ankthojnë aty pas dyerve të institucioneve kërkimore e ato kanë shumë më tepër ngut se problemi i zanafillës së shqipes.

  • Në ç`kushte e befasoi shqipen kjo hapje e menjëhershme?
  • Si përvijoi raporti mes gjuhës së shkruar e asaj të folur pasi ranë skemat semasiologjike “të parafabrikuara”?
  • Ç`i sjell shqipes ky network i tanishëm njerëzish e konceptesh nga e gjithë bota?
  • Ç`do të thotë të jesh gjuhë e kulturë e një vendi të vogël e ç`qëndrim do mbajtur (kuptohet, në aspektin gjuhësor)?
  • Anët pozitive e negative të huazimeve gjuhësore gjithfarë (leksikore, gramatikore, semantike, etj) - dhe këtu të shqyrtohen qoftë huazimet e pashmangshme, qoftë ato që i ngucen gjuhës me pahir.
  • Në një ligjërim tashmë të ngurtë e skematik, aq më tepër të turbulluar nga problemet e veta pararendëse, a do të qe më mirë që huazimeve të tilla t`u lihej shtegu hapur deri në një referendum kulturoro-gjuhësor, apo të ndaleshim qysh tash e të diagnostikonim?
  • Më mirë një reformë gjuhësore en bloque, apo do të mjaftonte një rishikim i hollësishëm i normës sonë standarde, të ngushtë e të pamjaftueshme?
  • Rishqyrtim i metodologjive, në bazë të të cilave zhvillohet sot kërkimtaria jonë gjuhësore.

Hulumtimi gjuhësor në Shqipëri ngjan se ende kryhet duke u nisur nga gjuha në veshjen e saj abstrakte, pa dalluar dy konceptet sosyriane, ligjërimin dhe të folurit. Për pasojë, pakgjë punohet për mënyrat e ndryshme të mendimit e të shprehjes, për ligjërimin aktiv - atë që përdorim përditë, apo për zhargonet. E gjithë kjo lavjerrje shqiptare socialkulturore, ideopolitike, demografike, gjeografike etj., bën që të lavjerret edhe shqipja, veçse filli i këtij pezulli sa vjen e po tëhollet. Është koha t`i kthehet shqipes limfa e saj e dikurshme. S`ka dyshim se forcat intelektuale janë gati t`i përvishen një aksioni të tillë të lëvdueshëm; ajo ç`ka presin është vetëm (e domosdoshmja) përfshirje në të e forcës shtetërore.

Deri më tash shqipja është gjuhë në kërkim të një atdheu . Mos u dashka të presim deri kur Shqipëria të jetë atdhe në kërkim të një gjuhe? Të gjithë e dimë se gjuha s`është stole, por mbuloja që u veshim mendimeve tona. E le t`i kthehemi edhe një herë De Amicis-it: “Thonë se njeriu vlen aqë sa di. Po me një masë të madhe vlen edhe sipas mënyrës pas së cilës ay e thotë atë që e di”.